Intervistë

“Të ndenjurit kot ma shkatërron humorin”

Në një intervistë për Portalin Shkollor, Irvi Çela na tregon se si lindi dhe erdhi tek të gjithë ju eseja “Një dhjetë…përgjithmonë!” dedikuar mësuesve në kuadër të “7 Marsit”.

Irvi Çela është nxënës i klasës së XI-1 të shkollës “Ernest Koliqi” dhe autor i shkrimit “Një dhjetë…përgjithmonë!” publikuar dy javë më parë në Portalin Shkollor. Ky shkrim është lexuar, pëlqyer dhe shpërndarë shumë herë në rrjetet sociale, duke u kthyer kështu në urimin më të bukur për mësuesit në festën e “7 Marsit” dhe jo vetëm për mësuesit e shkollës së Irvit, por për të gjithë mësuesit në vend. Pikërisht për këtë arsye në biseduam me Irvin për të mësuar se si u frymëzua ai për të shkruar këtë ese. Njihuni më shumë me Irvin, nxënësin që të ndenjurit kot ia shkatërron humorin. Ai ka një mesazh për të gjithë të rinjtë, bashkëmoshatarët e tij: “Le të gjallërohemi më tepër!”


“Një dhjetë…përgjithmonë!”, ky është shkrimi më i lexuar në Portalin Shkollor. Irvi e prisnit këtë pasi vendosët të publikoni shkrimin?

Nuk po tregohem modest por, sinqerisht që nuk e prisja. Nuk e prisja as të publikohej. Pastaj, tek kontrolloja herë pas here numrin e lexuesve, mendoja:  “Domethënë, s’paska qenë keq”. Më tej, kur kuptova që po rriteshin me të vërtetë shumë, i thashë vetes “Në rregull... paska qenë mirë.” Gjej rastin t’ju falenderoj për mundësinë që më dhatë.


Çfarë ju frymëzoi për të shkruar këtë ese?

Unë shkruaj në kohën time të lirë, e cila është shumë e pakët kohëve të fundit. Tema ishte shumë e gjerë dhe kjo më dha një dorë. Pastaj mendova për qëllimin, pasi edhe pse isha prirur të shkruaja diçka për kënaqësinë time dhe të të gjithëve, nuk mundesha thjesht të hidhja emocionet dhe përjetimet e mia aty; kisha nevojë për një qëllim. E vendosa. Qëllimi do të ishte ishte: Të jap një falenderim të madh për të gjithë mësuesit e mi, pa tingëlluar, e aq më pak pa u bërë servil. Dhe pikërisht këtu zuri fill frymëzimi im... qëllimi më justifikoi mjetin, ku ky i fundit ishte frymëzimi, i cili, si çdo herë, rrodhi shumë natyrshëm dhe u shtjellua rrugës.


Si e pritën mësuesit tuaj këtë shkrim?

Ndihem me të vërtetë i lumtur që u prit aq mirë nga të gjithë; nga mësues që më mësojnë, më kanë mësuar, mësojnë apo kanë mësuar të tjerë si unë. Pjesa më e bukur ishte ajo e falenderimeve dhe urimeve; më dukej sikur kisha gjetur një mënyrë për t’ua shpërblyer, e në fakt ashtu rezultoi... kuptova që të gjithë mësuesit ndiheshin të vlerësuar. Ishte atmosferë shumë e bukur!


Irvi, ti shkruan në ese se: “Duke u rritur, kam kuptuar që mësuesi është një figurë ideale”, por si e ka emrin mësuesi ideal për ty?

Mësuesi, në thelb, është idealist; misioni e tij ia paracakton këtë titull. Për mendimin tim gjithçka duhet të nisë me shkrirjen e barrierave të akullta mes mësuesit dhe nxënësit. Duke u nisur nga eksperiencat e mia dhe të shokëve e shoqeve të mia, kjo ndihmon në zhdukjen e një ngërçi psikologjik që mund të jetë krijuar, i cili ka karakter pengues në lirshmërinë që i duhet nxënësit për të shprehur qëndrimet dhe mendimet e tij. Besoj shumë te aftësia për të krijuar e gjithsecilit nga ne, e pikërisht, mësuesit luajnë një rol esencial në këtë të fundit. Le të shihet si një aventurë procesi i zbulimit të prirjeve të nxënësve nga ana e mësuesit. Te dyja palët fillojnë ta njohin më mirë objektin në fjalë; mësuesit nxënësin e këta te fundit veten e tyre.  E pastaj, mësuesi punon dhe i jep një mbështetje të fortë nxënësit. I sjell vazhdimisht risi për t’i formësuar kështu karakterin dhe për ta ndihmuar akoma më shumë të njohë veten. I krijon një mjedis të ngrohtë.  E nga ana tjetër, nxënësi, me një vetëbesim të rrënjosur thellë, e shikon të gjithën këtë si diçka shumë të madhe. Mësohet të falenderojë, të reflektojë si dhe të praktikojë tipare të këtij misioni, që janë veçse të dobishme për shoqërinë. Siç e përmenda më lart, mësuesit mbeten kurdoherë figurë ideale, por për ta mishëruar këtë ideal, për ta bërë të perceptueshëm atë, mjafton të ndërmarrin një udhëtim të shkurtër brenda qenësive tona (nxënësve), të marrin copëza të çmuara tonat, e të na i shumëfishojnë këto të fundit duke na dëshmuar ekzistencën e tyre. Ne jemi evidenca e këtij ideali.


