OPINION

Studime e provime vetëm për të kaluar, jo për të mësuar…

Asnjëherë një testim nuk mund të përcaktojë se çfarë dimë ne, se çfarë dinë nxënësit. Në provime paraqitet një pamje false se çfarë jemi në gjendje të bëjmë apo janë në gjendje të bëjnë nxënësit...

Testimet janë një mjet që të llogariten njohuritë e nxënësve dhe niveli i tyre, pretendojnë shumë “specialistë” të arsimit. Gabim! Asnjëherë një testim nuk mund të përcaktojë se çfarë dimë ne, se çfarë dinë nxënësit. Në provime paraqitet një pamje false se çfarë jemi në gjendje të bëjmë apo janë në gjendje të bëjnë nxënësit. Dhe kjo, sepse nuk punojnë në të njëjtat kushte si zakonisht. Provimet dëshmojnë vetëm atë që është mësuar përmendësh dhe ato gjëra që nxënësve u janë ngulitur në kokë për të kaluar provimet. Rrallëherë, tregojnë nëse mund të mendojnë dhe ta gjejnë vetë zgjidhjen e problemit. Cilësia e arsimit ka renë. Mësuesit në fakt nuk u mësojnë nxënësve thelbin dhe materialin që do t’u duhet në formimin e tyre të përgjithshëm, por rrugën sesi të dalin me sukses në provime. Dhe, është e gabuar heqja e provimeve me gojë… Sistemi i provimeve anullon rolin e shkollës, e cila, fatkeqësisht, është shumë larg shoqërisë. Dhe kjo fillon nga lart. Nxënësit përpiqen dhe mësuesit kanë humbur rolin e tyre.


Nota… Këtu humbet gëzimi i dijes. Sasia e informacionit, në lidhje me kërkesën për nota të larta, ka si pasojë të mësuarit e përciptë… Sisteme testimi të prera e të qepura për t’iu shërbyer qëllimeve të fshehta, ose budallallëqeve.


Është e trishtë ajo që ndodh me testimet në Shqipëri. Me testimet e të gjitha llojeve apo degëve. Qoftë kur testohesh për të marrë patentë për drejtimin e makinës, qoftë për të mbrojtur gjuhën e huaj, qoftë për të përfunduar ciklin e studimeve të shkollës së mesme etj., etj.


Gjithçka ka një vlerë bazë. Jo sesi duhet të mësosh, por të mësosh vetëm ato “gjysma”, të cilat të nevojiten për të kaluar në provime. Të mësuarit logjik nuk është çështja. Çështja është orientimi drejt një “drejtimi”. Të ushtrohesh në “qejfet” e sistemeve, në mënyrë që t’ia dalësh mbanë.


Veçanërisht me provimet e Maturës Shtetërore, të cilat torturojnë nxënësit dhe prindërit e tyre, po aq sa torturojnë edhe një pjesë të mësuesve që “testohen” së bashku me nxënësit!!! Dhe i gjithë sistemi i testimit të Maturës Shtetërore është kthyer në një makth, duke marrë karakteristikat e një budallallëku të vërtetë…


Të paktën. Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur dhashë provimin për të marrë patentën. E kujtoj tani dhe më vjen t’ia plas gazit me ankthin e atyre ditëve. Zëri i instruktorit jehon ende në veshët e mi… “Kujdes në parkim. Rrota të mos hipë në trotuar, sepse do ‘ngelësh’!”


E njejta gjë edhe në provimin e gjuhëve të huaja. Plotëson kuti me alternativa dhe, natyrisht, gjuhë të huaj nuk mëson. Në testimet e mësipërme mund të marrësh patentë për… (le të themi) zhongler, por praktikisht nuk di të drejtosh makinën. Testohesh për të mos t’u fikur makina më tepër se një herë, të mos hipësh mbi trotuar, të hysh e të dalësh nga një vend parkimi me jo me tepër se katër manovra dhe të tjera gjëra që shumë pak lidhje kanë me drejtimin e vërtetë të automjetit. Natyrisht që patentën e merr, por të drejtosh makinën mëson shumë më vonë, shpeshherë me pasoja vrasëse…


Diçka e njëjtë ndodh edhe me provimet e Lower, Proficiency etj., etj. Edhe këtu mëson… sisteme drejtimi që të kalosh provimet e një gjuhe të huaj. Siç e thashë më sipër, plotëson kuti me alternativa dhe praktikisht e realisht gjuhë te huaj nuk mëson. Le të vijmë te provimet e Maturës Shtetërore. Përfundojnë me shumë lot, ose me shumë gajasje. Le të shikojmë provimin e Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë. Në tre vjet nxënësit mësojnë për autorë e vepra të ndryshme. Kryevepra të letërsisë botërore, ose edhe vepra të dyshimta nga ana cilësore, ideore apo të vlerave letrare. Nxënësve u jepet një program orientues veprash e autorësh, të cilët duhet t’i mësojë. Dhe ata përpiqen të mësojnë, ose të bëjnë sikur mësojnë, ose të shkojnë me shpresën se në provim do të kopjojnë.


