DETYRAT E SHTËPISË

Detyrat e shtëpisë, një pamundësi?

Erdhi shkolla dhe bashkë me të detyrat e shtëpisë. Oh kjo është vuajtje për mua! Këto janë fjalët e para të një prindi me të cilin kontaktuam ndërsa ishim duke realizuar një studim mbi prindërimin.

Erdhi shkolla dhe bashkë me të detyrat e shtëpisë. Oh kjo është vuajtje për mua!

Këto janë fjalët e para të një prindi me të cilin kontaktuam ndërsa ishim duke realizuar një studim mbi prindërimin. Detyrimisht, objekti i vëzhgimit tonë tonë pësoi një devijim të lehtë, sepse pozicioni i mësuesit, nuk mund të mos reflektonte në këtë marrëdhënie e cila, në fakt lidhet drejt për së drejti me punën tonë. 


Të kesh një fëmijë i cili manifeston një marrëdhënie jo fort të paqtë me detyrat e shtëpisë, në mënyra të ndryshme është një ngjarje që mund ushtrojë presion ndaj një prindi. Në vend që të konsiderohet si një moment i këndshëm për të qenë pranë fëmijës, koha për detyrat e shtëpisë merr formën e një momenti vërtet trysnues, i cili për më tepër, përsëritet çdo ditë!


Në themel të kësaj marrëdhënieje shpesh është mungesa e të kuptuarit të asaj që po ndodh me fëmijën. Të përcaktosh nëse kemi të bëjmë me një vështirësi njohëse, emocionale apo motivuese është pikënisja e shmangies së situatës në fjalë.


Prindi përpara stresit të fëmijës.

Kur një fëmijë vazhdimisht refuzon të impenjohet, ai vonohet, shpik arsye, ankohet, shfryn, etj. Atëherë prindi acarohet, ndjehet i nëpërkëmbur, ose e përjeton sjelljen e fëmijës si provokim ndaj rolit të tij si prind. Për ta kuptuar se sa e përhapur është kjo vështirësi, do t`i referohemi vlerësimeve të bëra mbi opinionet e një grup prindërish. Tema e bisedës vërtitej rreth një problem shumë të rëndëishëm të prindërimit: A e njohim veten si prind? Bëmë një test mbi fushën leksikore që shoqëron sintagmën “detyrat e shtëpisë”.

Kjo ndodh sepse prindi ka një lloj pritshmërije të caktuar: të bësh detyrat shpejt, madje pa asnjë gabim, ky është etaloni i ekselencës; ky është modeli që kërkon nga fëmija. Dhe kur nuk e arrin këtë, prindi shpesh zemërohet me fëmijën, e qorton, i flet, e quan dembel, joserioz, madje edhe e shantazhon apo ndëshkon. 

Reagimet e mësipërme janë të kuptueshme, veçanërisht kur prindi nuk ka kohë ose është i lodhur. Sidoqoftë në shumicën e rasteve ato janë antiproduktive sepse, duke mos marrë parasysh arsyet e sjelljes së fëmijës, ekziston rreziku që fëmija/nxënësi të reagojë më keq akoma, ose të mbyllet në vetvete. Si mësues, gjykojmë se ashtu siç detyra na e kërkon ne, edhe prindi duhet të thyejë  këtë korracë negativiteti, të flasë me fëmijën, të përpiqet të kuptojë cilat janë arsyet e një sjelljeje të tillë.

Për të kuptuar se çfarë ndodh me një fëmijë që nuk i pëlqen të bëjë detyrat e shtëpisë, është e dobishme që së pari të kuptohet se çfarë ndodh me ata që i bëjnë me dëshirë këto detyra.


Kur një fëmijë i bën me dëshirë detyrat e shtëpisë?

Një fëmijë me dëshirë i bën detyrat e shtëpisë kur kjo përvojë është për të një burim kënaqësie personale. Nga anketimet me një grup prej 125 nxënësish të klasave II-VII, kemi arritur në disa përfundime që do t`i parashtrojmë sipas dendurisë së përgjigjeve:

- këta nxënës i shohin detyrat e shtëpisë si sfidë ndaj vetes; 

-ata ndjehen të aftë për t`i bërë ato; 

-janë skrupulozë dhe i gjykojnë si një rrugët drejt suksesit;

- ato ç`ka mësojnë i gjejnë interesante dhe argëtuese;

-u pëlqen që prindërit entuziazmohen me rezultatet pozitive;

-ata ndihen afër prindërve dhe i vlerësojnë si mbështetje në vështirësitë e tyre;

-ata e kuptojnë këtë si një përgjegjësi të tyren, një detyrë që duhet ta bëjnë patjetër.  


Që ta ndihmojmë një fëmijë, duhet së pari ta kuptojmë atë.

Siç kemi parë, sjelljet e ndryshme të refuzimit të një fëmije apo nxënësi para detyrave fshehin lloje të ndryshme të vështirësish: njohëse ("Unë nuk e kuptoj"), emocionale ("Unë nuk jam mirë"), dhe / ose motivues ("Unë nuk kam dëshirë ").

Nëse mësuesit apo prindërit arrijnë t`i kuptojnë këto vështirësi, atëherë ato duhet t`i shfrytëzojnë situatat për t`u ardhur realisht në ndihmë fëmijëve. Duke qenë në gjendje të kuptosh thelbin e vështirësisë së një fëmije/nxënësi, atëherë është më e lehtë të gjesh një strategji të duhur për të siguruar bashkëpunimin e tij edhe në rastet kur ai s`ka fare dëshirë të merret me detyrat e shtëpisë. Moskuptimi apo injorimi i tyre, ka të ngjarë të çojë në rebelimin e fëmijës/ nxënësit dhe në të ashtuquajturin "mur kundër murit". 


Mënyra të ndryshme për të ndërhyrë

Nëse edhe ju keni përjetuar një situatë të ngjashme dhe po ndjeheni në vështirësi, ose dyshoni se fëmija juaj ka një ose më shumë nga vështirësitë e identifikuara më lart dhe nuk dini si ta ndihmoni, gjëja e parë që duhet të bëni mund të ishte përballja me mësuesin. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, konsideroni të kontaktoni një psikolog, sepse ai mund t'ju ndihmojë në marrëdhëniet tuaja me shkollën dhe të gjeni mënyrën e duhur për ta ndihmuar fëmijën tuaj të përballet me detyrat e shtëpisë në mënyrë të qetë.



(Natasha Poroçani; Portali Shkollor)

4,047 Lexime
4 vjet më parë