KAMERAT NË SHKOLLA

Vendosni kamera nëpër shkolla!

Pajisni çdo klasë me kamera. Vendosni ato jo me qëllimin e vetëm për të parë të shëmtuarën, negativen, të pështirën. Vendosni dhe shihni heronjtë e përditshmërisë.

Vendosni kamera nëpër shkolla.

Vendosini urgjent ato! Më të mirat, më të kthjelltat. Zgjidhini me rezolucionin më të lartë, sepse përndryshe kurrë nuk keni për të parë atë çka ndodh në minutat e orët e mësimit. 

Vërini kamerat nëpër klasa e çdo mëngjes do të shihni mësuesen që mbledh nxënësit me krahët hapur, me buzëqeshje, me përkëdhelje. I mbledh një e nga një, edhe atë që është ulur në oborr e është harruar në mendime, edhe atë që po merret me çantën duke u përpjekur të kujtojë në e ka marrë fletoren e detyrave apo e ka harruar mbi raft. Ka një buzëqeshje edhe për çamarroken e vogël që në pikë të mëngjesit i ngjitet shpinores së stolave. 


Pastaj do ta shihni kur ulet pranë atij nxënësit ndryshe. Atij që e lodh më shumë, atij që e mundon, që një ditë e bëri të derdhë lotë, që i foli ashpër, atij që i ka borxh ca thinja mbi ballë. I ulet për ta qetësuar. Është mësuese, nuk e harron kurrë misionin e saj, pavarësisht dëshirës së herëpashershme për ta flakur tej përparësen e shkollës e për të veshur atë të amvisës. 


Do të zbuloni gra e burra që buzëqeshin, edhe pse dita e jeta mund t’u ketë servirur dhimbje, lodhje, mëri. Do t’i shihni që pas derës së klasës kanë lënë hallet e veta dhe mbase për të njëqindën herë shpjegojnë e rishpjegojnë për atë nxënësin e bankës së fundit që ende nuk e ka kuptuar ekuacionin me një ndryshore. Dhe çuditërisht, që përtej kamerave do t`ju duket si pëshpërimë, sepse zëri i mësuesit është i lehtë, i butë, i ëmbël si të dilte nga parajsa. 


Nëse do të vëzhgoni që përtej kamerave, do të kuptoni lehtësisht  se cila nga ato është nëna, ndërsa pastron mjetet e punës, rregullon raftet, sistemon fletoret, u mbërthën të vegjëlve bluzat e xhupat, u drejton flokët e shprishur. E ndërsa i bën tërë këto asnjëherë buzëqeshja nuk zhduket nga fytyra ndonjëherë tepër e lodhur. Sepse përgjatë këtij procesi  mësuesi merr e jep dashuri.


Vërini kamerat në klasa por për të parë heronjtë e përditshmërisë, njerëz që e duan jetën, sidomos në formën e saj më të brishtë, që çdo ditë sforcohen për ta bërë më të bukur, më magjike, për ta kthyer godinën me nxënës në një shkollë. Shihni kamerat dhe do ta kuptoni që kjo nuk është aspak e lehtë. Do t’i gjeni në kërkim të mënyrave, rrugëve, strategjive për të ndryshuar vektorët e jetës duke riformatuar ditët e të vegjëlve. 


Kjo është shkolla. Pajisni çdo klasë me kamera. Vendosni ato jo me qëllimin e vetëm për të parë të shëmtuarën, negativen, të pështirën. Vendosni dhe shihni heronjtë e përditshmërisë. 


(Natasha Poroçani Shuteriqi për Portalin Shkollor)

14,309 Lexime
5 vjet më parë