Arsimi, MASH marrëveshje bashkëpunimi meWoogi International

Në vendet e lartpërmendura , kjo lojë ka treguar efekt të dyfishtë: Krijimi i një shpirti sipërmarrës në mesin e të rinjve nga një moshë të re dhe përmirësimi i gjuhës angleze

MASH dhe Woogi International (WI – IT kompani nga SHBA) sot nënshkruan Memorandum bashkëpunimi  për implementimin e projekteve të përbashkëta në arsimin fillor dhe të mesëm.

Projekti ka për qëllim futjen e një aplikimi  të  projektuar për të rritur nivelin e gjuhës angleze dhe sipërmarrjes përmes lojës dhe  përcjelljes me kohë  nga mentorë të moshës së njëjtë tek të cilët gjuha angleze  është gjuhë amtare, përmes krijimit të një grupi të përbashkët në lojë duke komunikuar me njëri-tjetrin për të përmirësuar nivelin e gjuhës angleze. Aplikacioni i krijuar nga kjo Kompani tani më përdoret në disa vende si SHBA, Kanada , Brazil dhe Kinë.

“Qëllimi i aplikacionit është që nxënësit që në moshë shumë  të re të futen në botën e sipërmarrjes, me ç’rast struktura e aplikacionit është bërë në disa faza dhe mosha të ndryshme. E njëjta shfrytëzohet për fëmijë e moshës parashkollore deri në arsimin e mesëm. Në vendet e lartpërmendura , kjo lojë ka treguar efekt të dyfishtë: Krijimi i një shpirti sipërmarrës në mesin e të rinjve nga një moshë të re dhe përmirësimi i gjuhës angleze” theksoi ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.

Përmbajtja e kursit është e akredituar nga Universiteti në  Kaliforni , ku i njëjti pas përfundimit të kursit ndanë diploma.

Ministri Ademi theksoi se “niveli i  gjuhës angleze gjithashtu do të vlerësohet sipas  standardeve  TESOL, ku çdo nxënës do të marrë diplomë me nivelin e  njohurive të gjuhës angleze”.

Në Fazën e Parë (pilot projekti) do të organizohet garë mes nxënësve nga  SHBA- ja, Kanada, Brazil dhe Kina. Gara do të fillojë në qershor të këtij viti dhe do të zgjasë dy muaj.

Paraprakisht, në mars, nga ana e Kompanisë do të trajnohen këshilltarët e BZHA-së me qëllim të njoftimit me aplikacionin dhe mënyrën e përdorimit të tij. Nxënësit në këto dy muaj gjatë garës do të jenë të lidhur me njëri-tjetrin online duke formuar ekipe të përbashkëta me nxënësit nga të gjitha pesë vendet dhe së bashku dhe do të garojnë me ekipet e tjera.

Pilot-programi do të sigurojë bazën dhe të dhëna për suksesin e analizës për zgjerim eventual të së njëjtës për nxënësit e gjithë shkollave fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë .

Programi i propozuar do të zgjasë rreth 2.5 muaj (15 qershor – 31 gusht) dhe është falas  për të gjithë nxënësit të cilët do të jenë pjesë e pilot projektit.

Nga RM do të konkurrojnë pesë shkolla fillore dhe një shkollë të mesme ku nxënësit e shkollave të mesme mund të jenë mentorë për nxënësit e vendeve tjera, nëse ata plotësojnë kushtet e parashikuara nga standardet TESOL.

“Nxënësit do të kenë mundësi për t’u inkuadruar në programin online edhe nga lokacione të ndryshme me ç’rast  gjatë verës do të mund të punojnë nga shtëpitë e tyre”, tha Ademi.

Sipas tij, me këtë memorandum, Ministria e Arsimit dhe Shkencës  nga Kompania fiton qasje dy-vjeçare pa pagesë  të programit ku të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit do të mund të përcjellin fëmijët ose nxënësit e tyre se si përparojnë në mësimin e gjuhës angleze dhe shkathtësitë  për sipërmarrje.

“Përmes sistemit të përdorimit të aplikacionit, MASH, shkollat dhe prindërit në çdo kohë do të njoftohen për vlerësimin dhe problemet eventuale të nxënësve. Ky shërbim  për nxënësit do të sigurohet dhe do të jetë në dispozicion 24/7 gjatë pilot programit”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi.

Ai shprehu shpresë se pret pranimin dhe kontributin e të gjitha shkollave. Ky projekt, siç theskoi Ademi përputhet me prioritetet dhe qëllimet e MASH-së, edhe atë, të mësuarit e gjuhës angleze, të fituarit e shkathtësive  sipërmarrëse të nxënësve, punë në ekipe, metoda të reja të të mësuarit, motivim për krijimtari dhe inovacion.

“Përmes implementimit  të këtij projekti gjithashtu do të promovohet arsimi ynë dhe nxënësit do të mësojnë të respektojnë diversitetin”, u shpreh ministri Ademi gjatë promovimit të projektit për mësimin e gjuhës angleze dhe aftësive për sipërmarrje përmes lojës online.

 (Portalb)

2,054 Lexime
8 vjet më parë