Intervistë

“3 lëndë në 6 orë, procedura e zbatimit jashtë çdo kriteri”

Metodologjitë me të cilat janë zhvilluar dhe zhvillohen në Kosovë, por edhe në Shqipëri, fëmijët e Kosovës e të Shqipërisë janë shndërruar në "mi"- kavje eksprerimentale me pasoja të pariparueshme për kombin.

Portali Shkollor ka zhvilluar një bisedë me z. Halim Hysenin, i cili është njohës i mirë i arsimit në Kosovë. Ai analizoi udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas të cilit, në sistemin arsimor parauniversitar, do të zhvillohen çdo ditë tri lëndë në gjashtë orë. Hyseni thotë se kjo ide mund të rezultojë e suksesshme, por mënyra e implementimit të saj është tërësisht e gabuar dhe jashtë çdo kriteri profesional e shkencor. Paraprakisht, sipas tij, duhej të ishin bërë studime të mirëfillta, diskutime e praktikë në disa shkolla e më pas të shtrihej në të gjithë vendin. 


Z. Hyseni, a e keni parë propozimin e fundit të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri për organizimin e orëve të mësimit? Si e komentoni ju?

Dëgjova fluturimthi për propozimin për të cilin ju pyesni.  E kam shumë të vështirë që të gjykoj për vlerën e idesë dhe për efektet eventuale të propozimit, sepse më mungojnë informacionet për klasat, nivelet e arsimit sipas ISCED-it, lëndët mësimore sipas fushave kurrikulare etj. 


Propozimi si propozim nuk mund të atakohet, sepse sipas DELFI PLANIFIKIMIT, idetë më të "çmendura" kanë rezultuar si më largpamëse. Por ajo të cilën unë nuk e pranoj është procedura e pranimit dhe zbatimit të saj, e cila është jashtë çdo kriteri profesional dhe shkencor. Me metodologjitë me të cilat janë zhvilluar dhe zhvillohen në Kosovë, por edhe në Shqipëri, fëmijët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë shndërruar në "mi"- kavje eksperimentale me pasoja të pariparueshme për kombin. 


Cila do të ishte rruga e drejtë për zbatimin e këtij propozimi?

Për zbatimin e këtij propozimi duhet zhvilluar një studim i mirëfilltë. Të gjitha reformat në Shqipëri dhe në Kosovë janë zhvilluar me metodën BLACKBOX- metodën e Kutisë së Zezë, që thënë më thjesht, reformat janë bërë pa e ditur gjendjen reale apo terapia është dhënë pa bërë diagnostikimin e saktë. 


Kështu ka ndodhur me kornizën kurrikulare të Kosovës të bazuar në kompetenca, e cila ka dështuar. Me gjasë do të dështojë edhe në Shqipëri, sepse, as Kosova e as Shqipëria, nuk e kanë të qartë se inovacionet dhe reformat edukative e arsimore nuk mund të importohen nga një vend i zhvilluar në një vend në zhvillim apo të pa zhvilluar. Korniza kurikulare e bazuar në kompetenca ka pasur për qëllim qasjen integrale e jo monodisplinare, që do të thotë ndërmjet të tjerash edhe uljen e mbingarkesës e peshës së çantave, duke zvogëluar numrin e lëndëve me çka do të mbroheshin fëmijët tanë nga skolioza dhe kifoza. 

Te ne, në Kosovë, ka ndodhur e kundërta. Është rritur numri i lëndëve, e që do të prodhojë rritjen akoma më të madhe të peshës së çantave. 


A është efektiv ky propozim?

Propozimi nuk më duket i qëlluar, sepse kjo "risi" e ka për qëllim vetëm uljen e peshës së çantave. Propozimi i dhënë, sipas mendimit tim, do të mbingarkojë nxënësit. Zhvillimi i bllok orëve do të ndikojë në humbjen e atraktivitetit të mësimit, i cili më pas do përkeqësojë cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit. 


A ka shembuj të ngjashëm ne vende të tjera që zbatohet kjo formë organizimi?

Problemi i peshës së madhe të çantave nuk është vetëm i Kosovës dhe i Shqipërisë. Ka shumë forma që të zgjidhet ky problem. Shumë vende këtë çështje e kanë zgjidhur me ligj, (p.sh.: MALTA) me të cilin është paraparë pesha e çantës që duhet të jetë në përputhje me moshën e fëmijëve. Po ashtu është paraparë forma dhe mënyra e mbajtjes së saj, përgatitja e saj etj.


Më shqetëson mënyra e marrjes së vendimit nga instanca të larta ekzekutivo – administrative. Kjo mënyrë për mua është e papranueshme. Armiku më i madh i ndryshimeve cilësore në edukim dhe arsim është inkompetenca e forcave - agjentëve të ndryshimit - mendjes së pashkolluar, të cilët nuk munden të depërtojnë në thellësinë shumë komplekse dhe të ndërlikuar të reformave arsimore. 


Mendoj se:

1.  Propozimi duhet studiuar deri në thellësi - që do të thotë se kjo çështje duhet të jetë objekt i analizave të thella të ekspertëve të profileve të ndryshme (pedagogëve, psikologëve, sociologëve, filozofëve, juristëve ...).

2. Duhet të definohet qëllimi moral i këtij propozimi (përfitime që do t'i kenë nxënësit, familjet dhe shoqëria nga ky ndryshim).

3. Duhet të hartohet një projekt i cili duhet të jetë objekt i një debati të gjerë (prindërve, mësimdhënësve, nxënësve, medieve pamore dhe të shtypura, ekspertëve dhe të institucioneve përkatëse).

4. Propozimi të pilotohet në një kampion të strukturuar social (rural- urban)

5. Të monitorohet dhe vlerësohet zbatimi i faktorit eksperimental- me kritere dhe standarde paraprakisht të përcaktuara.

6. Të përgatiten raporte me argumente bindëse dhe shkencore, së bashku me rekomandime.


Ky është itinerari për të bërë ndryshme pozitive në edukim dhe në arsim. Shmangia e kësaj rruge katërçipërisht çon në dështimin e nismave reformuese, andaj të gjitha nismat reformuese edhe në Kosovë edhe Shqipëri kanë qenë arnime dhe, si pasojë, nuk dihet çfarë është thes e çfarë është arnë.


(A. Hoxhaj, Portali Shkollor)

10,821 Lexime
6 vjet më parë