Barazia në letër dhe pabarazia në praktikë gjatë procesit të lëvizjeve paralele dhe nevoja për ndryshime

Barazia në letër, por pabarazi në praktikë, mësuesit përballen me vlerësime të paqarta dhe shpesh të padrejta gjatë lëvizjeve paralele. Kjo analizë ngre shqetësime reale dhe ofron propozime konkrete për reformimin e procesit dhe sigurimin e meritokracisë.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Nuk mbarojnë ankesat e mësuesve gjatë vlerësimit të dosjeve për lëvizjet paralele. Kemi shkruar e folur shumë herë, duke bërë thirrje për reformim të mënyrës së vlerësimit të mësuesve dhe kryesisht atyre të cilëve u mbyllet vendi i punës për shkak të rënies së numrit të nxënësve.


Në dritën e udhëzimit nr. 8, datë 3.5.2024, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që rregullon procedurat e pranimit, pezullimit dhe largimit të mësuesve, si dhe administrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”, është e domosdoshme të trajtohet një çështje që po krijon pabarazi të heshtur, konkurrimi mes mësuesve të shkollave qendër dhe atyre të shkollave vartëse. Paqartësi në vlerësimin e mësuesve në profile të njëjta në shkollat e bashkuar. Paqartësi në vlerësimin e diplomave që janë të përcaktuar për arsimin e mesëm të ulët (AMU) apo arsimin e mesëm të lartë (AML), Paqartësi për diplomat para sistemit të Bolonjës apo pas. Paqartësi për mësuesit me licencë ose jo. Paqartësi për mësuesit e profileve të tjera, jo mësuesi që kanë qenë në sistem para vitit 2010. Etj., paqartësi...


Kreu V,  i udhëzimit 8, parashikon procedurat e lëvizjes paralele, kur në një institucion arsimor bie numri i orëve mësimore të një profili apo lënde. Drejtuesi i shkollës ngre komisionin për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve, për të gjithë mësuesit e atij profili ose lënde. Këtu është e nevojshme të sqarohet, të theksohet, të unifikohet se drejtori është punëdhënësi i të gjithë mësuesve qofshin ata në godinën ku ai ka zyrën apo në disa godina “satelite” të cilat ne i quajmë shkolla vartëse. Të marrin fund zbatime të diferencuara ku disa i fusin në garë e disa jo.


Komisioni (KVD) i përbërë nga drejtori i shkollës (kryetar), një mësues i zgjedhur nga këshilli i mësuesve (anëtar) dhe kryetari i këshillit të prindërve të institucionit (anëtar), ka për detyrë të bëjë vlerësimin e dosjeve të të gjithë mësuesve me kontratë pune me afat të pacaktuar (me vendim i themi ne), të profilit/lëndës, për të cilën bie numri i orëve, sipas shtojcës 2, të udhëzimit.


Me ndryshimet e ligjit 69/2012, u fut edhe koncepti i shkollës së bashkuar (AF, AMU dhe AML së bashku pavarësisht godinës ku zhvillojnë mësim), kjo është reflektuar edhe në udhëzim. Tashmë vlerësimi i dosjeve në shkollat e bashkuara duhet të bëhet për të gjithë mësuesit me kontratë pune me afat të pacaktuar, të AMU ose të AML, ku bie ngarkesa mësimore. E sqarojmë përfundimisht se lidhëza OSE, është përjashtuese, çka nënkupton se nëse ngarkesa bien në AMU gara bëhet midis mësuesve të AMU, pa i përfshirë mësuesit e ALM. Ju do të pyesni me të drejtë: kush i merr orët e profilit AMU nëse ai mësues largohet? I qëndroj idesë se ZVAP-ja duhet të jetë ndërlidhja midis shkollave të varësisë, për të plotësuar mësuesit me normë të profilit në disa shkolla përpara fazës së vlerësimit të dosjeve për t’i nxjerrë nga sistemi. Sigurisht edhe procesi i përcaktimit se cili është ai që do japë mësim në disa shkolla duhet rregulluar e qartësuar në udhëzim. Kështu kemi  mundësi më të mëdha për t’i ruajtur mësuesit, pasi këto orë do jepen nga dikush në atë shkollë, çështja është kush? Do nxjerrim një nga dera e do fusim një tjetër nga dritarja?


Është drejtori i shkollës punëdhënësi, ai e përcjell me shkresë zyrtare në ZVAP shtojcën 2, të plotësuar për mësuesin/it që në vlerësimin e dosjeve të kryer nga KVD-ja e shkollës, ka/kanë dalë me më pak pikë dhe ka/kanë ngelur pa ngarkesë mësimore.


