DETYRAT E SHTËPISË

Detyrat e shtëpisë: dilemë, argëtim, lodhje, dije?!

Shembulli është mësimi më i mirë për fëmijët dhe ata janë mjeshtra për të imituar. Detyrat e shtëpisë kanë disa misione brenda tyre. Ai më i rëndësishmi?! Një familje e bashkuar dhe e lumtur.

Gushti jo vetëm muaji i pushimeve, por edhe reflektimeve, mendoj. Të gjithë si mësues si prindër kemi përjetuar emocionet e fëmijëve, nxënësve në klasën e parë. Të veçanta, të bukura padyshim. Shoqërohen me pagjumësi, ëndërrime. Fillon me përzgjedhjen e mësuesit, shkollës, deri te veshja e ditës së parë, çanta, libra e fletore. Në fakt këto ditë kështu marrin kuptim. Unë si mësuese edhe pse kam 27 vjet punë e përjetoj akoma me emocion këtë ditë që do të thotë se brenda ka një magji të bukur. Më pëlqen.


Fillon shkolla. Klasa e parë e bukur por e vështirë. Fëmijët ndërrojnë mësues, shokët, por edhe mënyrën e marrjes së njohurive dhe edukatën e punës. Në muajt e parë akoma nuk nxjerrin dot librat nga çanta, (ngatërrojnë fletoret e shtëpisë me ato të klasës). Mjetet, prindërit i kanë porositur të mos i humbasin, u bien nuk e dinë as vet ku shkojnë. Megjithatë ditë pas dite rruga e tyre nis, rrjedh si gjithë moshatarët, merr kuptim.

 

Mësuesi shpjegon e jep dije me të gjitha mënyrat, teknikat që duhen apo di. Midis tyre janë edhe detyrat e shtëpisë. Në vitet e para kjo fazë bëhet pothuajse e pamundur të realizohet pa ndihmën edhe të prindërve mbasdite. Shpesh thuhet e flitet se janë bërë pengesë që fëmijët të luajnë, të argëtohen.


Po shtrohet pyetja: Nëse nuk do të kenë më detyra shtëpie për të bërë fëmijët mbasdite, sa orë do të luajnë? Si mësuese, por edhe si prind bëj llogaritë për kohën. Kthehet në drekë nga shkolla ushqehet, fle e luan. Vetëm kaq?! Po, shikon edhe televizor. Po pastaj?


Mendoj 2-3 orë në ditë mbasdite, fëmija ka nevojë edhe të lexojë, shkruajë, e vizatojë. U  ngelet si detyrë prindërve të organizojnë kohën e tyre sipas llojit të punës, apo kushteve familjare. Si mësuese? Po, më takon mua dhe kolegëve të mi  të caktojmë detyra sipas moshës, nivelit të gjithë secilit.


Për prindërit e pata këtë shtysë. Duhet të jeni më pranë fëmijëve tuaj. Më “të rreptë” me kërkesat ndaj fëmijëve sepse prej tyre dëgjojmë që i mbarojnë detyrat në orën 2100 apo 2200 ose më keq ngrihen në mëngjes për të kryer ndonjë detyrë të harruar. 


Vërtet  lodheni sepse ndoshta koha e kërkon që të jeni edhe të shumëpunësuar. Ka edhe të papunë, fëmijët e të cilëve vijnë të papërgatitur, por misioni prind është më i vyeri e për këtë ja vlen çdo sakrificë në kohë apo përkushtim. Çdo mbasdite të jeni pranë fëmijëve tuaj se koha ikën shumë shpejt, fëmijët rriten e s’të ngelet gjë tjetër veç kohë e lirë për të plotësuar veten. Ka vështirësi? Po.


Jo çdo prind kupton detyrat e dhëna, s’është në gjëndje t’i ndihmoj. Por studimet kanë treguar se prania e tyre e përherëshme tek fëmijët ka bërë që t’ia dalin shumë mirë dhe t’i kryejnë detyrat me sukses. Asgjë s’është e pamundur nëse ka bashkëpunim prind-mësues.


Fëmijët duke u rritur pranë familjarëve shohin që kanë edhe ata jo vetëm të drejta po edhe detyra. Mësohuni herët fëmijëve që përveç të drejtave kanë edhe detyra që duhet të kryejnë e në kohën e caktuar. I mësoni të vendosin, të zgjedhin, të jenë të përgjegjshëm e të marrin përgjegjësi! Qëndroni të palëkundur përballë kapriçove dhe përplasjeve të këmbëve! Bëni të mundur që teknologjia e informacionit (celulari, tableti) të bëhet miku dhe jo armiku i tyre! Kaloni më shumë kohë me fëmijët se sa në biseda me miqtë!


Detyrat e shtëpisë duhen parë si një kohë e kaluar sëbashku, me vështirësi, me paqartësi por dhe bukur. Pas detyrave?! Do të luani, do të bëni biskota të shijshme, do të shëtisni, do të shkoni tek gjyshi, do të lexojë secili librin e tij mami, babi, fëmija. Mos harroni: Shembulli është mësimi më i mirë për fëmijët dhe ata janë mjeshtra për të imituar. Detyrat e shtëpisë kanë disa misione brenda tyre. Ai më i rëndësishmi?! Një familje e bashkuar dhe e lumtur.            

                                                                               


YLLKA TALO – Mësuese arsimit fillor, shkolla artistike “Naim Frashëri”  Vlorë

 

7,378 Lexime
4 vjet më parë