Kur vjen dita e provimit, nxënësi nuk testohet për njohuritë e tij të përgjithshme për gjuhën dhe letërsinë, për formimin e marrë në vitet e gjimnazit, por i jepet një tekst i rastësishëm, i një autori të rastësishëm, të cilin duhet ta analizojë, kuptojë, lexojë, interpretojë etj., etj…


Pra, praktikisht, nxënësi nuk testohet për formimin e tij gjuhësor e letrar, por testohet si e si të kalojë provimin. Dhe pas kaq vitesh eksperimentimi me gjuhën dhe letërsinë, rezulton se nxënësit nuk janë aspak të formuar, njohuritë e tyre janë gjysmake, nuk njohin fare periudhat letrare, drejtimet, rrymat, veçoritë. Dhe, më e keqja? Nxënësit nuk dinë të shkruajnë me një gjuhë të qartë, të bukur e të pastër letrare dhe shpeshherë, duke qenë se testohen vetëm me shkrim, nuk dinë të flasin, nuk kanë aftësi shprehëse.


Le të vijmë tek mënyra aktuale e zhvillimit të testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë. Modeli i ri i testit i futur sivjet dhe i pa eksperimentuar apo provuar më parë në shkallë të gjerë në gjithë Shqipërinë, është penalizues për nxënësit e mirë. Vërtet që janë shtuar alternativat, por përvoja ka treguar se tek alternativat nxënësit humbasin pikë. 

Ndërkohë që janë katër tekste për t’u analizuar e punuar. Dy tekste letrare dhe dy tekste gjuhësore. Plus edhe eseja. E gjithë kjo brenda dy orëve e gjysmë. I ngarkuar dhe absurd. Vërtet mund të jenë tekste të shkurtra, por katër tekste në një test janë shumë çorientuese për nxënësit. I shpërqëndrojnë dhe i stresojnë, i lodhin psikologjikisht. 

Dhe unë si mësues i gjuhës dhe letërsisë pyes gjithmonë veten: Pse? Pse vetëm me letërsinë ndodhin këto eksperimente?...

 

“Trendi” penalizues i notës së provimeve për mësuesit dhe nxënësit

Vazhdimisht mësuesit gjenden përpara një presioni të pazakontë, shpesh herë edhe absurd. Notës dhe penalizmit të saj. Kërcënohen se do të penalizohen, deri edhe me largim nga puna, në rast se nxënësit bien nga nota vjetore apo e tre viteve në provimin e Maturës Shtetërore.


Këtu qëndron absurditeti. Nxënësi kur vlerësohet në fund të tremujorit apo në fund të vitit vlerësohet për njohuri të kufizuara, vlerësohet, jo vetëm me shkrim, por edhe me gojë, edhe me punët e portofolit. Natyrisht, nuk përjashtohet edhe vlerësimi subjektiv i mësuesit. Ndaj vlerësimet, kryesisht të nxënësve të mirë, janë gjithmonë më të larta nga nota e provimit të Maturës Shtetërore.


Sepse në Maturë nxënësi vlerësohet vetëm me shkrim dhe jo për njohuri të tremujorit apo vjetore, por për tre vitet e studimeve. Ndryshe nga vlerësimi i vazhdueshëm vjetor apo tremujor, në Maturë nxënësit kanë edhe presionin më të madh psikologjik, të së ardhmes së tyre, e cila vihet në diskutim nga një notë e ulët. Mund të ndodhë që atë ditë nxënësi të mos ndihet mirë, jo vetëm nga trysnia psikologjike, por edhe fizikisht. I përzier me maturantë të shkollave të tjera, apo shpesh edhe nga administratorë jo dashamirës e të orientuar me keqdashje, bllokohet, stresohet. Dhe këtu ai nuk punon mirë. Si rezultat edhe nota nuk është ajo që pret ai, familja dhe mësuesi. Këtu qëndron absurdi dhe padrejtësia. Ai penalizohet për diçka, që në kushte të tjera nuk do të ndodhte. Nxënësi del keq dhe nuk merr degën e shkollës së lartë që do, ndësra mësuesi mund edhe të lerë vendin e punës. 

I kujt është faji? I mësuesit? I nxënësit? I notës? I mënyrës së vlerësimit? Pa diskutim i një sistemi jo të drejtë arsimor. I një sistemi arsimor që po ngrihet jo mbi baza të drejta pedagogjike, shkencore e humane. Ka vite tashmë që shkolla prodhon nxënës gjysmakë, të cilët do të vazhdojnë të jenë gjysmakë, ose edhe më keq, pasi edhe ata në profesionet e tyre do të jenë gjysmakë e më keq. Kjo është katandisja e shkollës shqiptare.


17-18-vjeçarë që shpenzojnë mijëra orë nga jeta e tyre në shkolla e kurse private, familje që ushqejnë me para të thata arsimin (jo brenda klasave të shkollave) dhe shumë mësues të papërgjegjshëm që punojnë privatisht, në mënyrë që fëmijët e tyre të hyjnë në një shkollë “të mirë”, një sistem i tërë iluzor e i gënjeshtërt, që di vetëm të të përkëdhelë, të të ndryshojë dhe të të dënojë në momentin më kritik, është ngritur mbi shpinën e nxënësve, që nga çasti që shkelën në klasën e parë.


Dhe nxënësit në Maturën Shtetërore, që supozohet se luhet e ardhmja e tyre, u bëjnë qejfin…, sëmuren, pësojnë kriza ankthi, për të përballuar një plan (nga i cili “hanë (përfitojnë)” shumë persona), i cili është ndërtuar i tillë qysh në fillim, që të të pështyjë dhe të të nënvlerësojë.



(Ardi Stefa; Portali Shkollor)

5,728 Lexime
6 muaj më parë