GJITHËPËRFSHIRJA NË ARSIM

E drejta në gjithëpërfshirje

Arsimi gjithëpërfshirës nënkupton organizimin dhe mbështetjen sipas nevojave individuale që fëmija ka. Shoqëria dhe institucioni duhet të jenë përkrahës maksimalë të integrimit të personave me nevoja të veçanta...

Arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm vendosjen e fëmijës në shkollë, por edhe organizimin dhe mbështetjen sipas nevojave individuale që fëmija ka. Gjithëpërfshirja e tyre nëpër shkolla është përcjellë me shumë vështirësi edhe pse tashmë kjo është një e drejtë legjitime për të drejtën e arsimimit të tyre. Por konteksti social që këta fëmijë përballen në të vertetë është krejt ndryshe në praktikë, duke nisur që nga komuniteti ku ata jetojnë dhe sidomos pranimi/ afrimiteti i tyre me bashkëmoshatarët. 


Por sa e vështirë është jeta e një individi me nevoja të veçanta?

Fëmijët me nevoja të veçanta shpesh hasin vështirësi në pranimin në shkolla publike, ku mungon mësuesi asistent si dhe zbatimi i një sërë hapash të tjerë të domosdoshëm për mbështetjen e duhur dhe sigurimin e edukimit në një ambient gjithëpërfshirës. Duke pasur parasysh mospranimin në shkolla, mungesën e sistemit të mbështetjës pas përfundimit të shkollës që sigurojnë një jetë aktive dhe gjithëpërfshirëse për një individ me nevoja të veçanta, është bërë fakt detyrues që njëri prej prindërve kryesisht nëna të bëhët shoqërues i këtij individi dhe bashkëvuajtës i këtij fenomeni janë gjithashtu edhe prindërit e tyre. Megjithëse gjithëpërfshirja e nxënësve me nevoja të veçanta në klasa të rregullta është krijuar si prirje për të identifikuar fëmijët me nevoja të veçanta, si fëmijë me aftësi të kufizuara.


Një fenomen që vazhdon të refuzohet edhe pse “me zë të ulët” nga prindër të cilët nuk kanë fëmijët me këto nevoja të veçanta duke u shprehur shpesh herë se mësimi në klasa të rregullta i nxënësve me nevoja të veçanta i pengon nxënësit e tjerë, por edhe vetë mësimdhënësit. Por duhet theksuar se fëmijë me nevoja të veçanta, është çdo fëmijë, i cili është duke përjetuar vështirësi në të mësuar. Ai mund të ketë nevoja të veçanta dhe bashkëpunimi shkollë-prind,  përbën një rëndësi të veçantë në tërë procesin e gjithëpërfshirjes. 


Procesi i të nxënit dhe ai i shoqërizimit të fëmijës realizohet në partneritet të ngushtë mes prindërve dhe mësuesve. Përfshirja e familjeve në programin e shkollës bën që fëmijët të kenë më shumë arritje dhe vetëbesimi i tyre të jetë më i lartë. Familja dhe shkolla janë dy komponentë të rëndësishëm në jetën e fëmijës. Duhet vënë në dukje se një rëndësi të madhe do të duhej t’i kushtohej vetëdijësimit të prindërve, fëmijët e të cilëve mbartin një sindromë apo vështirësi në të nxënë. Ata duhet të jenë në dijeni për të drejtat e fëmijëve të tyre dhe nevojave të tyre të veçanta. Sepse shërbimi, konkretisht e drejta për t’u arsimuar futet te nevojat e tyre bazike dhe e drejtë legjitime. 


Ndrydhja apo izolimi social i tyre është pasojë e aftësive të dobëta të komunikimit dhe socializimit me bashkëmoshatarët dhe jo vetëm. Edhe pse fondacione të shumta janë në mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta përsëri vëmendja dhe mbështetja duhet të jenë gjithmonë pranë tyre. Shoqëria dhe institucioni duhet të jenë përkrahës maksimalë të integrimit të personave me nevoja të veçanta, që të shihen si pjesë e barabartë e shoqërisë. 



(Mësuese Rovena Dokollari; Portali Shkollor)

3,246 Lexime
4 vjet më parë