Dy VKM, dy trajtime: Pse mësuesit po përballen me pasiguri ligjore
Shkrimi i Fiqiri Çiflikut analizon konfuzionin e krijuar nga dy VKM-të për kompensimin e transportit të mësuesve, të cilat japin kritere dhe shuma të ndryshme. Ai thekson mungesën e qartësisë ligjore që sjell trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për mësuesit dhe institucionet, duke kërkuar unifikim të urgjent.
Ka qarkulluar në rrjet, një shkresë e Ministrisë së Arsimit, si përgjigje ndaj sindikatave, në lidhje me përfitimin e subvencionit të çmimit të transportit të punonjësve mësimor dhe kompensimit për mësuesit që punojnë larg vendbanimit.
Sipas meje, më shumë ka krijuar konfuzion sesa ka sqaruar publikun, strukturat dhe të interesuarit që preken drejtpërdrejtë nga përcaktimet e dy vendimeve. Vendimit nr. 425, datë 26.6.2024, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimore në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar dhe vendimit nr. 119, datë 1.3.2023 “Për përdorimin e fondeve publike për transportin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, (ndryshuar me VKM nr. 239, datë 24.4.2025). Po përpiqem të sqaroj sadopak VKM-të, që ofrojnë shifra të ndryshme kompensimi për të njëjtin qëllim, duke e konsideruar thelbësore për trajtim të barabartë në gjithë territorin. Sot kemi ZVAP që kanë paguar 2700 lekë për çdo mësues që udhëtojnë mbi 5 km larg vendbanimit, ashtu sikundër kemi ZVAP që nuk u kanë paguar asnjë lekë.
Sipas VKM-së 425/2024, pika 11, punonjësit arsimorë në institucionet arsimore parauniversitare, të cilët punojnë në IAP-at publike dhe vendi i punës është më shumë se 5 km larg nga vendi i banimit, përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit. Punonjësit mësimorë, të cilët punojnë larg vendbanimit, përfitojnë një kompensim në masën, si më poshtë vijon:
kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, mbi 5 (pesë) kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 2 700 (dy mijë e shtatëqind) lekë në muaj;
kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, mbi 5 (pesë) kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës, por nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 6 000 (gjashtë mijë) lekë në muaj.
Në të dyja rastet, kompensimi për largësi nga vendbanimi nuk aplikohet për periudhën gjatë së cilës punonjësi mësimor kryen pushimet vjetore të pagueshme.
Përcaktimi në pikën a dhe b: “brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane”, krijon konfuzion pasi nuk përputhet me konceptin e bashkive të sotme. P.sh. rrethi i Beratit ka brenda edhe bashkinë Dimal apo Kuçovë dhe në këtë kuptim përfitues do të jenë edhe ata mësues që udhëtojnë nga Berati në një shkollë që ndodhet në bashkinë Kuçovë apo Dimal. Pyetja është po nëse mësuesi udhëton nga Berati në Lushnjë apo Roskovec, a do të përfitojë? Sepse Lushnja dhe Roskoveci janë pjesë e një rrethi tjetër.
Ndërkohë, vendimi nr. 119, datë 1.3.2023 “Për përdorimin e fondeve publike për transportin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, (ndryshuar me VKM nr. 239, datë 24.4.2025), flet për punonjësit arsimorë të institucioneve arsimore parauniversitare publike, që punojnë larg vendbanimit të përhershëm të tyre, jashtë qendrave urbane dhe kthehen brenda ditës në vendbanim, në distancën mbi 5 km deri në 50 km. Pra sipas këtij vendimi bie koncepti i rrethit duke iu referuar largësisë nga vendbanimi dhe qendra urbane. Pika 6 e vendimit, e shkallëzon këtë vlerë në bazë të distancës, duke ofruar kompensim më të ulët për distancat më të shkurtra (p.sh., 1,000 lekë nga 5 deri në 10 km; 1,500 lekë nga 10 deri në 20 km) dhe duke e ruajtur vlerën 2,700 lekë vetëm për udhëtimet mbi 20 deri në 50 km.
Në pikën 7 të VKM-së 119/2023, përcaktohet gjithashtu se punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike të arsimit të përgjithshëm, kur punojnë jashtë qendrës urbane, në distancë nga vendbanimi i tyre mbi 50 km, dhe kthehen brenda ditës në vendbanim, përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas pikës 1 të këtij vendimi, si dhe përfitojnë kompensim mujor, sipas shkronjës “a”, të pikës 11, të vendimit nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, pra saktësisht përfitojnë kompensimin 2700 lekë.
Ndërkohë për punonjësit, në distancë nga vendbanimi mbi 50 km, të cilët nuk kthehen brenda ditës në vendbanim, që nuk përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas këtij vendimi, përfitojnë kompensim mujor, sipas shkronjës “b”, të pikës 11, të vendimit nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, ose vlerën e kompensimit 6000 lekë. Nuk po ndalem në këtë shkrim në çmimet e biletës sipas distancave dhe tarifave të miratuara me vendimin nr. 92, datë 21.2.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus”, që nuk janë më shumë se 50% e vlerës reale që paguhet apo për mos lëshimin e biletës përkatëse nga operatorët ekonomikë të transportit publik apo kontratave të qirave për mësuesit që nuk kthehen brenda ditës, si dokumente që duhet të vërtetojnë faktin e udhëtimit apo moskthimit të mësuesit brenda ditës.
Siç shihet qartë në dy VKM kemi dualitet i cili krijon pasiguri të drejtpërdrejtë juridike dhe financiare. Aplikueshmëria e normës fikse në VKM 425 pre 2700 lek dhe normës së shkallëzuar ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat e mësuesve dhe në llogaritjet buxhetore të institucioneve. Institucionet dhe mësuesit duhet të dinë saktësisht cila është norma e saktë që duhet të zbatohet. Konfuzioni nuk mund të shkaktohet nga vetë aktet ligjore dhe shkresat zyrtare. Ligjet dhe aktet nënligjore duhet të jenë të qarta, të kuptueshme dhe jo kontradiktore. Kontradiktat mes VKM-ve të ndryshme (ose brenda tyre) minojnë këtë parim dhe hapin derën për interpretime arbitrare dhe zbatim të gabuar. Ndaj është nevoje urgjente unifikimi i terminologjisë ligjore. Ministria e Arsimit duhet të flasë qartë, shqip dhe pa gabime në çdo rast edhe në të tjera, jo të citojë rëndom; “referojuni bazës ligjore e nënligjore në fuqi”, apo të përsërisë ato që janë të paqarta. Nëse aktet janë kontradiktore, sqarimet aspak sqaruese, atëherë edhe strukturat e varësisë e kanë të pamundur të "asistojnë, monitorojnë dhe inspektojnë" zbatimin e tyre në mënyrë korrekte. Së pari duhet të sigurohet qartësia në krye të zinxhirit.
Si përfundim, kontradiktat mes VKM-ve duhet të zgjidhen menjëherë nga autoritetet qendrore përmes një akti interpretues ose një VKM-je të re që shfuqizon çdo normë të vjetër. Përndryshe, mësuesit dhe zyrtarët e financave do të vazhdojnë të jenë të detyruar të bëjnë zgjedhje mes normave kontradiktore, duke cenuar parimin e barazisë dhe sigurisë juridike.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600