Trajnim

Dhoma e Zejtarisë së Dortmundit dhe shkolla "Shën Jozefi" trajnojnë 424 persona nga Qarku i Lezhës

Në kuadër të bashkëpunimit të Projektit të Arsimit Profesional me Dhomën e Zejtarisë së Dortmundit të Gjermanisë, në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi” në Rrëshen janë përmbyllur trajnimet online. Për 2 vite janë trajnuar 424 pjesëmarrës në profilet: mekanikë, hidraulikë, elektroteknikë dhe saldime.

Në kuadër të bashkëpunimit të Projektit të Arsimit Profesional me Dhomën e Zejtarisë së Dortmundit të Gjermanisë, në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi” në Rrëshen janë përmbyllur trajnimet online. Këto trajnime janë zhvilluar nga instruktorët specialistë gjerman të Dhomës Zejtare të Dortmundit, për mësuesit dhe nxënësit, si edhe për punonjësit e sipërmarrjeve private të Qarkut Lezhë, që janë partnere me Shkollën.


Për afro 2 vite janë organizuar gjithsej 29 trajnime dhe janë trajnuar 424 pjesëmarrës kryesisht në profilet: mekanikë, hidraulikë, elektroteknikë, si edhe saldime. Gjatë këtyre ditëve u organizuan veprimtari të përbashkëta.


Dita e parë e takimit nisi me diskutime mbi rrjedhën e mëtejshme të projektit, vizitave dhe diskutimeve mbi pikat themelore te laboratorët e praktikës profesionale në ambientet e shkollës. Kurse dita e dytë pati një program të ngjeshur, që nisi me një takim me drejtuesit e shkollës “Shën Jozefi“ dhe mësuesit e praktikës profesionale, ku u diskutua mbi shumë pika, mes të tjerave edhe për angazhimin e vazhdueshëm të specialistëve gjermanë në profile të ndryshme profesionale. 


Në ditën e fundit përfaqësuesit e Dhomës Zejtare të Dortmundit, Franc Musolli, Tobias Schmidt dhe docenti profesional Bekim Uksini shpërndanë dëshmitë e pjesëmarrjes në trajnimet online. Pjesëmarrësit falënderuan shkollën "Shën Jozefi" si edhe Dhomën e Zejtarisë të Dortmundit për mundësinë që u është dhënë për t’u trajnuar dhe certifikuar në një nga profilet profesionale ndër më të kërkuarit në tregun e punës vendas dhe të huaj.


Më pas u diskutua mbi gjendjen aktuale të Projektit PAP dhe Pikat e Bashkëpunimit. Vizita e delegacionit gjerman u përmbyll me një drekë dhe shkëmbim kulturor të ndërsjellë mes përfaqësuesve të Dhomës Zejtare Dortmund, të shkollës "Shën Jozefi" dhe të Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka.


Përgatiti: Lindita Kokaj 

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,760 Lexime
2 vjet më parë