ASCAP publikon Manualin e përditësuar të Riskut për Institucionet Arsimore Parauniversitare

ASCAP ka publikuar Manualin e Riskut të Institucioneve Arsimore Parauniversitare 2026, një dokument të përditësuar që synon monitorimin dhe menaxhimin e faktorëve që mund të cenojnë cilësinë e arsimit. Manuali orienton shkollat drejt parandalimit të risqeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të procesit mësimor.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) ka publikuar “Manualin e Riskut të Institucioneve Arsimore Parauniversitare (I përditësuar), 2026”, një dokument strategjik që synon të forcojë monitorimin, vlerësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit në shkolla.


Manuali vjen si një përditësim i versionit të vitit 2023 dhe reflekton zhvillimet e fundit në sistemin arsimor, përfshirë Kornizën Kurrikulare të përditësuar, reformat në arsimin parauniversitar, si dhe integrimin e kompetencave digjitale dhe laboratorëve SMART në procesin mësimor. Dokumenti e trajton vlerësimin e riskut jo vetëm si një mekanizëm për evidentimin e mangësive, por si një instrument parandalues që ndihmon institucionet arsimore të identifikojnë në kohë faktorët që mund të cenojnë cilësinë e shërbimit arsimor.


I mbështetur në standardet ndërkombëtare të menaxhimit të riskut ISO 31000, manuali synon të krijojë një qasje të unifikuar në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private, duke vendosur tregues të qartë për monitorimin e performancës së shkollës, mirëqenien e nxënësve, gjithëpërfshirjen dhe përdorimin efektiv të burimeve njerëzore e teknologjike.


Zbatimi i këtij manuali është i detyrueshëm për të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar dhe përfshin një proces sistematik vlerësimi të riskut nga ZVAP-të, ndërsa ASCAP harton analizën dhe regjistrin kombëtar të riskut për të orientuar politikat dhe ndërhyrjet në nivel kombëtar.


Në qendër të këtij dokumenti qëndron mbrojtja e interesit më të lartë të nxënësit, duke synuar që çdo institucion arsimor të zhvillojë një kulturë institucionale të menaxhimit të riskut, që garanton një arsim cilësor, të sigurt dhe gjithëpërfshirës.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

335 Lexime
8 orë më parë