Informimi

Droga, projekti për të sensibilizuar nxënësit

Studimet tregojnë se pavarësisht këshillave dhe paralajmërimeve tona për të mos e provuar drogën, një numër i madh adoleshentësh do të eksperimentojnë rastësisht me substanca të dëmshme, apo do të përdorin rregullisht droga të tjera.

Duke qenë një aktivist i shoqërisë civile që nga 1992, tashmë besoj se ndryshimi / reformimi i vërtetë nis nga brenda nesh. Për të pasur një brez të ri dinamik, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm duhet një punë dhe kujdes i vazhdueshëm, si dhe një përqasje e duhur për të çliruar potencialin e të rinjve dhe motivimin për të ecur përpara. 


Shoqata Aksion Plus, themeluar në 1993, tashmë funksionon si një qendër shumë-funksionale për edukimin e të rinjve për parandalimin e HIV/AIDS, droga, shëndeti riprodhues dhe probleme të tjera që lidhen me të rinjtë dhe specifikat e tyre. Projekti “Psikologu dhe punonjësi social në shkollat e mesme” është iniciuar nga Aksion Plus që nga viti 2000 dhe tani po zbatohet si një model i suksesshëm për të rinjtë. Ndërhyrje të tjera me ministritë e linjës, kanë rezultuar po aq të dobishme dhe pozitive. Duke pasur parasysh që të rinjtë, përveç se të marrin mësimet standarde dhe njohuri akademike, kanë shumë nevojë për t’u edukuar për aftësitë për jetën, se si të përballojnë stresin/problemet e tyre, si të ulin dhe të shmangin rreziqet ndaj të cilave ekspozohen, si dhe kur duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur, si të shohin drejt të ardhmes me këmbët në të tashmen, si të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyrë konstruktive, si të jenë në paqe me veten dhe të tjerët, por dhe në funksion të shëndetit të tyre holistik, qendra jonë gjithashtu ofron ekspertizë dhe mbështetje edhe për tematika si:


1-      Mendimi pozitiv dhe edukimi tërësor nëpërmjet Jogës dhe meditimit

2-      Muzika Rock, poezia dhe fryma e lirisë që përcjell të të rinjtë.


Besojmë se dy tematikat bazike që përmendëm kanë një ndikim madhor në jetën e të rinjve, duke u ofruar në përqasjen e duhur. Por jo vetëm në këtë rrafsh – transformimi i vërtetë i një kombi fillon te njerëzit/individët që do t’i ndërmarrin dhe zbatojnë këto transformime. 


Ne besojmë se transformimi i vërtetë fillon nga brenda, nga mendja, shpirti dhe pastaj del dhe vepron jashtë nesh. Ashtu si poeti W. Blake, apo Walt Whitman shikonin një “botë apo univers në një kokrrizë rëre apo fije bari”, dhe ne besojmë se botët e brendshme dhe të pasura të të rinjve mund të ‘shpërthehen’ për të zbuluar territore të reja, të pakufishme, shpresë-dhënëse për të ardhmen. Pa ide, qëllime dhe objektiva afat-gjata, çdo reformë apo ndryshim nuk përparon. 


Për temën e parë Aksion Plus ka persona të trajnuar dhe certifikuar, si dhe janë prezantuar në teknikat e meditimit më shumë se 600 persona, ndërsa për temën e dytë, ajo që mund të themi është se në kurrikulën e shkollave të mesme, libri i Gjuhë-Letërsisë 12, botimet shkollore Albas, janë përfshirë katër faqe për poezinë dhe muzikën Rock, që ne e shohim si një hap pozitiv. Edukimi muzikor është shumë i ndërlidhur dhe me temat e tjera të përmendura, sidomos kur bëhet fjalë për promovimin e paqes dhe dashurisë, në vend të një mënyre sjelljeje të jetës me drogë dhe seks në aspektin destruktiv. 

 

Shpresojmë që mësuesit t’i japin rëndësinë e duhur, si një mjet për të edukuar të rinjtë, por dhe duke vënë theksin në aspektin zbavitës të mësimdhënies dhe të nxënies. Jo vetëm nxënësit dhe studentët kanë nevojë të prezantohen me tema të tilla, por dhe mësuesit kanë nevojë ta zgjerojnë horizontin e tyre, të njohin mirë drogat dhe efektet e tyre, të gjejnë mënyrën e duhur se si ta adresojnë problemin në bashkëpunim me të gjithë aktorët e interesuar dhe ta shohin realitetin e të rinjve nga një këndvështrim tjetër, të shëndetshëm, më dinamik dhe modern. 


Aksion Plus ftohet shpesh për të lektruar në shkollat e mesme, si dhe nga Fakultetet apo Universitetet e ndryshme, për temat e drogës AIDS, të drejtat e njeriut, ligjeve dhe politikave për të rinjtë, së fundmi dhe për Jogën apo meditimin, por besojmë se një bashkëpunim më i qëndrueshëm dhe institucional do të ishte shumë më i vlefshëm. Vizioni dhe aspirata për një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë, është i mundur dhe ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë, siç kemi bërë deri tani, me pak ose aspak mbështetje.

 

Siguria, mbi të gjitha

Metoda që bazohet në realitet dhe që Aksion Plus zbaton me të rinjtë e shkollave të mesme për parandalimin e përdorimit të drogës, dhe edukimin seksual në lidhje me seksin më të sigurt. Studimet tregojnë se pavarësisht këshillave dhe paralajmërimeve tona për të mos e provuar drogën, një numër i madh adoleshentësh  do të eksperimentojnë rastësisht me substanca të dëmshme, apo do të përdorin rregullisht droga të tjera, përfshirë dhe alkoolin. Kjo nuk do të thotë që ata janë fëmijë të këqij. Realiteti tregon se droga është pjesë e kulturës së adoleshentëve sot. Mbajtja e të rinjve sa më të sigurt do të jetë prioriteti ynë kryesor. Për t’i mbrojtur ata, do të na hyjë në punë një mënyrë me bazë realitetin, që do t’i aftësojë të rinjtë për të marrë vendime më të përgjegjshme lidhur me:


• sigurimin e informacioneve të ndershme dhe me bazë shkencore, 

• përdorimin me maturi, nëse eksperimentimi i të rinjve bëhet i vazhdueshëm

• kuptimin ligjor dhe social për pasojat. 


Edukimi i ndershëm me bazë shkencore

Edukimi efektiv duhet të bazohet në fakte shkencore dhe në aftësitë e adoleshentit për të kuptuar, analizuar dhe vlerësuar. Subjektet e mësipërme mund të integrohen në një mori kursesh të shkollave të mesme dhe kurrikulat mësimore. Shpesh adoleshentët dinë më shumë se ç’pandehet, për alkoolin dhe drogat e tjera. Prandaj, të rinjtë duhet të përfshihen në zhvillimin e programeve edukativo-kulturore,  dhe klasat duhet të shfrytëzojnë ndërveprimin dhe përfshirjen e tyre në vend të leksioneve mekanike.


(Genci Muçollari, Portali Shkollor)

2,528 Lexime
6 vjet më parë