FLETË DITARI

Dielli luan me retë

Pjesë e shkëputur nga ditari personal, nga përjetime individuale. Në thelb të së cilave shpalset mesazhi: "Merrini parasysh idetë dhe mendimet e fëmijëve, mos i nënvlerësoni"...

Hedh sytë nga malet e Skënderbeut. Oh, sa bukur! - duken rrezet e diellit. Fshehur mbi re. Dielli qëndron, majat më të larta të maleve nga vetja i ndriçon. Ndërsa U-ja që formohet mes maleve poshtë reve, lë rrezet e diellit, që të depërtojnë. Majat qiellgërvishtëse të maleve ndajnë si me thikë dhe në vija të drejta rrezet e arta të diellit, duke formuar një pamje tërheqëse si prizëm, që mbështjell gjithë qytetin. Rrezet e shndritshme zgjatojnë drejt hapësirës së pafundme dhe bien mbi qytetin e Krujës. Hijeshinë atij ja shtojnë, rrethuar si nga një gardh shigjetash dhe  madhështinë e qytetit tregojnë.


Ishte mëngjes, lagështira akoma nuk ishte tharë. Retë ngrihen lart një copë here. Dielli shihet komplet. Vijnë re të tjera, dielli fshihet prapë dhe retë fashiten, hallakaten, dridhen e përdridhen, me ngrohjen e ajrit. Dielli nxjerr përsëri rrezet e tij që përshkojnë hapësirën e pafund, duke ndriçuar gjithçka. Papritmas, dielli u thotë reve.


Ejani! - o re të luajmë symbyllazi, derisa t`ju largoj të gjithave nga sipërfaqja e Tokës. Dhe aty do të fitoj vetëm unë, pasi për mua ka nevojë çdo gjallesë, që ekziston përmbi Tokë. Dhe lulet që  po rriten i këshillon, - mos e mbani kokën shtrembër duke kërkuar nga çdo anë, por ngrini kokën lart dhe më shikoni drejt e në sy. Drejtohuni gjithmonë nga drita, që të merrni energjinë e duhur për jetesë. 


Charles Bukowski thekson se; 

“Diku në ndonjë vend ka dritë.

 Mbase nuk do të jetë e madhe por errësirën e mund”. 


(Mendimet e një tetë-vjeçari, si i përjeton ngjarjet e jetës së përditshme)


Respektoje Shqipërinë

Në lagje disa fëmjë po këndonin dhe bërtisnin, kuq e zi, kuq e zi, oo oo, kuq e zi, kuq e zi, oo oo. 

Mbylle atë dritare, se na shurdhuan veshët, uli dhe grilat se nuk dua as t`i shoh me sy, fëmijë të këqinj, bëjnë shumë zhurmë, shtiracakë me sjelljet e tyre “të neveritshme”, ngjyrosur kokë e këmbë, kuq e zi, me shqiponja dhe mbuluar me flamuj të mëdhenj.

Jo, ata nuk po bëjnë zhurmë, po i këndojnë Shqipërisë, vendit të tyre, po vallëzojnë dhe po gëzojnë. Po i bëjnë jehonë.

Shqipërinë duhet ta respektojnë, Shqipëria s`ka nevojë për zhurmë dhe për sjellje të tilla, shumë rrëmujë. Shqipëria ka nevojë për respekt, përfundon Arbri.                                                                                                  

Me të renë apo me të vjetrën

Fësh-fësh-fësh. Cërr-cërr-cërr. Goditje e bukur.  Edhe një. Të lumtë! Fitoi makina e kuqe. 

Prapë goditje të tjera, njëra pas tjetrës, nuk merren vesh, një mori makinash ngjyra-ngjyra, njëra më e bukur se tjetra. 

Shtrirë në sfungjerin e preferuar, luan dhe flet njëkohësisht me lodrat e tij, por veshët i kapin çdo tingull, çdo zhurmë, çdo bisedë. Dhe miza po të kalojë e ndjen, e dëgjon, si lakuriqët e natës e ke ndjesinë e dëgjimit ti.

Mësuese! Me kë je ti? Me të renë apo me të vjetrën?

Unë jam me të renë, edhe ti duhet të jesh me të renë, se e reja sjell diçka ndryshe më të bukur. Po ti, - me kë je? Nuk ka rëndësi, se çfarë të them unë, se çfarë mendoj unë, por rëndësi ka, se si mendon ti?

“Unë jam me atë që e do Shqipërinë, i do njerëzit, nuk ua prish shtëpiat. Nuk ka rëndësi në është e re apo e vjetër.” - thotë Arbri pa e ngritur kokën nga lodrat dhe lojrat e tij, ndërsa spikerja e televizorit, po përfundonte emisionin televiziv dhe përshëndet - “Mirupafshim në edicionin tjetër të lajmeve”!

Merrini parasysh idetë dhe mendimet e fëmijëve, mos i nënvlerësoni.



Drita Gjaci Topjana, mësuese, 2015-2019 (pjesë nga ditari im)

 

2,071 Lexime
4 vjet më parë