Decentralizimi, Shërbime cilësore në arsim

Ministria e Arsimit dhe Sportit, zhvilloi Tryezën me temë: “Decentralizimi- Shërbime cilësore në arsim”

Ministria e Arsimit dhe Sportit, zhvilloi Tryezën me temë: “Decentralizimi- Shërbime cilësore në arsim”.
 
Reforma e re territoriale, e shoqëruar nga ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor, duke decentralizuar disa kompetenca dhe funksione të qeverisjes qendrore në funksion të miradministrimit të shërbimit arsimor. në vend.
 
Qëllimi i kësaj tryeze ishte rritja dhe forcimi i bashkëveprimit mes autoriteteve qendrore, qeverisë, Ministrive të linjës, autoriteteve vendore, Bashkive dhe partnerëve social, profesional dhe ekonomik në funksion të mbështetjes dhe zhvillimit të shërbimit arsimor sipas standardeve dhe modeleve bashkëkohore të menaxhimit dhe administrimit.

Në fjalën e saj të hapjes, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, duke falenderuar për pjesëmarrjen dhe angazhimin në këtë Tryezë të drejtuesve të Bashkive të vendit, u shpreh për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale në mënyrë realizimin e objektivave. 

“Kryefjala do të jetë ndërtimi i urava të bashkëpunimit, në mënyrë që ne të mos çedojmë nga asgjë që kemi shënuar deri më tani, por përkundrazi, të përforcojmë objektivat që kanë vetëm një emër, dhe po e përsëris, cilësinë në shërbimet arsimore. Ne do të ndërtojmë ekipe të përbashkëta pune, për të qartësuar edhe ndonjë moment paqartësie, se sigurisht jemi në fillim të procesit, por duke mundësuar një komunikim, do të thoja krejtësisht të ri, për të parë, realisht, se çfarë ndodh me situatën e cilësisë së arsimit dhe shërbimit arsimor në çdo shkollë”- u shpreh ministrja Nikolla.

Duke, theksuar domosdoshmërinë e ruajtjeve të standardeve te cilësisë, ministrja e vuri theksin tek politikat e MAS për ndërtimin e mekanizmave të pacënueshëm në funksion të ruajtjes së konkurrencës, transparencës dhe meritokracisë siç është rasti i portalit “Mësues për Shqipërinë”.

“Roli i Ministrisë së Arsimit për të ruajtur standardin dhe për të verifikuar standardin do të jetë aty. Pra, portal Mësues për Shqipërinë është një portal që rankon të gjithë punëkërkuesit. Pranë DAR-ve dhe ZA-ve, ne kemi mundësuar grupet e monitorimit të gjithë procesit të punësit në arsim, ku roli i drejtorive arsimore është lehtësues.”- u shpreh ministrja.

Ministrja Nikolla vuri gjithashtu theksin tek marrja e përgjegjësive të çdo institucioni nën frymën e bashkëpunimit dhe kontributit për një arsim gjithmonë e më cilësorë duke u orientuar nga rajonalizimi i nevojave reale të lokaliteteve për sa i përket investimeve dhe mbështetjes së autoriteteve.

I pranishëm, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuci, duke vlerësuar nisëm e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për zhvillimin e kësaj Tryeze, u shpreh se: “Ministria vendos standardet, monitoron standardet dhe pushteti vendor ka funksion, duke pasuar kompetenca. Për të shkuar në mirë funksionimin e këtij sistemi duhet që të jemi të kujdesshëm sidomos në momentet e para që të mos cenojmë standardin e shërbimit që do ofrojmë. Ne kemi ndar shumë qart me ligj raportin që krijohet mes Bashkive dhe Ministrisë së Arsimit, ku qartë kemi thënë që kompetencat administrative e financuara do ti kenë Bashkitë, kontrollin e standardeve do e ketë Ministria e Arsimit. ”

Në këtë takim u theksua gjithashtu se çdo aktor duhet të ndërgjegjësohet dhe të ketë të qartë për rolin e tij në lidhje me kompetencat dhe përgjegjësitë për të mundësuar bashkërendim të punës dhe llogaridhënie.  

Në kuadër të reformës së re territoriale, shoqëruar nga ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, MAS, me fillimin e vitit kalendarik 2016, ka kryer transferimin, tek njësitë e pushtetit vendor (Bashkitë) të 7 101 punonjësve dhe fondit përkatës të pagave, të detajuar sipas bashkive dhe të ndarë në numër te veçantë, mësuesit e arsimit parashkollorë (edukatorë) dhe punonjësit jo mësimorë të institucioneve arsimore parauniversitare. Nga ana tjëtër është bërë i mundur decentralizimi i përdorimit të fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit. Por në të njëjtën kohë si çdo vit, nga buxheti i MAS do të vazhdojnë të akordohen fonde per ndërhyrje në infrastrukturën shkollore, pajisjen e tyre me bazën materiale dhe materiale didaktike, laboratore shkencore, pajisje kompjuterike apo kabinete informatike. 

2,274 Lexime
8 vjet më parë