Certifikim cilësisë së institucioneve të Arsimit të Lartë
Qëllimi i marrëveshjes është kryerja e vlerësimit dhe certifikimit të cilësisë në mënyrë tërësore, të integruar dhe mbi të njëjtat standarde e procedura të të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë që veprojnë aktualisht në vend
Sot u nënshkrua marrëveshja midis Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Agjencisë e Sigurimit të Cilësisë në Britaninë e Madhe, për vlerësimin dhe certifikimin e cilësisë së institucioneve të Arsimit të Lartë.
Marrëveshja u nënshkrua në Kryeministri, nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe përfaqësues i Agjencisë britanike të Sigurimit të Cilësisë, një nga agjencitë më të njohura të fushës në Europë e në botë.
Qëllimi i marrëveshjes është kryerja e vlerësimit dhe certifikimit të cilësisë në mënyrë tërësore, të integruar dhe mbi të njëjtat standarde e procedura të të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë që veprojnë aktualisht në vend, me orientim nga standardet europiane e ndërkombëtare.
Fjala e plotë e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës së bashkëpunimit me Agjencinë britanike të Sigurimit të Cilësisë për vlerësimin e cilësisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë të Shqipërisë.
I nderuar Zoti Kryeministër,
i nderuar Zoti ambasador Cannon,
i nderuar Zoti Blackstock,
Padyshim sot është një ditë e shënuar për arsimin tonë të lartë, një lajm i mirë për gjithë shoqërinë shqiptare, pasi që nesër fillon procesi i akreditimit dhe i verifikimit të cilësisë në të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë. Siç opinioni e di, ne kemi ftuar për të bërë të mundur këtë proces, pikërisht, Agjencinë Britanike, që sigurisht nuk është e rastësishme, është një ndër agjencitë me reputacion të njohur evropian e ndërkombëtar, një nga themelueset e rrjetit ENQA dhe rrjeteve ndërkombëtare të agjencive, e certifikuar periodikisht dhe vlerësuar maksimalisht për cilësinë e saj. Por, lejomëni të shpreh detyrimin, në fakt, që kam por që tashmë është bërë traditë e Qeverisë shqiptare, e Ministrisë së Arsimit, për të raportuar se çfarë kemi bërë këto 14 muaj, nga dhjetori i vitit të shkuar kur ne firmosën në këtë sallë, marrëveshjen e bashkëpunimit. Besoj që këto 14 muaj kanë shërbyer për të parë, ju i nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Britanike, specialistët tuaj por edhe ne, sesa larg ishin nga standardi që bota njeh si rrugë për të përshkruar një proces të verifikimit të cilësisë.
Ju të nderuar drejtues të Institucioneve tona të arsimit të lartë, pedagogë po ashtu, ishit lënë vetëm pa politika mbështetëse dhe verifikimit të gjithçkaje që ndodh fal punës dhe profesionit tuaj. Ka kakofoni udhëzimesh, raportime por pak herë analiza të mirëfillta, detyra në letër por jo rezultate, pa folur për konkurrencën e pandershme në sistem duke lejuar të funksiononin universitete që nuk plotësonin as kushtet më minimale ligjore. Në takimin tonë të parë të dhjetorit 2014, kur nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit, ne kishim dal nga procesi i verifikimit të kritereve të ligjit dhe ishim asokohe në rrugëtimin tonë për të formalizuar Ligjin e ri të Arsimit të Lartë.
Vijuat dhe vijuam bashkërisht kontaktet me universitetet, vizita të ndërsjellta për njohjen më të thellë të sistemit, që pak ose aspak kishte referenca me atë që është standard që ju matni. Këto muaj, ne fakt, shërbyen si garanci për procesin që fillon nesër. Kuptova që për të fituar besimin tuaj, nuk shërbente si parakusht për të startuar procesin, fakti që ne mbyllëm 18 Universitete që funksiononin si biznes, që mbyllëm një universitet publik apo 16 filiale, jo duhet kuptuar arsyeja sesi 13 nga 18 universitetet e mbyllura ishin edhe të akredituara, e mbi të gjitha, duheshin garanci se kjo nuk do të ndodh më.
