MBI ARSIMIN E LARTË

A është shenjë e mirë që të gjithë maturantët duan të jenë studentë?

Pse të mos e mësojmë një fëmijë që nëse nuk ka aftësi për shkollë duhet të ketë aftësi për punë? Kaq e vështirë është të pranosh që jo të gjithë janë të prerë për shkollë?

Arsimimi i të rinjve vazhdon të jetë prioritet në Shqipërinë e evolucioneve të çuditshme. Nëse fill pas vitit 2000 ishin prindërit ato që domosdoshmërisht kërkonin një shkollë për fëmijët, sot rrethi i të interesuarve është më i gjerë. Po të kërkonim mbi arsyet e këtij ndryshimi, sigurisht që nuk do të gjenim arsye të kënaqshme, por do të mbeteshin brenda evolucionit shqiptar gati gati unik në llojin e tij. Akreditimi dhe emërtimi i institucioneve arsimore në Shqipëri, ka prekur në mënyrë delikate sedrën shqiptare, e cila adhuron fasadën. Shkolla dhe universitetet të cilat mbijetuan në Shqipëri, iu kanë ngulitur në mendje shqiptareve bindjen se është popull arsimdashës. Këtë bindje çdo prind i një fëmije 7-12 vjeç e hedh poshtë, sepse ka faktin e vuajtjes së përgatitjes së fëmijës për shkollë në mëngjes. Madje vetë emërtimi i arsimit bazë "arsim i detyrueshëm" e konfirmon këtë. 


Çfarë "e detyron" një fëmijë të shkojë në shkollë? 

Dëshira për të mësuar, rregullat e një shoqërie apo urdhëri prindëror. Ja pra që, në themel të arsimimit të një individi, ne kemi probleme. Shumë mirë arsimin 9- vjeçar mund ta konsideronim "nivel i domosdoshëm", por kurrsesi arsim i detyrueshëm. Parimisht nuk jemi në rregull.


Çfarë peshe kanë të arsimuarit në Shqipëri, kur faktikisht ai është arsim i orientuar nga fillimi deri në fund? Fakte?

Po, urdhëroni;

-Në Shqipëri mami, babi, gjyshja...zgjedhin mësuesen që "bën" për fëmijën e tij që në klasë të parë (pa llogaritur çerdhen apo kopshtin)

- Në Shqipëri gjimnazet publike ende reklamohen dhe glorifikohen pavarësisht çfarë ofrojnë.

- Në Shqipëri nxënësit i thuhet që duhet të studiojë në gjimnazin e lagjes, fshatit, njësisë administrative të vet dhe për më tutje duhet të rrokullisë ca gurë.

- Në Shqipëri talenti nuk të bën student por aspirant për një punë në të ardhmen.

E pra , jemi nga ato popuj që i rrëzojmë frytet me gurë e nuk hipim gradualisht në pemë.

Po çfarë pasojash ka ky realitet? Ku na çon kjo e vërtetë?

Ndoshta edhe gaboj, por mendoj që edhe për shumë vite do të jemi arsimdashës të mëdhenj, por që statistikisht mbi 50% jona do të mbetet studentë për gjithë jetën dhe mbi 40% e punësuar jo në atë drejtim që është arsimuar.


Arsyeja??? Arsimi i detyrueshëm, zgjedhja e shkollës, mungesa e dëshirës për arsim që përputhet me aftësitë. Fajtorë???

Secili nga ne...

A është shenjë e mirë që të gjithë maturantët duan të jenë studentë? Unë them që është kaos. Sepse nëse tekniku i lavatriçes të djeg lavatriçen sepse u bë si u bë teknik, profesione të tjera që përfitohen nga të drejta studimi të pamerituara luajnë me jetën dhe të ardhmen e individit.


Nuk e them pa dhimbje këtë të vërtetë. Më dhemb vendi im, realiteti që ai kultivon. 


Pse të mos i mësojmë fëmijët të duan shkollën, të paktën sa gjysma e asaj që duan nga celularët e tyre, që edhe ligji nuk ua heq dot nga duart? Pse të mos i mësojmë që shkolla është institucion nga ato ku punohet për të siguruar të ardhmen? Pse të mos e mësojmë një fëmijë që nëse nuk ka aftësi për shkollë duhet të ketë aftësi për punë? Kaq e vështirë është të pranosh që jo të gjithë janë të prerë për shkollë?



(Alma Mara; Portali Shkollor)

2,210 Lexime
4 vjet më parë