Botimet për rastin

Tituj librash të sugjeruar nga Albas për Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut

Më rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut ne ju sugjerojmë librin si themel qytetërimi, për të njohur prej tij të drejtat që duhet të gëzojmë. Nga Albas veçojmë titujt “Racizmi shpjeguar vajzës sime”, “Unë them jo”, “100 fotografitë që ndryshuan botën”, “50 gratë më me ndikim të epokës sonë”.

Kjo datë shënohet si Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, si një përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. 


Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.


Por a mjafton kaq?

Sigurisht jo!


Çdo herë është e nevojshme të lexojmë mbi të drejtat tona, të edukohemi mbi to, por edhe të frymëzohemi prej njerëzve të së shkuarës të cilët kanë kërkuar të drejtat e tyre dhe kanë luftuar për to e jo në pak raste kanë fituar pa humbur shpresën!


Ndaj, në këtë Ditë të shënuar të të Drejtave të Njeriut ne ju sugjerojmë librin si themel qytetërimi, për të njohur prej tij të drejtat që duhet të gëzojmë. Nga Albas veçojmë titujt “Racizmi shpjeguar vajzës sime”, “Unë them jo”, “100 fotografitë që ndryshuan botën”, “50 gratë më me ndikim të epokës sonë”.  



“Racizmi shpjeguar vajzës sime” - Tahar Ben Jelloun


Tahar Ben Jelloun është një nga shkrimtarët më të njohur francezë, i vlerësuar me disa çmime dhe kandidat për çmimin Nobel në Letërsi. Racizmi shpjeguar vajzës sime është bestseller dhe është përkthyer në 25 gjuhë. Njeriu nuk lind racist, por bëhet. Këtë përpiqet t’i shpjegojë autori vajzës së tij, Merjemes, e cila gjatë një manifestimi kundër një projektligji për emigracionin e pyeti për racizmin. Libri është në formën e një bashkëbisedimi, që u përgjigjet pyetjeve kureshtare të një fëmije. Më shumë se dhjetë vjet pas këtij bashkëbisedimi me të bijën, autori i bën të njohura këto këmbime mendimesh me fëmijët nga gjithë bota, të cilët vazhdon t’i takojë. Sepse së bashku konstatojmë se racizmi jo vetëm nuk është sprapsur, por është bërë i zakonshëm, madje, në disa raste, është thelluar. Ne përpiqemi të kuptojmë format e reja të shfaqjes së tij: rritja e antisemitizmit dhe islamofobisë, diskriminimet, viktima të të cilit janë emigrantët etj. Ky libër u drejtohet fëmijëve që nuk kanë ende paragjykime dhe prindërve, mësuesve, edukatorëve, për t’iu përgjigjur pyetjeve më të koklavitura nga sa mendojnë fëmijët.

Përkthyer nga Miço Gubera.

Botim për të rinj 12-18 vjeç. 

“Unë them jo” - Daniele Aristarco

Nga Spartaku te Darvini, nga Gandi te Martin Luter Kingu, nga Xhordano Bruno te Malala Josafzai: historitë e grave dhe të burrave që u kanë thënë jo padrejtësive. Tridhjetë e pesë histori të jashtëzakonshme, që rijetësojnë betejat e mëdha për lirinë. Ky libër është realizuar në bashkëpunim me shtëpinë botuese Edizione El. Dy personalitete të rëndësishme të kulturës shqiptare, NËNË TEREZA, që i ka thënë “JO” varfërisë dhe MUSINE KOKALARI, që i ka thënë “JO” komunizmit, janë përgatitur për botim nga redaksia Albas.

Shqipëroi: Ervisa Paloka.

Botim për moshën 9-12 vjeç. 

“100 fotografitë që ndryshuan botën” - Përgatitur nga: Margherita Giacosa, Roberto Mottadelli, Gianni Morelli

100 fotografitë më të famshme në historinë bashkëkohore, shkrepje që i treguan botës çastet që kanë bërë epokë dhe pikat pa kthim, imazhe, të cilat përmes forcës së tyre shprehëse trazuan vetëdije njerëzore dhe nxitën ndryshime në politikë dhe në shoqëri: duke filluar nga gjigantët, si Henri Cartier-Bresson dhe Robert Capa e deri te reporterët, si Elliot Erwitt, Eugene Smith dhe Kevin Carter, një varg imazhesh që me siguri do të lënë gjurmë. Albumi është përgatitur nga Margherita Giacosa, Roberto Mottadelli, Gianni Morelli dhe është shqipëruar nga Giselda Zaimi. 

“50 gratë më me ndikim të epokës sonë” - Chiara Pasqualetti Johnson

Ky libër rrëfen jetët e jashtëzakonshme të pesëdhjetë grave, të cilat sfiduan me sukses shekujt e mbushur me paragjykime dhe rishkruan rregullat e shoqërisë. Ato ecën përpara me një forcë revolucionare, duke hyrë gjithë hijeshi e krenari në një botë që ishte privilegj i burrave. Këto gra ikona dhe shembulli që ato dhanë, u hapën udhën shumë grave të tjerave që i pasuan, duke u lënë trashëgimi frytin e njohurisë, të eksperiencës dhe të imagjinatës së tyre.

Përkthyer nga Ornela Islami. 

Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,139 Lexime
2 vjet më parë