Duheshin 14 muaj punë përgatitore nga një agjenci lider, edhe për të kuptuar se cilat ishin standardet mbi të cilat ishte bërë e mundur që vetëm në periudhën janar- korrik të vitit 2013, pra vetëm në 7 muaj të akreditoheshin 11 universitete private. Duheshin 14 muaj punë përgatitore për të thënë se si kishte ndodhur që 55% e licencave dhe akreditimeve rrufe rezultuan piramidë e pastër në arsim. Duheshin 14 muaj punë përgatitore për të thënë se për të pasur një kod cilësie për të gjithë sistemin, të bëhej e mundur që vetëm në periudhën janar- korrik, pra në vetëm 7 muaj të vitit 2013 të akreditoheshin 33% e totalit të programeve në sistemin tonë të lartë, madje vetëm në një mbledhje 40 vendime akreditimi për 40 programe.
Si mund të ndodhte kjo? 14 muaj për të kuptuar se edhe mbi ç’model u mbështet shpartallimi I sistemit të lartë publik me programet e part-time-it që përfshiu edhe profesionet e rregulluara. Garancia nuk mjaftonte duke thënë vetëm që ne nuk dhamë kuota për part-time apo se part-time ishte një mundësi që universitetet të merrnin më shumë buxhete. Jo. Në këto 14 muaj treguam vullnet për të kthyer institucionet tona të arsimit të lartë së pari në shinat e ligjit, realizuam përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës ligjin e ri të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor të institucioneve tona të arsimit të lartë, për të cilët gjej rastin të shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë trupën e profesorëve, për komisionin po ashtu, që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.
Sigurisht mbështetja, vërejtja por edhe kritika ka ndihmuar dhe po vazhdon të ndihmojë edhe në procesin e përgatitjeve të akteve nënligjore. Kemi gjithë qartësinë e nevojshme për të ndjekur një rrugë të re, edhe pse tradita negative është aq e fortë në fakt, në disa momente për fat të keq. Këtë muaj kanë shënuar dhe kanë shërbyer për të shëruar të gjitha arsyet dhe për të vendosur një komunikim të ri me ju të nderuar drejtues të institucioneve tona të arsimit të lartë, pedagogëve dhe studentëve po ashtu, një komunikim transparent e gjithëpërfshirës. Besoj se e kam dakortësinë tuaj të them po, tashmë komunikimi, duke dëgjuar e debatuar për çdo vendimmarrje të Ministrisë së Arsimit është një standard. Besoj e konfirmon i nderuar Rektor, është një standard i vendosur dhe nuk ka shanse të humbasë. Faleminderit për ndihmën e vyer që më keni dhënë me këshillat tuaja, keni treguar vullnet, po ashtu.
Një moment tjetër, një premtim i madh i yni për të larguar politikën nga universitetet, me shkrimin e ligjit të ri, dhamë argumente besoj. Kemi shumë për të bërë në këtë rrugë. Në ditët në vazhdim do të vendosim edhe një standard të ri të baraslargimit të politikës nga zgjedhjet në universitete. Monitoroni ju, monitoron publiku, për kaq besoni e konfirmoni ju si garanci të bashkëpunimit të kësaj kohe. Jemi të vendosur për të bërë atë që kemi premtuar në këtë drejtim, edhe pse besomëni qenka e vështirë.
Ju e dini se nuk them asgjë të tepërt nëse ndaj me ju edhe publikisht faktin se këto ditë marr shumë telefonata, ndaj shume takime që kryefjala dhe fundi i çdo takimi mbetet pyetja: ‘Cilin kandidat mbështet Edi Rama, po Partia Socialiste, cilin kandidat do të mbështes që do të kandidojë në garën e radhës për rektor, dekan, shef departamenti, madje ka ndër ata që ishin kritikë për Ligjin tonë të Arsimit të Lartë. Përgjigjja ime në fakt është pyetja ‘Po autonomia, po liria akademike’ dhe me vepra do vijojmë të tregojmë se ne besojmë tek ligji, ne besojmë tek reforma që e shkruam së bashku, ne besojmë tek profesorati, ne besojmë tek studentët ndaj dhe jemi të vendosur që këtë besim ta shprehim me një qëndrim të ri.
