MËSUESI MENTOR

Detyrat e mësuesit mentor

Ju prezantojmë me detyrat, normat, rolin, përgjegjësitë, përzgjedhjen e mësuesit mentor, pra ai që udhëheq mësuesit e praktikës profesionale.

Kriteret për mentor


1. Mentori duhet:

a. të ketë fituar kategorinë e dytë të kualifikimit të mësuesve në lëndën përkatëse dhe të jetë vlerësuar me të paktën (Mirë) në provimin e kualifikimit, nëse e ka dhënë këtë provim;

b. të ketë certifikatën e mentorit, nëse është mundësuar ky certifikim;

c. të jetë vlerësuar me të paktën “Mirë” në programet e akredituara të trajnimit, nëse ka marrë pjesë në to;

d. të ketë rezultate të larta e të qëndrueshme të nxënësve të tij, në Provimet e Maturës, nëse lënda përfshihet në provim;

e. të ketë performancë të lartë në miniteste të orës mësimore dhe të kapitullit;

f. të jetë aktivizuar në projekte të ndryshme të DAR/ZA-së e më gjerë, nëse i është dhënë kjo mundësi;

g. përparësi kanë mësuesit që zotërojnë me dëshmi një gjuhë të huaj europiane.


2. Mentori njeh mirë legjislacionin arsimor që ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimtarinë e mësuesit.


3. Mentori dallohet ndër mësuesit për:

a. ide novatore, mësimdhënie interaktive dhe për aftësi krijuese profesionale;

b. qëndrimin etik me nxënësit, kolegët dhe prindërit;

c. korrektesë në kryerjen e detyrave si anëtar i personelit të institucionit arsimor;

d. gatishmërinë për të bashkëpunuar me kolegët;

e. aftësi komunikuese me praktikantët e rinj;

f. aftësi profesionale të transmetimit të saktë dhe të qartë të informacionit shkencor dhe didaktik tek praktikantët.


Roli i mentorit

Mentori ndihmon praktikantin të kryejë me sukses praktikën profesionale nëpërmjet:

1. zhvillimit të aftësive dhe shprehive të praktikantit përmes vëzhgimeve, këshillimeve, rekomandimeve, komenteve dhe aktiviteteve të ndryshme për të lehtësuar certifikimin e tij;

2. krijimit të mundësive për praktikantin, në zbatimin e metodave bashkëkohore dhe interaktive në mësimdhënie;

3. përdorimit të mjeteve të ndryshme zhvillimore për praktikantin si: detyra, pjesëmarrje në grupe pune, trajnime afatshkurtra, këshillime karriere personale etj.;

4. zhvillimit të detyrave sfiduese nga ana e praktikantit për të zgjeruar njohuritë e tij profesionale;

5. mbikëqyrjes së vazhdueshme të performancës së praktikantit sipas instrumenteve të përcaktuara në këtë Rregullore;

6. sigurimit për praktikantin, të informacionit të nevojshëm për sistemin arsimor shqiptar, duke i rekomanduar atij literaturë bashkëkohore;

7. motivimit të praktikantit për të synuar nivele të larta të performancës.


Përgjegjësitë e mentorit

Mentori ka përgjegjësi:

1. për ecurinë e praktikës profesionale të praktikantit dhe për rezultatet e tij në përfundim të saj;

2. të njohë praktikantin me këtë Rregullore dhe me formatin e vlerësimit të praktikantit nga mentori;

3. të hartojë, në bashkëpunim me praktikantin, planin mujor të orëve të vëzhgimit nga praktikanti dhe orët e planifikuara si mësues ndihmës (klasat dhe datat);

4. të zhvillojë seanca bashkëbisedimi dhe këshillimi me praktikantin;

5. të mbajë planin ditor të mentorit ku përshkruan veprimtarinë e tij si mentor në orët e vëzhgimit dhe të shënojë konstatimet dhe këshillat kryesore për seancat këshilluese;

6. të plotësojë vlerësimin e praktikantit për çdo orë vëzhgimi të planifikuar;

7. të ndihmojë praktikantin që të përgatisë portofolin që duhet të dorëzojë në përfundim të praktikës;

8. të përgatisë raportin e vlerësimit, në përfundim të veprimtarisë së praktikantit.


Norma e mentorit

1. Norma e mentorit për mentorimin e një praktikanti është sa 1/4 e normës së mësuesit përkatës. Kjo normë ndahet në: 2/3 për orët e vëzhgimit dhe 1/3 për orët këshilluese.

2. Një mentor mbulon 1- 4 praktikantë. Kur mentori mbulon më pak se 4 praktikantë, e plotëson normën e tij si mësues, duke dhënë mësim.

3. Mentori për klasat 1-5 është mësuesi i klasës dhe qëndron në klasë, kur praktikanti jep mësim.

4. Mentori i klasave 6-13 vëzhgon praktikantin gjatë dhënies së mësimit, i cili planifikohet në klasa të ndryshme.


Përzgjedhja e mentorëve

DAR/ZA përzgjedh mentorët të cilët do të kryejnë detyrën e mentorit.


(Burimi: Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë)


(Përgatiti për publikim P.Shtini; Portali Shkollor)

9,730 Lexime
4 vjet më parë