Aktualitet

Draç, del mësuesi në pension, nxënësit kanë tri javë që nuk bëjnë mësim rregullisht

Thuajse prej 3 javësh nxënësit e klasës së 5-të të shkollës “Pren Simoni” në fshatin Draç të Gjirit të Lalzit, Durrës, nuk e zhvillojnë mësimin në mënyrë të rregullt, fill pasi mësuesi i tyre kujdestar doli në pension. Janë ankuar prindërit. Drejtuesi i shkollës ka thënë se proceduarat kanë sjellë vonesë.

Thuajse prej 3 javësh nxënësit e klasës së 5-të të shkollës “Pren Simoni” në fshatin Draç të Gjirit të Lalzit, Durrës, nuk e zhvillojnë mësimin në mënyrë të rregullt, fill pasi mësuesi i tyre kujdestar doli në pension.


Këtë gjë e ka bërë të ditur njëri prej prindërve të këtyre nxënësve i cili na ka kontaktuar në adresat e Portalit Shkollor Albas.


 “Në shkollën Pren Simoni, Draç, klasa e 5-të nuk ka mësues që prej 3 javësh, pasi mësuesi që kishin doli në pension. Fëmija im dhe shokët e shoqet e klasës nuk bëjnë mësim tamam, pasi nuk kanë mësues kujdestar. Ju lutem me jepni një rrugëzgjidhje. Në shkollë na kanë thënë që mësuesi do vij sot, do vij nesër, por asnjë nuk është bërë. Preferoj të mbetem anonim!”, ky ka qenë informacioni paraprak që na ka dërguar njëri prej prindërve. 

Foto e shkëputur nga postimi në Facebook i shkollës “Pren Simoni” me rastin e daljes së mësuesit në pension, 20 janar 2022

Njëri prej prindërve na ka thënë gjithashtu se fëmija i tij gjatë kësaj kohe ka shkuar në shkollë, por është bërë pjesë e klasave të tjera të ciklit fillor ose 9-vjeçar dhe se ai ka mangësi në marrjen e dijeve pasi nuk zhvillon mësim të rregullt. 


“Mësuesit e tjerë i japin ndonjë detyre shtëpie dhe kaq. Kanë mbetur prapa me mësimet se askush nuk ua shpjegon. Nuk ja kontrollon askush detyrat për t’i vlerësuar me not. Më shumë qëndrojnë jashtë shkollës se sa brenda saj”, ka thënë prindi. 


Në një prononcim për Portalin Shkollor Albas, drejtori i kësaj shkolle, Viktor Plaku, na ka thënë se kërkesa për mësues për këtë klasë është bërë prej kohësh në ZVA dhe brenda kësaj jave pritet që rasti të marrë zgjidhje. Vonesa sipas tij ka ardhur për shkak të procedurave të caktuara të punësimit të mësuesit, nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.


“Nuk është e vërtetë që nxënësit nuk kanë zhvilluar mësim, pasi ne jemi përpjekur që së bashku me stafin të punojmë me një kalendar të posaçëm për zëvendësime orësh për këta nxënës duke i dërguar mësues nga klasat e fillores ose të 9-vjeçares për të zhvilluar lëndë të caktuara. Unë e kam bërë kërkesën në ZVA-n e Durrësit dhe besoj brenda kësaj jave do të kemi një mësues për këtë klasë”, kështu ka pohuar drejtori i shkollës.


Sakaq për rreth 15 nxënësit e klasës së 5-të shkollës “Pren Simoni” në fshatin Draç të Gjirit të Lalzit, Durrës, pritet që situata të marrë zgjidhje konkrete. 



N.Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,357 Lexime
2 vjet më parë