Ligji

Arsimi parauniversitar, terma dhe përkufizime

Arsimi në Republikën e Shqipërisë është përparësi kombëtare. Ai realizohet në përputhje me parimet e sanksionuara në legjislacionin në fuqi, mbështetet në traditat e arritjet e shkollës sonë kombëtare.

Qëllimi i sistemit arsimor parauniversitar


1. Sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim krijimin e kushteve dhe mundësive që nxënësit:

a) të ndërtojnë dhe të zhvillojnë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera që

kërkon shoqëria demokratike;

b) të zhvillohen në mënyrë të pavarur e të gjithanshme;

c) të kontribuojnë në ndërtimin dhe mirëqenien vetjake dhe të shoqërisë shqiptare dhe të përballen në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës.


2. Në arsimin parauniversitar nxënësit:

a) kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore;

b) përvetësojnë vlera të përgjithshme kulturore dhe qytetare;

c) zhvillohen në aspektet intelektuale, etike, fizike, sociale dhe estetike;

ç)zhvillojnë përgjegjësi ndaj vetes, ndaj të

tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit;

d) aftësohen për jetë dhe për punë, në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore;

dh) aftësohen për të nxënë gjatë gjithë jetës;

e) zhvillojnë shpirtin e sipërmarrjes;

ë) përdorin teknologjitë e reja.”


Terma dhe përkufizime


1. "Arsimi parauniversitar" përfshin nivelet arsimore me kodet 0, 1, 2 dhe 3, sipas

"Klasifikimit Ndërkombëtar Standard të Arsimit", të miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në sesionin e 29-të të saj, në nëntor 1997, përkatësisht:

a) "Niveli me kodin 0", arsimi parashkollor;

b) "Niveli me kodin 1", arsimi fillor;

c) "Niveli me kodin 2", arsimi i mesëm i ulët; 

ç) "Niveli me kodin 3", arsimi i mesëm i lartë.

2. "Arsim në distancë" është mënyrë arsimimi, ku pjesa më e madhe e procesit mësimor

kryhet kur mësuesi dhe nxënësi nuk janë zakonisht në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë dhe realizohet kryesisht me ndihmën e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit.

3. "Fushë e të nxënit" është një lëndë ose bashkësi lëndësh që shqyrtojnë realitetin nga

këndvështrime të caktuara.

4. "Gjimnaz" është shkolla e mesme e përgjithshme.

5. "Institucion arsimor" është kopshti ose shkolla.

6. "Institucion arsimor plotësues" është institucioni që pasuron përvojat mësimore dhe

jetësore të nxënësve.

7. "Këshilli i prindërve" është organ i përbërë nga përfaqësues të prindërve të nxënësve të institucionit arsimor.

8. “Kurrikula” është sistem i përbërë nga disa elemente, si: korniza, kurrikulare, kurrikula

bërthamë, programet mësimore, vlerësimi, që, të lidhura mes tyre, lejojnë të orientohet dhe të funksionojë sistemi arsimor, nëpërmjet planeve arsimore dhe administrative. Kurrikula siguron arsimim cilësor dhe të barabartë për çdo pjesëtar të shoqërisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, seksi, pozita shoqërore.

9. "Kornizë kurrikulare" është dokumenti themelor i kurrikulës, ku përshkruhen synimet e

përgjithshme të saj, kompetencat themelore, rezultatet e pritshme për nxënësit, për sa i përket dijeve, aftësive dhe qëndrimeve në fund të arsimit bazë dhe atij të mesëm të lartë, synimet e fushave të të nxënit dhe parimet e përgjithshme të procesit të mësimdhënies e nxënies e të vlerësimit të nxënësve.

10. “Kompetenca themelore” është kompetenca, për të cilat kanë nevojë të gjithë individët për plotësim dhe zhvillim vetjak, për qytetari aktive, për përfshirje shoqërore dhe për punësim.

11. "Kopsht" është institucioni arsimor që ofron shërbim arsimor të nivelit me kodin 0.

12. “Kurrikula bërthamë” është kurrikul e përbashkët për të gjithë nxënësit e një niveli

në sistemin arsimor.

13. "Ministri" është ministri që mbulon çështjet e arsimit parauniversitar.

14. "Ministria" është ministria që mbulon çështjet e arsimit parauniversitar.

15. "Mësues" është personi që ka fituar të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesisë në arsimin parauniversitar.

16. "Nxënës" është personi që arsimohet në arsimin parauniversitar.

17. "Nxënës me aftësi të kufizuara" është personi, i cili ka dëmtime afatgjata fizike,

mendore, shqisore, të sjelljes ose të kombinuara, që, në ndërveprim, mund ta pengojnë të marrë pjesë në mënyrë të plotë dhe të barabartë në arsimimin e tij dhe në jetën shoqërore.

18. "Partner social" janë sindikatat, me të cilat ministri nënshkruan kontratën kolektive të

punës.

19. “Program mësimor” është dokumenti që përmban synimet, objektivat dhe rezultatet e të nxënit, metodologjitë e të nxënit dhe të vlerësimit për një lëndë ose fushë të caktuar.

20. "Shkollë" është institucioni që ofron shërbim arsimor për nivelet me kodet 1, 2, 3.

21. "Shkollë private" është shkolla jopublike, e cila nuk themelohet, financohet dhe

administrohet nga qeveria qendrore ose vendore.

22. "Veprimtari plotësuese" janë veprimtaritë që planifikohen nga institucioni arsimor dhe

kanë për qëllim pasurimin e përvojave mësimore e jetësore të nxënësve.

23. “Tekst shkollor” është teksti që përdoret në procesin e të nxënit si një nga burimet e dijes dhe të informacionit, në format të printuar dhe/ose digjital, I hartuar sipas kërkesave të programit mësimor të një fushe të nxëni, nga botues privatë dhe institucione publike me të drejtë botimi, i certifikuar nga ministria. 


(Portali Shkollor)

9,401 Lexime
5 vjet më parë