Intervistë

Drejtori IZHA-s, Janaqi: trajnimet e mësuesve, të vlefshme për punën e tyre

Për të parë ecurinë dhe dobishmërinë e trajnimeve të mësuesve në shkallë vendi, Portali Shkollor ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e IZHA-s, Gerti Janaqi. Për të monitoruar në terren trajnimet dhe cilësinë e tyre, është ngritur një task forcë.

Z.Janaqi si po vijon trajnimi i mësuesve në shkallë vendi? 

ZHVP e mësuesve është një komponent shumë i rëndësishëm në punën e institucionit tonë. Zhvillimi profesional i mësuesve mbulohet në pjesën më të madhe nga IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) nëpërmjet trajnimeve të mësuesve të drejtuesve të rrjeteve profesionale, të drejtuesve të shkollave etj.  Gjithashtu KAPT ka akredituar IAL-të për të ofruar trajnime cilësore me mësuesit. Me ngritjen e portalit të ri trajnime.arsimi.gov.al të gjitha modulet e akredituara nga agjencitë trajnuese janë hedhur në këtë portal rreth 419 module. 


Në fillim u pa nevoja për përmirësim të mësuesve. Por sa i kanë përkrahur ata këto trajnime dhe sa i kanë shërbyer këto të fundit në pjesën praktike përballë nxënësve?  

Trajnimi i mësuesve fokusohet më së shumti në zbatimin e kurrikulës, metodologjinë e mësimdhënies, vlerësimin e nxënësit, portofolin e nxënësve etj., dhe në këtë kuadër ato janë shumë të vlefshme për punën e përditshme të mësuesit. Mësuesit i kanë përkrahur shumë dhe vazhdimisht kërkojnë që të kryejnë trajnime cilësore dhe të vlefshme për punën e tyre duke pasur impakt të drejtpërdrejtë te nxënësi. 


Çfarë temash (module) përfshijnë kryesisht trajnimet? 

Trajnimet fokusohen më së shumti në zbatimin e kurrikulës me bazë kompetencat, metodologjinë e mësimdhënies, vlerësimin e nxënësit, nisma 3 lëndë në 6 orë, përdorimi i TIK në mësimdhënie, portofoli i të nxënit etj.


Nga cilët persona zhvillohen trajnimet? 

Trajnerët janë specialistë të IZHA-s, pedagogë të IAL, por edhe specialistë të tjerë që kanë akredituar modulet e trajnimit, pra KAPT.


Si po i kontrolloni trajnimet apo si po i verifikoni ato? 

Portali trajnimi.arsimi.gov.al krijon një mundësi shumë të mirë për të monitoruar të gjitha trajnimet e zhvilluara. Agjencitë kanë kalendarin e trajnimit për të cilin ne kemi informacion në kohë reale për trajnimet e zhvilluara. Gjithashtu mësuesit regjistrohen në portal, kështu që ne kemi informacion për çdo mësues që merr trajnime nga një agjenci e akredituar. Përpos kësaj një task forcë është ngritur me urdhër të ministrit për të monitoruar në terren trajnimet  e kryera lidhur me cilësinë e tyre.


A pritet të rritet numri i mësuesve në trajnime? 

Sigurisht që do të rritet, sepse ky është edhe qëllimi ynë. Sa më shumë mësuesi të zhvillohet profesionalisht aq më cilësor do të jetë ai në punën e tij.

 

Sa kredite i nevojitet çdo mësuesi në një vit?

Një mësues duhet të zhvillojë 3 ditë trajnimi në vit që do të thotë 18 orë trajnimi në vit apo 1 kredit.


Përveç krediteve çfarë kriteri tjetër plotësues do ta rendiste një mësues si më të mirin? 

Sigurisht rezultatet e nxënësve. Standardet e mësuesit kanë përcaktuar qartazi se çfarë kompetencash duhet të zotërojë mësuesi për të qenë një mësues cilësor dhe efektiv në punën e tij. 


Kur përfundojnë trajnimet e këtij viti dhe a do të ketë të tilla në vitet që do të vijnë? 

Trajnimet janë të vazhdueshëm, janë pjesë e punës sonë. 


Po për mësuesit ndihmës a janë caktuar trajnime specifike? 

Po edhe për mësuesit ndihmës do të ketë trajnime sidomos për nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuara. Kjo do të realizohet jo vetëm nga IZHA, por edhe në bashkëpunim me universitete  dhe organizata të tjera.  


Pak kohë më parë nga ana e Ministrisë së Arsimit është folur edhe për rëndësinë e shkollës për drejtuesit e shkollave, më saktë për diplomimin e tyre. Në cilën fazë gjendeni për këtë? 


Në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore. 


(Nanila Biçaku, Portali Shkollor) 

19,163 Lexime
5 vjet më parë