50 nxënësve të konviktit “Jakov Xoxa” iu mohohet bursa

“Fiks Fare” solli këtë të premte rastin e 50 nxënësve të konviktit “Jakov Xoxa” të cilëve iu ishte mohuar bursa prej 5 muajsh.

Gjatë gjithë kësaj kohe, këta nxënës kanë qëndruar në konvikt, për çka ju është kërkuar të paguajnë konviktin dhe ushqimin me paret e tyre.

“Bursat zakonisht kanë dalë që në dhjetor, ndërsa këtë vit nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje. Na thonë që bursën e kanë marrë vetëm 6 nxënës që janë me bursë të plotë dhe 6 të tjerë që janë me bursë të pjesshme. Jemi të detyruar të paguajmë të gjitha muajt që kemi qëndruar atje ndërkohë që nuk kemi paguar asnjë lekë sepse deri më sot na kanë thënë që ju të gjithë do ta merrni bursën”, tha njëra prej nxënësve.

Një tjetër nxënës që duhej të përfitonte bursën kërkoi që nëse nuk bëhet asgjë në lidhje me bursat, atëherë “të paktën të na i falin këto pesë muaj që kanë kaluar”.

Për shkak të kushteve të rënda financiare dhe pa ndonjë të ardhur, nxënësit thanë se do të detyrohen që të lënë shkollën dhe konviktin dhe të kthehen në shtëpitë e tyre, në rast se Bashkia e Fierit nuk iu jep bursën.

Por, pse bashkia nuk jua dha bursat këtyre nxënësve? “Janë kriteret që ata kanë vendosur. Sipas tyre të gjithë ata që nuk marrin bursë nuk duhet të kenë tokë, duhet të jenë me ndihmë ekonomike dhe duhet të kenë prindërit të pa punë”,tregon nxënësja.

Edhe drejtoresha e konviktit “Jakov Xoxa”, Ermioni Çuko, tha se është informuar zyrtarisht nga bashkia që ky grup nxënësish nuk e kanë fituar bursën.

Mua nuk më erdhi mirë sepse unë përgatita të gjitha dokumentet, ia kam çuar drejtorisë përkatëse për të gjithë nxënësit, por nuk u miratua asnjë bursë fatkeqësisht. Tani këta më kanë penalizuar të gjithë punën”, tha ajo.

“Fiks Fare” iu drejtua Drejtorisë së Arsimit pranë Bashkisë Fier për të marrë një sqarim se pse këta nxënës nuk janë fitues të bursave.

Adriana Mile, drejtoreshë, duke u thirrur në vendimin e Këshillit të Ministrave që specifikojnë qartë kriteret ekonomike për nxënësit të cilët duhet të përfitojnë bursat njoftoi se nxënësit që i janë drejtuar “Fiks Fare” vijnë nga familje fermere që janë trajtuar me tokë por që nuk kanë përfituar ndihmë ekonomike.

Megjithatë, ajo kishte një lajm të mirë për të gjithë nxënësit. “Duke qenë se nxënësit që janë paraqitur vijnë nga familje në nevojë, kryetari i bashkisë pas takimit me këta nxënës, ka marrë vendim që të gjithë këta nxënës që janë akomoduar deri më sot në konvikt do të vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe nuk do t’ju shkëputet trajtimi financiar dhe ushqimor”, tha Mile.

(Top Channel)

2,366 Lexime
8 vjet më parë