Ndaj faleminderit edhe një herë ju drejtues të universiteteve publike për punën e bërë, mbajeni shëndetshëm larg politikës edhe këtë proces të zgjedhjeve sepse shoh këtu që ndokush, profesor i nderuar nuk është për shkak të angazhimit të tij politik, por unë do të vijoj të jem në zyrën e tij, të jem në komunikim me të për të bërë më të mirën, për të bërë të mundur atë që gjenerata e re e shqiptarëve, shoqëria në tërsi pret nga secili prej nesh. Mbajeni shëndetshëm larg politikës sepse për hir të së vërtetës, duhen thënë disa të vërteta të pastra në sy. Shumëçka është faj i politikës, por besoj që nuk ka asnjë qeveri që ka ndërhyrë për t’ju thënë që prodhoni aq apo kaq doktorata, prodhoni aq apo kaq tituj shkencor, besoj që kjo ka ndodhur për arsye të tjera, arsyet tuaja ne fakt e jo arsyet e politikës. Ndaj na u deshën edhe 14 muaj për të besuar se cili është standardi që prodhon grada e tituj pa cilësi, grada e tituj pa lidhje organike me departamentin, pa lidhje organike me universitetin, pa lidhje me kërkim shkencor dhe cilësinë që ai duhet të ketë. Nuk mjaftonte vetëm ndërhyrja që ne bënë për të rregulluar standardin e udhëheqjes në doktoraturë që është shkelur me të dyja këmbët, por edhe vullneti i shprehur me ligj edhe për këtë çështje.
Në fund të këtij procesi ne sigurisht do të kemi të 35 institucionet tona të arsimit të lartë, që sot vijojnë, edhe publike dhe private, në fund të qershorit të vitit 2017 do të kemi një proces të përfunduar të verifikimit të cilësisë, të akreditimit të të gjithave programeve. Por në fund të këtij procesi, fal ndihmës së vyer dhe për të cilën unë dua të falënderoj ambasadorin Cannon që ka qenë një interlokutor shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm që ne të punonim në drejtimin real të duhur, që i duheshin jo vetëm këtij procesi por edhe të ardhmërisë të institucioneve tona të arsimit te lartë që lidhet me ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë sonë të Akreditimit të Lartë, për ta bërë atë nesër një antarë të ENQA-s.
Por lejomëni edhe këtu të them se çfarë ka ndodhur këtë 14 muaj me APAL-in, fal edhe bashkëpunimit me Agjencinë Britanike. APAL-i, që me ligjin e ri do të njihet si ASCAL, pra si Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe sigurisht të jap përgjigje edhe gjithë kritikave që i bëheshin Ligjit të ri të Arsimim të Lartë, duke folur për agjencinë në varësi të Qeverisë apo për agjenci që do të lëngonin mungesën e pavarësisë. Çfarë përfaqëson sot APAL-i, këshilli i Akreditimit ndryshe nga dje që drejtohej nga këshilltari i kryeministrit, sot drejtohet nga një profesor i nderuar, profesor Gjoncaj, që operon në një nga institucionet më prestigjioze në Britaninë e Madhe. Në përbërjen e tij ndryshe nga dje, nuk ka asnjë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit apo ministrit të arsimit. Ndryshe nga dje, çdo vendimi i Këshillit të Akreditimit, nuk ka nevojë të certifikohet nga ministri pasi shpallet posa Këshilli i Akreditimit, i përbërë nga një kastë e nderuar profesorësh vendas e të huaj merr një vendim të tillë.
Ndaj besoj që kemi dhënë nevojshëm por jo mjaftueshëm sepse kemi ende shume për të bërë, arsyet për të fituar besimin tuaj por edhe një garanci më shumë për të gjithë ju të nderuar profesorë, drejtues të institucioneve tona të arsimit të lartë, studentët po aq, një garanci më shumë që jemi të vendosur krahas realizimit të një standardi të ri që lidhet me verifikimin e cilësisë, ajo që është e rëndësishme një standard të ri rrugëtimi për ta kryer këtë proces dhe padyshim në Qershor të vitit 2017 do të kemi një situate shumë të qartë për të rinjtë shqiptar, për prindërit e tyre se ku dhe si duan të investojnë financat e tyre për një arsim cilësor. Do të kemi të qartë nevojat e çdo institucioni për mbështetje e padyshim detyrat e Qeverise, detyrat e qeverive në vijimë për të përmirësuar situatën në institucionet tona të arsimit të lartë dhe për ta bërë arsimin e lartë shqiptar pjesë integrale të hapësirës evropiane të arsimit të lartë.
Ju falënderoj dhe punë të mbarë!
Shqetësime për efektivitetin e reformës në Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar
Prezantohet Korniza e re Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar, Manastirliu: Dokument strategjik për përditësimin e teksteve shkollore
Cili është roli i mësuesit?