Qendra e Trajnimeve Albas

Trajnim me metoda bashkëkohore

Qendra e Trajnimeve Albas organizoi trajnimin “Mësimdhënia në kurrikulat e reja” në mënyrë të tillë që mësuesit të kishin mundësi të praktikon gjithçka që ata diskutuan teorikisht. Ky trajnim vjen pas shumë trajnimeve të zhvilluara në qytete të ndryshme.

“Mësimdhënia në kurrikulat e reja” është moduli që mblodhi në Qendrën e Trajnimeve Albas mësues të sistemit arsimor parauniversitar duke përfshirë këtu edhe edukatoret e tre grupeve të kopshteve private në Tiranë. Ky trajnim vjen menjëherë pas shumë trajnimeve të tjera të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit. Gjatë rrugëtimit tonë mësuesit kanë treguar interes për trajnimet dhe çështje specifike të procesit mësimor bazuar në kompetenca. Trajnerja e këtij moduli, Natasha Poroçani, është kujdesur që të gjithë mësuesit që marrin pjesë në trajnim të jenë të qartë sa i takon tërësisë së organizimit të orë së mësimit, situatave të të nxënit apo çështjeve specifike që sjellin vetë mësuesit nëpërmjet pyetjeve gjatë seancave të trajnimit.

Të pranishëm në këtë trajnim ishin mësuesit e shkollave profesionale të cilët më parë hasnin vështirësi në punën e tyre të përditshme. Ata zgjodhën të ndiqnin këtë trajnim për të kuptuar se si mund të përmirësonin më tej punën e tyre gjatë vitit të ri shkollor 2018-2019. Hap pas hapi u diskutuan të gjitha çështjet e planifikuara dhe në fund trajnerja kërkoi më shumë kohë për t’ju përgjigjur pyetjeve të mësuesve. Nga ana tjetër vetë mësuesit gjatë pushimit, duke konsumuar një kafe shkëmbyen eksperiencën me njëri-tjetrin.

Mësimdhënia me kompetenca në shtator do të nisë zbatimin në të gjitha kopshtet si pjesë e reformës në arsim. Ky fakt e bën të domosdoshëm ndjekjen e këtij moduli nga mësuesit e tre grupeve të kopshtit. Qendra e Trajnimeve Albas e organizoi trajnimi në mënyrë të tillë që mësuesit të kishin mundësi të praktikon gjatë trajnimit gjithçka që ata diskutuan teorikisht. 


Kompetencat dhe planifikimi ditor u trajtua nga Suzana Janku. Ju kushtua vëmendje e veçantë përgatitjes së mësuesit/edukatorit me plan dhe ditar. E më tej u diskutuan të gjitha çështjet që e përbëjnë mësimdhënien me kompetenca.

Pas një pushimi të shkurtër, salla ndryshoi tërësisht pamje. Koha e praktikës bëri që në qendër të sallës të vendoseshin mjetet e domosdoshme për zhvillimin e një teme në kopsht. 


Stafi u kujdes që në sallë të mos mungonte asgjë që ju nevojitet edukatoreve në kopsht për të shpjeguar temën “Në plazh”. Për pak kohë edukatoret ishin fëmijë të grupit të parë, të dytë dhe të tretë. Nën drejtimin e Rudina Çupit dhe Mirela Terovës atmosfera ndryshoi tërësisht duke ju dhënë mundësi të gjithëve të tregonin se si mund të ndërtohej kjo orë mësimi.

Një nga edukatoret ndërtoi planin mësimor me kompetenca, ndërsa pjesa tjetër përgatitën lojëra të ndryshme të cilat ishin në funksion të temës. Duke marrë parasysh koston, trajnerët u kujdesën që të gjithë lojërat të bëheshin me koston më të ulët të mundshme, duke ju treguar se në çdo kopsht me pak vullnet mund të organizojmë lojëra të ndryshme. 


Gjatë kësaj kohe u përdorën këto mjete: oriz, legen, tepsi, lodra plazhi, kripë, sheqer, ujë, bojëra, shishe, tapa shishesh, gërshërë, mjete didaktike (koha e banjës), duke u mbështetur në tre dosjet e përgatitura për parashkollorin: “Hop – Hop” për fëmijët 3-4 vjeç; “9 Miqtë e mi” për fëmijët 4-5 vjeç dhe “Një hap drejt shkollës” për fëmijët 5-6 vjeç. 

