Çdo ditë 3 orë rrugë në shi e borë vetëm për të mësuar fëmijët

Ton Matoshi, mësues nga Puka udhëton me orë drejt shkollës ku jep mësim është dëshmi e gjallë se pasioni ndryshon kushtet e vështira ku mësojnë dhjetëra nxënës por ndikon dhe në formësimin e denjë të së ardhmes.

7 Marsi, Dita Kombëtare e dijes na sjell në vëmendje gjithnjë mësuesit të cilëve dhe iu dedikohet kjo ditë si simboli i kontributit dhe sakrificës së tyre. Sot urimin më shumë se askush tjetër e meritojnë ata mësues, të cilët vijojnë sakrificën për mësimdhënie. I tillë është edhe ky mësues. Ai quhet Ton Matoshi ashtu sikurse çdo ditë edhe sot udhëtoi afro tre orë për të arritur nga Puka në shkollën ku jep mësim, në fshatin Flet, një fshat i largët malor.

Përkundër lodhjes, pritja që i bëjnë çdo ditë nxënësit duket se i dhuron kënaqësi e pa marrë parasysh lodhjen e rrugës ai vijon mësimin sikur nuk ka ndjerë asgjë.

Në shkollën e shkatërruar të Fletit, objekt i kronikave tona të mëparshme, mësues Toni ka ndryshuar çdo gjë me kontributin e tij dhe falë ndihmës së kolegëve. Tashmë klasat ku zhvillohet mësim edhe pse pjesë e një objekti të rrënuar janë përshtatur më së miri për zhvillimin e procesit.

Për arsimtarin pukjan që punën e fillon që në 5 të mëngjesit me udhëtimin drejt shkollës për t’u kthyer në banesë rreth 13 orë më vonë, mësuesi ka një peshë të madhe mbi shpatulla por pa pasion kjo peshë e kërrus cilindo prej mësimdhënësve dhe ndikon në të ardhmen e fshatit, qytetit a zonës ku punon.

“Është e vërtet që vij çdo ditë nga Puka këtu në fshatin Flet, por jam vërtet i lumtur. Banorët e zonës janë njerëz shumë të mirë, kam nxënës shumë të sjellshëm të edukuar dhe që i përkushtohen sa munden mësimit. Në këndvështrimin tim asnjë herë nuk ka nxënës apo shkollë të keqe. Nëse ka problem në të shumtën e rasteve jemi ne mësuesit të këqij. Nuk duhet harruar pesha dhe përgjegjësia që kemi mbi vete në arsimimin e një brezi që përballet çdo dite me probleme, pjellë e kohës”, shprehet mësuesi.

Gjatë bashkëbisedimit në klasën e ngrohtë dhe plotë energji të mësues Tonit ai shpesh kujton se si banorë të zonës e lusin vazhdimisht të shkoj në banesat e tyre, por këtë gjë ai e bën vetëm kur bora ja bënë të pamundur kthimin në Pukë.

“Ju ndoshta nuk e besoni por vërtet janë njerëz shumë të mirë, nuk e imagjinoni mirënjohjen e tyre. Shumë nga banorët kanë ikur tani këtu kanë mbetur më pak se gjysma e fshatit por mundohen të jetojnë ashtu në mesin e vështirësive të fshatit dhe pamundësive ekonomike”, thotë mësues Ton Matoshi.

Njeriu që me aq pasion vijon të shpjegojë mësim tregon se filloi punë rreth një vit më parë kur arriti të takonte ministren Nikolla. Mbyllja e shkollës ku ai jepte mësim vite më parë e la pa punë për afro 6 vite mësuesin, i cili tashmë as që do t’ia di për lodhjen që i kushton të ngriturit herët pritja e makinave për të udhëtuar drejt Fushë Arrzit, për të vijuar rrugën më pas me mësues Mirin një tjetër mësues nga Fushë-Arrzi që jep mësim këtu. Historitë e tij në udhët plotë borë më kolegun e tij dhe doktorin e zonës nuk kanë të sosur, ata ngjajnë si ngjarje nostalgjike të së kaluarës por në fakt janë një realitet frymëzues i të sotmes.

Ton Matoshi, një mësues nga qyteti i Pukës që udhëton me orë drejt shkollës ku jep mësim është dëshmi e gjallë se pasioni ndryshon kushtet e vështira ku mësojnë dhjetëra nxënës por ndikon dhe në formësimin e denjë të së ardhmes.

766 Lexime
3 vjet më parë