Tabela e shpërblimeve

A jeni gati për detyra verore?

Shkollës po i vjen fundi, duke i lënë vendin argëtimit dhe pushimeve të gjata e përvëluese. Ajo ҫ’ka shumica e mësuesve bëjnë në përfundim të shkollës është dhënia e detyrave për t’i kryer gjatë verës. A i realizojnë nxënësit detyrat që marrin?

Shkollës po i vjen fundi, duke i lënë vendin argëtimit dhe pushimeve të gjata e përvëluese. Ajo ҫ’ka shumica e mësuesve bëjnë në përfundim të shkollës është dhënia e detyrave për t’i kryer gjatë verës.


Lind pyetja: A i realizojnë nxënësit detyrat që marrin?


A janë të domosdoshme detyrat gjatë pushimeve?

Nxënësit harrojnë informacione të vlefshme gjatë verës. Kur nxënësit nuk janë më në shkollë për dy muaj apo më shumë, ata nuk mësojnë më informacione të reja ose nuk sfidohen për të zbuluar gjëra të reja. Detyrat verore i ndihmojnë nxënësit të punojnë sipas kushteve të tyre, i shtyn ata që të bëjnë gjërat me afatin e caktuar nga ata vetë dhe i ndihmon ata të mbajnë informacionin e rëndësishëm që nxënësit mund ta harrojnë pak javë pasi ata janë liruar nga shkolla. Pa detyrat  verore, nxënësit nuk do të mbajnë mend atë që mësojnë gjatë vitit shkollor. Ajo ҫ’ka mësuesit përballen në fillim të shkollës është përsëritja edhe një herë e temave të caktuara për të bërë lidhjen e mësimit të ri më atë që nxënësit supozohet se duhet të dinë.


Një mundësi shumë e mirë është regjistrimi i fëmijëve nëpër kurse verore dhe angazhimi i tyre në sa më shumë aktivitete, por jo shumë prindër kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Është detyra e mësuesit të aktivizojë nxënësit gjatë verës së gjatë. Ata nuk duhet të mjaftohen duke u thënë nxënësve lexoni këtë libër gjatë verës ose bëni këto detyra, por duhet të bëjnë një punë më të organizuar, duke i siguruar nxënësit për sisteme shpërblimi. Nga përvoja ime si mësuese e ciklit të ulët kjo metodë ishte dhe vazhdon të jetë tepër efektive dhe e suksesshme.


Detyrat e verës duhet të jenë të larmishme:

- Vizatime

- Ngjyrosje

- Ushtrime

- Krijime

- Analizime

- Të zbatojnë njohuritë e marra

- Krahasime, (Taksonomia e Blumit)


Kur mësuesi krijon “paketën” e detyrave verore të cilën e mendon paraprakisht dhe e organizon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe më tërheqëse për nxënësit, këta të fundit i mirëpresin detyrat e verës.


Ajo që është më e rëndësishmja dhe që shumë mësues nuk e bëjnë është vlerësimi i këtyre detyrave në shtator. Bashkangjitur me detyrat e verës, mësuesi duhet t’u këtë dhënë nxënësve edhe tabelën e vlerësimit bashkë me çmimin që fiton. P.sh.:


PIKËT NOTA SHPËRBLIMI
91-100 10 Top futbolli ose volejbolli që të mund të luaj në kohën e lirë
81-90 9 Bojëra akuarel që të mund t’i përdorë gjatë punimeve në klasë ose në shtëpi
71-80 8 Puzzle me personazhin e preferuar që të argëtohet me shokët 
61-70 7 Bllok shënimesh ose ditar ku mund të shkruaj për ditën që kaloi ose ngjarjet që i pëlqejnë
51-60 6 Lapsa me ngjyra
41-50 5 Libër me përralla
0-40 4 Vizore ose gomë


Ajo që nxënësit shohin të parën është padiskutim pjesa që tregon shpërblimin sepse është pikërisht ky i fundit ai që i “ngacmon” nxënësit t’i kryejnë detyrat. Shpërblimet mësuesi i krijon vetë sipas mundësive ekonomike që ka, por duke i mirë menduar dhe duke ditur se çfarë i tërheq nxënësit. 


Kur nxënësit i jepet edhe tabela me çmimin që fiton ai ndjehet i detyruar t’i kryejë detyrat më së miri, sepse në krye të tabelës qëndron një çmim që të gjithë fëmijët e duan, “TOPI”.

Kjo mënyrë është shumë e mirë dhe e provuar. Ju siguroj të dashur kolegë që në fillim të vitit të ri shkollor do të keni nxënës që nuk kanë harruar asnjë fjalë të shpjegimit tuaj dhe nxënës që janë gati për t’u futur në një klasë më lart. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, ASNJË nxënës të mos lihet pa shpërblim sado i vogël që të jetë, sepse ndikon negativisht në vetëvlerësimin e tij\saj.


(Klodjana Gega, mësuese e ciklit të ulët; Portali Shkollor)

3,592 Lexime
5 vjet më parë