Shkolla e mesme profesionale “Mihal Shahini”

Bujku, një profesion që garanton të ardhmen

Njihuni me shkollën profesionale “Mihal Shahini”, Cerrik; punën që bëhet aty, pasionin dhe përkushtimin e nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle. Ata sfiduan gjithçka dhe provuan se bujku është profesion i bukur dhe fitimprurës.

Pasioni, përkushtimi dhe dashuria bëjnë që gjithçka të jetë e mundur. Shembulli më i mirë për këtë është shkolla e mesme profesionale “Mihal Shahini”, Cerrik; e cila ka ndërtuar një fermë me iniciativën e saj. Ferma tashmë ka dhënë produkte dhe e ka bërë këtë shkollë të njohur dhe të kërkuar në tregun e perimeve bio. Portali Shkollor i drejtoi vetëm një pyetje drejtoreshës së kësaj shkolle Erina Disho, e cila na rrëfeu këtë histori suksesi:


Kur bëhet fjalë për shkollë profesionale, natyrisht që të gjithë thonë se ka të bëjë me profesion, me ushtrimin e tij, me të fshehtat dhe njohuritë për të. Shkolla e mesme profesionale “Mihal Shahini”, Cerrik ka në bazë të tij profesionin më të vjetër në botë, atë të bujkut.


Të flasësh për ketë profesion natyrisht që ka shumë për të thënë, për dobishmërinë dhe për bukurinë e tij. Por në kushtet aktuale shohim që ky profesion ka lindur mentalitete të dëmshme për vetë këtë profesion. 


Pse të merresh me bujqësi kur nuk ke fitim?  

Pse të merresh me bujqësi kur ka vështirësi, lodhje, punë?

Pse të merrem me bujqësi kur nuk shoh perspektive, kënaqësi të punës dhe prodhimit?


Na u desh të bisedonim, të mblidheshim e të mendonim shkaqet e këtyre mentaliteteve dhe si duhej që të tregonim se janë mentalitete që mund të luftoheshin.


Pas shumë debatesh, konsultimesh me mësues, specialistë, bujq të vjetër, prindër e nxënës, arritëm të kuptonim që profesionit të bujkut i mungonin dy elemente themelorë: “tradita dhe dashuria”. Ekonomia e tregut me shpejtësinë e saj, me egërsinë dhe pasurimin e shpejtë kishte prishur këto dy elemente të këtij profesioni. Ne donim të tregonim qe edhe në ekonominë e tregut ky profesion me këto dy elemente të përfshirë do të ishte atraktiv, rentabël dhe i dëshiruar.


Dhe ja filluam punës në  fillim me sipërfaqe toke shumë të vogla në bazën prodhuese të shkollës. Mbollëm perimet e stinës, i rritëm dhe ju shërbyem të gjithë, mësues, specialistë, nxënës e punëtorë. 


I kishim vënë qëllim vetes të bënim perime të stinës por Bio, pa kimikate e pesticide, pa hormone. Donim dhe zbatuam traditën e bujkut tonë në vite.


Morëm prodhimet e para. Kënaqësia ishte se nxënësit dhe mësues me përparëset e shkollës dhe me bexhe me logon e shkollës në qafë shkuan në çdo zyrë institucionale, në çdo shkollë e kopsht, në çdo treg e në çdo panair dhe prezantuan dhe shitën prodhimet e tyre. 


Njerëzit, tregu i donte prodhimet tona për faktin se ato ishin Bio dhe në traditën tonë, ne i shtuam dhe dashurinë për t’i tregtuar prodhimet tona.


Efekti ishte i menjëhershëm, i dyfishtë. 


Tregu na kishte pranuar dhe për me tepër na kërkonte. 


Na kërkonin pronaret e restoranteve për prodhimet tona, klientë të prodhimeve bujqësore, klientë të thjeshtë. Nxënësit me përparëse ishin krenarë për prodhimet e tyre, e shisnin prodhimin me një dashuri të paparë. Ata e dinin që kishin një prodhim cilësor dhe krenar që po merrnin të ardhura.


Të vetëdijshëm që jemi në hapat e parë. Të ndërgjegjshëm që duhet shumë punë dhe përkushtim, të sigurt që kemi nisur një rrugë të mbarë ku do të angazhohemi të gjithë, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, të përgjegjshëm në zgjedhjen e këtij vizioni te ri për të gjithë nxënësit, mësuesit edhe prindërve.


Kur shohim në sytë e nxënësve kënaqësinë në punë, kur shohim përkushtim në mbarëvajtjen e prodhimit, kur shohim interesimin e tyre se si do të përballojmë tregun, kur shohim që ata si filantrop ndihmojnë me prodhime shtëpi fëmijësh në nevojë, kur shohim që janë krenarë me prodhimet e tyre nëpër panaire, atëherë themi me krenari:


“Kemi hedhur bazat e profesionit të bujkut, ku nxënësit, nesër fermerë, të kuptojnë që janë pjesë e një profesioni të lodhshëm, të bukur, të dashur, por edhe rentabel në ekonominë e tregut.”


Nuk flasim për gjëra të mëdha. Këto janë ato që bëhen dhe do të rriten vazhdimisht në shkollën e mesme profesionale “Mihal Shahini” në Cerrik.


Jeni të mirëpritur të na shikoni, të na besoni dhe ju pronarë restorantesh, dhe biznesmenë mund të vini dhe bëhuni pjesë e vizionit tonë, për një të ushqyer të shëndetshëm, për prodhime bio, për konkurrencë në treg me cilësinë dhe traditën. Ne ju mirëpresim!

(Erina Disho, drejtore e shkollës; Portali Shkollor)

2,850 Lexime
6 vjet më parë