Reflektim

Manushaqe Hoxha Laçi: Një vit i ri shkollor, një mision i përbashkët

Një vit i ri shkollor nis me një mision të përbashkët: të ndërtojmë një shkollë ku dija, edukimi dhe respekti ecin bashkë. Mësuesja Manushaqe Hoxha Laçi sjell një mesazh për bashkëpunimin mes mësuesit, nxënësit dhe prindit, si themel i një shkolle më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.

Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has


Si mësuese me përvojë në arsimimin dhe edukimin e brezave, me fillimin e vitit të ri shkollor, dëshiroj të përcjell përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për të gjithë botën e arsimit: për vogëlushët që nisin rrugëtimin e tyre në kopshte, për nxënësit e arsimit fillor, AMU-së dhe AML-së, si dhe për të gjithë mësuesit, prindërit dhe punonjësit e arsimit që çdo ditë i japin kuptim këtij misioni!


Uroj që ky vit të nisë me besim, të vazhdojë me përkushtim dhe të mbyllet me rezultate që na bëjnë të gjithëve krenarë. Mbarëvajtja e procesit mësimor nuk është përgjegjësi e një apo një grup individësh, por rezultat i një bashkëpunimi të sinqertë, të thellë dhe të pandërprerë mes mësuesit, nxënësit dhe prindit.


Mësuesi nuk është vetëm përcjellës i dijes. Ai është udhërrëfyes, edukator, model dhe një nga njerëzit që ndikon drejtpërdrejt në formimin e karakterit të brezit të ri. Prandaj, respekti ndaj mësuesit duhet të jetë pjesë e kulturës së shkollës, ashtu siç respekti duhet të jetë i ndërsjellë mes të gjithë pjesëtarëve të saj.


Por edhe nxënësi duhet të njohë qartë jo vetëm të drejtat, por edhe detyrimet e tij. Të dijë se liria nuk është mungesë rregullash, se e drejta e tij për t’u dëgjuar nuk e përjashton detyrimin për të respektuar të tjerët, mësimin, mjedisin shkollor dhe normat e bashkëjetesës. Këto vlera nuk vlejnë vetëm brenda klasës, por edhe jashtë saj, sepse shkolla nuk formon vetëm nxënësin e sotëm, por qytetarin e së nesërmes.


Në këtë rrugëtim, prindi është partner i pazëvendësueshëm i mësuesit. Fëmija ka nevojë për një urë të fortë komunikimi mes familjes dhe shkollës. Prindi duhet të jetë pranë mësuesit jo vetëm kur shfaqet një problem, por gjatë gjithë procesit të rritjes, edukimit dhe formimit të fëmijës së tij. Vetëm duke folur me njëri-tjetrin, duke dëgjuar dhe duke kërkuar zgjidhje së bashku, mund t’i japim fëmijës mbështetjen që meriton.


Detyra jonë njerëzore dhe morale është të ndërtojmë shkollën si një hapësirë ku dija bashkohet me edukimin, barazia me drejtësinë dhe disiplina me respektin. Një shkollë pa bullizëm, pa përjashtim, pa poshtërim, pa shkelje të rregullave dhe pa paragjykime. Një shkollë ku çdo nxënës ndihet i mirëpritur, i vlerësuar dhe i sigurt për të qenë vetvetja, ndërsa mëson të respektojë tjetrin.


Shkolla duhet të jetë institucioni që shkëlqen, mirëpret, ndërton dhe formon. Aty nuk ndërtohen vetëm njohuritë, por edhe karakteri, përgjegjësia, qytetaria dhe dinjiteti i individit. Aty hidhen themelet e njeriut që nesër do të marrë përgjegjësi në familje, në shoqëri dhe në vend.


Në këtë mision të madh, uroj që nxënësit të jenë maksimalisht të angazhuar. Telefoni dhe rrjetet sociale mund të presin ndërsa ora e mësimit jo. Koha në klasë është një mundësi që duhet shfrytëzuar për të mësuar, pyetur, menduar, krijuar dhe për t’u rritur. Dija e fituar sot është kapitali që askush nuk mund ta marrë nesër.


Sepse, siç dihet, arsimi është arma më e fuqishme e një kombi. Një komb i arsimuar di të mendojë, të zgjedhë, të ndërtojë dhe të mbrojë të ardhmen e vet. Çdo libër i hapur, çdo mësim i përvetësuar, çdo nxënës që ecën përpara është një hap drejt një shoqërie më të qytetëruar dhe një Shqipërie më të mirë.


Dhe për çdo punonjës të arsimit që nis këtë vit me të njëjtin përkushtim, uroj që lodhja, durimi dhe sakrifica e tij të shpërblehen me sukseset e nxënësve. Sepse nuk ka shpërblim më të madh për një mësues sesa të shohë nxënësit e tij të ecin përpara, të bëhen njerëz të mirë, të ditur, të përgjegjshëm dhe me personalitet.


Të vazhdojmë të jemi bashkë në këtë rrugë: mësues që udhëheqin me dije e shembull, nxënës që mësojnë me vullnet e përgjegjësi dhe prindër që mbështesin me besim e bashkëpunim. Kur këto tri hallka funksionojnë në harmoni, shkolla bëhet më shumë se një institucion: bëhet një shtëpi e dijes, e edukimit dhe e shpresës.


Gëzuar dhe mbarësi për vitin e ri shkollor!

Qoftë një vit i mbushur me dije, respekt, bashkëpunim, arritje dhe ëndrra të realizuara!

Dhe të mos harrojmë kurrë: fëmijët janë e ardhmja, mësuesit janë udhërrëfyesit e saj, prindërit janë mbështetja dhe arsimi është rruga që i bashkon të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë.


Një shkollë që edukon me dashuri, mëson me përkushtim dhe vepron me dinjitet, nuk ndërton vetëm nxënës të suksesshëm, por ndërton një shoqëri më të mirë.


Gëzuar fillimin dhe mbarëvajtjen e një viti të ri shkollor për të gjithë!




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

688 Lexime
6 orë më parë