Ndërkohë lëvizja paralele me dëshirë duhet të rishikohet tërësisht e të ndahet nga procesi i sistemimit të mësuesve që dalin pa ngarkesë. Ndoshta duhet të kalojë nëpërmjet një Portali tjetër, pa u përzier me sistemimin e mësuesve që mbeten pa ngarkesë apo punësimin e mësuesve të rinj. Vendet e lira të punës që janë krijuar brenda një ZVAP-je, apo orët mësimore në shkolla të caktuara tu ofrohen mësuesve të cilët kanë ngelur pa ngarkesë mësimore (lëvizje paralele e detyruar) dhe më pas atyre të cilët kanë aplikuar për lëvizje paralele me dëshirë apo kandidatëve të Portalit “Mësues për Shqipërinë”.


Vetëm pasi janë bërë të gjitha përpjekjet për sistemim, për mësuesit që rezultojnë pa ngarkesë mësimore u ndërpritet marrëdhënia e punës me të drejtën e konkurrimit sipas këtij udhëzimi.


Sot në fakt shohim një “barazi” që nuk matet me të njëjtin metër


Ligji dhe udhëzimet flasin për institucionin arsimor si njësi të vetme konkurrimi, por në praktikë, mësuesit e shkollave vartëse, (që janë shumë), apo të shkollave të bashkuara shpesh përballen me:

  • Vlerësim të pabarabartë të kushteve të punës dhe ngarkesës mësimore.
  • Mungesë njohjeje nga komisionet e vlerësimit.
  • Vendimmarrje të centralizuar nga drejtori, pa transparencë të plotë.


Vlerësime që shpesh mbështeten në perceptime dhe jo në standarde të matshme


Për të garantuar meritokraci, transparencë dhe barazi reale, si gjithmonë vij me  propozime konkrete për ndryshime të qarta në strukturën e vlerësimit të dosjeve të mësuesve, pasi për procedurat jam shprehur shpesh dhe disa i kam cituar më sipër.


1. Heqja e vlerësimit nga Shërbimi Psikosocial

Ky vlerësim shpesh shkon përkundrejt vlerësimit objektiv të individit.

Krijon tensione dhe konkurrencë jo të shëndetshme mes punonjësve.

Nuk ka standard të matshëm dhe është subjektiv.


2. Vlerësimi nga drejtori i shkollës

Të jetë mesatarja e vlerësimeve të 5 viteve të fundit.

Kjo shmang subjektivitetin dhe favorizimet momentale.


3. Vlerësimi i kualifikimit profesional

Të merret mesatarja e tre vlerësimeve të kualifikimit të mësuesit.

Reflekton progresin dhe konsistencën profesionale.


4. Vlerësimi nga prindërit

Të realizohet përmes anketave të strukturuara për çdo vit.

Të përfshijë vetëm prindërit që kanë pasur fëmijët në klasat ku kanë dhënë mësim mësuesit.

Të merret mesatarja e vlerësimeve të 3 ose 5 viteve të fundit.


5. Nota mesatare e studimeve të larta

Të merret e plotë dhe të marrë deri në 2 pikë në vlerësim.

Të përfshihet në këtë vlerë vetëm nota mesatare e diplomës kriter punësimi...


6. Njohja e gjuhëve të huaja

Të njihen vetëm nivelet C1 dhe C2 si kritere vlerësimi përkatësisht 2 dhe 3 pikë.

Siguron standard të lartë komunikimi dhe përgatitjeje dhe sigurisht janë dhënë nga institucione të certifikuara ndërkombëtarisht, vështirë të manipulohen.


7.Titujt shkencor dhe kontributet akademike

Të vlerësohen titujt shkencor (Master, Doktoratë).

Të vlerësohen referimet e dokumentuara me referenca konkrete në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për arsimin.

Të vlerësohen botimet që lidhen me zhvillimin e kurrikulës dhe zbatimin e saj në shkolla.

Të vlerësohet bashkautorësia në tekstet shkollore të miratuara nga MAS.


8.Masa disiplinore

Të zbriten pikë nëse mësuesi ka pasur masa disiplinore në 5 vitet e fundit.

Masa që lidhen me etikën dhe performancën në shkollë duhet të ndikojnë në vlerësim.


Thirrje për veprim


Ministria e Arsimit dhe Sportit ka detyrimin të rishikojë udhëzimin nr. 8 dhe të përfshijë qartësisht termat “shkollë qendër” dhe “shkollë vartëse”, si dhe të standardizojë procesin e vlerësimit për të gjithë mësuesit, pavarësisht vendndodhjes së tyre.


Në mungesë të një reforme të tillë, mësuesit mbeten të ekspozuar ndaj vendimmarrjes së paqartë dhe shpesh të padrejtë, duke u përplasur mes ligjit dhe interpretimit të tij.



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,199 Lexime
5 ditë më parë