E mësove se kush je ti nga mësuesit e tu, na e thuaj edhe ne, kush është Irvi?

Njohja e vetes është një proces që kam frikë se përfundon shumë vonë, ose s’përfundon fare. Kam kuptuar që karakteri im ndërtohet mbi disa kontraste deri tani. Ndihem mirë kur merrem me punë; të ndenjurit kot ma shkatërron humorin. Por nga ana tjetër më pëlqen shumë gjumi... shumë fare. Gjithashtu, do të thoja që jam tip ekspresiv  por, nga ana tjetër, shpesh herë zgjedh të mos flas e të mbetem i rezervuar. Më pëlqejnë shumë shkencat ekzakte, por gjej komoditet edhe në fushat sociale. I urrej padrejtësitë aq shumë, saqë prej tyre shpërfytyrohem në njeri tjetër edhe pse, ndonjëherë, i lë këto në fjalë të veprojnë, duke qenë se është e pamundur të evitohen plotësisht dhe në vend që t’i luftoj e ti godas, zgjedh t’i përballoj e t’ua mësoj hilet për ta patur më të thjeshtë rrugën që dua të ndjek. Më thonë se kam humor e gjithashtu më thonë se jam njeriu më i zymtë kur bëhem serioz... Ky jam unë.


Cilat janë ëndrrat dhe dëshirat tua?

Ëndrrat e mia lidhen me të ardhmen. Është normale besoj, të ëndërrosh për një të ardhme të ndritur. Kohëve te fundit jam munduar që t’i moderoj këto të fundit. Kam dëshirë që ëndrrat, pasionet dhe synimet t’i bëj bashkë e t’i kthej në forcë motivuese. Kjo është motoja ime. Momentalisht, jam shumë i dhënë pas një portali që kemi krijuar unë dhe disa miqtë e mi. Quhet “Scribo” (nëse më lejohet ta përmend); një portal ku shkruhen artikuj dhe shkrepen fotografi. Kemi ngjizur artin e të shkruarit me atë të të fotografuarit. Dëshiroj që “Scribo” të bëhet më i njohur, e pse jo, një destinacion për të gjithë ata që u pëlqen leximi.


Në cilën degë dëshiron të vijosh studimet e larta, e ke menduar?

E kam menduar me kohë madje por, padyshim që kam shumë ide të reja që interferojnë këto planet e vjetra që kam thurur. Dua të bëj diçka midis arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit. Kjo mendoj se do më siguronte plotësimin e objektivit që kam për të ardhmen. Kam dëshirë të bëj një punë që te ketë lidhje të ngushtë me krijimtari dhe zgjerim horizonti (si arkitektura) por, kam nevojë nga ana tjetër për atë shtrëngimin e rregullave matematikore, pasi në mungesë të tyre jam i sigurt që do të humbisja pambarimisht në ide dhe plane

.

Kujt do të doje t’i thoje diçka nëpërmjet Portalit Shkollor?

Do ishte shumë më interesante sikur të gjithë ne të rinjtë të jepnim më shumë nga vetja e të krijonim diçka autentike. Akoma më bukur do të ishte sikur të gjithë të bashkoheshim për një qëllim të përbashkët. Ky qëllim i përbashkët të konkretizohej më tej duke mbartur tipare të secilit prej nesh. Në këtë mënyrë, krijojmë një marrëdhënie simbiotike mes egos tonë dhe dobisë për të tjerët, që na e mundëson pikërisht vepra jonë. Le të gjallërohemi më tepër! 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

9,187 Lexime
7 vjet më parë