Për tre dosjet, Albas ka përgatitur udhëzuesit përkatës të cilët janë ndërtuar me kompetenca, e cila është metoda me të cilën do të punohet në kopshte duke filluar që nga shtatori. Udhëzuesit janë një ndihmë e madhe për edukatoret por edhe për prindërit. 

Duke u përshtatur me temën në trajnim trajneret zgjodhën nga seria “Koha e Banjës” anijen. Kështu ndërtuam anijen dhe krijuam me 3 miqtë e detit, ndërsa  kafshët pluskojnë në ujë dhe mund të ngjiten në pllakat e banjës, kur janë të lagura. Lodër ideale për t’u argëtuar dhe mësuar.


Në përfundim të trajnimit edukatoret u shprehën entuziaste, falënderuan trajnerët dhe stafin për organizimin teksa na siguruan që të gjitha veprimtaritë që ndoqën do t’i organizojnë me fëmijët në kopshtet e tyre. Për ju që nuk ishit të pranishëm do sjellim këto veprimtari: 

“Goja” e kapëseve të rrobave

Kapëset e rrobave janë mjet i përkryer për veprimtaritë që synojnë zhvillimin e vogël motorik. Ato mund të kapen te sende të tjera: kuti kartoni, enë, kube, rroba, letra etj., ose me to të kapen sende më të vogla, si toptha pambuku (me ngjyra), kopsa, shuka të vogla letre etj.


Vendosni një litar duke ia lidhur dy skajet në dy mure përballë njëri-tjetrit ose në dy

tavolina. Përgjatë litarit në dysheme vendosni tulla, kova të përmbysura apo sende të tjera për të realizuar një lojë ekuilibri. Fëmijët kalojnë mbi sende duke u mbajtur te litari e duke kënduar vargjet:

“Hop-la-la për litari, mbahem fort si marinari”.


Plazh në tepsi

Në një tepsi të gjerë hidhni pak rërë të situr, të cilën më parë njomeni me pak ujë (nëse doni të bëni rërë kinetike, e cila është lehtësisht e punueshme si plastelinë, përzieni 4 gota rërë me 1 gotë niseshte, dy lugë larës enësh dhe gjysmë gote ujë). Në njërën anë të tepsisë mund të shtroni qeska të zakonshme bojëqielli (për të krijuar idenë e detit). Krijoni varka letre, peshq, guaska, çadra plazhi, shapka, shezlongë etj. (ose përdorni sende-lodër). Fëmijët do t’i vendosin ato aty ku duhet (në det ose në breg). Për ta përshtatur veprimtarinë me kërkesën, pasi fëmijët të kenë vendosur sendet, u thoni të mbyllin sytë. Ndërkohë ju vendosni në tepsi sende, si lapsa, libra, fruta etj. Fëmijët hapin sytë, i gjejnë dhe i largojnë ato.


Fëmijët numërojnë objektet në tepsinë me rërë dhe brenda në shishen që krijuan një ditë më parë. Më pas, ata numërojnë sendet që duan në natyrë (pemët në oborr, dritaret etj.) ose në mjedisin e kopshtit.


Lojë. Gara me varka. Krijoni varka prej letre me palosje dhe udhëzojini fëmijët t’i vendosin në një legen me ujë dhe t’u fryjnë. Varka që prek e para skajin tjetër të legenit del ftuese. Lojën e luajnë të gjithë fëmijët.


Deti në shishe

Shishet që kanë sjellë fëmijët mbushini me ujë, të cilin e keni ngjyrosur me ngjyrues ushqimor blu ose me pak bojë uji blu. Fëmijët futin në të sende të imta, si guaska, kopsa, fara fasulesh etj. Më pas, në grupe dyshe ata e rrotullojnë shishen dhe numërojnë sendet që arrijnë të shohin duke i treguar me gisht.

Trajnimet në Albas vijojnë, nëse dëshironi të jeni pjesë e trajnimit të së shtunës, me 30 qershor, na kontaktoni në: [email protected] ose në numrin e telefonit 0697070480. Ju presim!


Albas, me ne më pranë dijes!


(Portali Shkollor)

3,796 Lexime
6 vjet më parë