Siguria kibernetike në fokus, Kumbaro: Edukimi është ura mes lirisë digjitale dhe mbrojtjes
Finalja e Maratonës për Sigurinë Kibernetike mblodhi nxënës e studentë, ku ministrja Mirela Kumbaro theksoi se mes lirisë digjitale dhe kufizimit qëndron edukimi. Ajo foli për ndalimin e telefonëve, lëndën TIK, SmartLab-et, STEM-in dhe investimet në trajnime për mësuesit.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mbajti fjalën përshëndetëse në finalen e maratonës së Sigurisë Kibernetike, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ku finalistët ishin kryesisht nxënës dhe studentë.
“Në hapësirën e pakufishme digjitale që është më e pambrojtura, më e brishta, por edhe më e lakmuara nga autorët e rrezikut kibernetik, ata janë fëmijët. Mes lirisë dhe të drejtës për të përdorur teknologjinë dhe kufizimit të saj, në mes qëndron edukimi. Që prej shtatorit, Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzimin për ndalimin e përdorimit të telefonëve gjatë orarit të mësimit, ndërkohë që kemi futur lëndën e TIK prej disa vitesh në shkollë. Një tjetër program që po ndërtojmë nëpër shkolla është ai i aktiviteteve pas shkollore, të cilat synojnë t’i mbajnë fëmijët më gjatë në shkollë, duke u dhënë mundësinë të merren me aktivitete kreative që nxisin talentet e tyre në Art, Zeje, Sporte, çka na rezulton një përpjekje shumë e mirë për t’i mbajtur edhe disa orë të tjera larg ekraneve.
E për të siguruar një mjedis të shëndetshëm, ku fëmijët dhe të rinjtë ta përdorin hapësirën digjitale për të ndërtuar një identitet të fortë, për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe vetëbesim, duhen patjetër investime. Lënda e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisja e 1000 shkollave me SmartLab brenda dy viteve, shoqërohet edhe me një paketë të plotë dhe të diversifikuar trajnimesh për edukimin digjital për mësuesit, udhëzues për prindërit, ndërsa po forcojmë qasjen STEM në mësimdhënie. Në buxhetin e arsimit për vitin 2026, parashikohen edhe trajnime për rreth 60% të mësuesve, ku do të ketë trajnime specifike për mësuesit e TIK-ut, përmes një fondi të dedikuar prej 1,6 milionë euro. Kurrikula e re e TIK-ut përmban një tematikë të posaçme të titulluar “Siguria e të punuarit në kompjuter”, tha ministrja Kumbaro.
Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike Igli Tafa u shpreh se finalizimi i kësaj maratone ka pasur një bashkëpunim të gjerë dhe shtrirje ndërinsitutcionale.
“Ka pasur një konkurrim për fushën e sigurisë kibernetike nga studentët në të gjithë universitetet, përfshirë edhe një universitet në Kosovë dhe disa shkolla profesionale”, tha ai.
Në Arsimin e Lartë janë 8276 studentë që kanë zgjedhur degët e teknologjisë së informacionit në vitin akademik 24-25, ndërkohë në vitin 2024, vetëm në programin “Siguria Kibernetike” janë diplomuar 51 studentë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600