Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2022/ Vlerësohen botimet e ALBAS “Hoteli përbri kishës” dhe "Tezja dhe shkopinjtë magjikë"
Ndër protagonistët kryesorë të letrave shqipe për vitin 2022 janë përzgjedhur Behar Jaçaj dhe Edi Gogu, përkatësisht me veprat “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”, që mori çmimin si “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” dhe "Tezja dhe shkopinjtë magjikë" si "Libri më i mirë për fëmijë i vitit".
ALBAS u vlerësua me dy çmime në ndarjen e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2022, zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit.
Çmimi “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” iu dha Behar Jacaj për librin “Hoteli përbri kishës” me motivacionin: “për një pasqyrim psikologjik të pështjellimit të botës së brendshme të njeriut të kohërave të sotme, përmes një rrëfimi të zhdërvjellët, me gjuhë të pasur dhe situata befasuese”.
Çmimi “Libri për fëmijë më i mirë i vitit” iu dha Edi Gogu për librin “Tezja dhe shkopinjtë magjikë” me motivacionin: “për një shkrim plot fantazi që nxit imagjinatën dhe i fut fëmijët në botën e ëndrrave”.
Më datë 27 dhjetor, pikërisht në ditën e kujtesës për poetin e madh kombëtar Lasgush Poradeci është zhvilluar edhe ceremonia e shpalljes së fituesve, ku ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Ilva Margariti, drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, shkrimtarë, poetë, përkthyes, studiues dhe njerëz të kulturës.
Çmimet vjetore në fushën e letrave organizohen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si pjesë e Ministrisë së Kulturës. QKLL ngre një juri në përbërjen e së cilës janë personalitete të njohura të studimit, pedagogë, krijues, poet dhe gazetarë të fushës së kulturës. Juria mblidhet 3 muaj përpara duke marrë në shqyrtim të gjithë krijimtarinë letrare të vitit paraardhës. Prej dy ditesh është rritur numri i kategorive për të cilat jepet çmimi letrar: Tashmë, vlerësohen me çmime romani, poezia, tregimi, studimi, letërsia për fëmijë dhe përkthimi nga gjuhë të huaja në shqip, ku kryesisht përzgjidhet romani i huaj. Çmimet letrare vlerësohen nga QKLL dhe shërbejnë edhe si promovues të veprave fituese.
Çmimet
Juria e kryesuar nga Akademik Mehmet Kraja, me anëtarët Saverina Pasho, Shezai Rrokaj, Mimoza Hyza, Aida Tuci, ka shpallur më të mirët e vitit në kategoritë: Romani shqip, poezia shqipe, letërsia për fëmijë, proza e shkurtër, vepra studimore dhe përkthimi i vitit.
Mes mijëra titujsh juria vendosi si më poshtë:
Çmimi "Romani më i mirë i vitit": Stefan Çapaliku me romanin "Një engjëll veshë me frak".
Çmimi "Vëllimi më i mirë poetik i vitit": Olimbi Velaj për librin "Lumturia e të tjerëve".
Çmimi "Përkthimi më i mirë i vitit": Mira Meksi për librin "Vjeshta e patriarkut", G. G. Marquez.
Çmimi "Vëllimi më i mirë me tregime i vitit": Behar Jacaj për librin "Hoteli përbri kishës".
Çmimi "Vepra më e mirë studimore letrare e vitit": Xhevat Lloshi me librin "Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip".
Çmimi "Libri për fëmijë më i mirë i vitit": Edi Gogu për librin "Tezja dhe shkopinjtë magjikë".
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur