Mbresa gjatë takimit me petroninsat

E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë

Drejtoresha e Botimeve në Albas, Rita Petro zhvilloi një bashkëbisedim me gjimnazistët e “Petro Nini Luarasit” për letërsinë në përgjithësi e poezinë në veçanti, për dëshirat personale...

Të rinj fatlumë - të rritur nga një brez prindërish e mësuesish mendjehapur...

A e dini sa ndjesi të bukur e optimiste mora pasditen e takimit me maturantët e Petro Ninit? U treguan aq të sinqertë, mendjehapur, të guximshëm në idetë e tyre, disa prej të cilave bien ndesh me mendimet e brezit tonë. Dëgjova esetë e tyre dhe ... m'u kujtua eseja e të riut Qemal Stafa "E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë; një jetë e re po lulëzon gërmadhash". Me të drejtë e mbajmë model të një shkrimi të guximshëm në ide dhe të logjikshëm në argumente; me të drejtë ndihemi të befasuar kur këto mendime i dëgjojmë nga një djalosh, kur për nga thellësia e argumentit, do ishte normal t'i gjenim në moshat e pjekura. U befasova se si e trajtonin gjimnazistët temën që u kish dhënë atyre mësuesja e letërsisë Oriana për konceptet tabu në shoqërinë shqiptare. Esetë e tyre mund të qëndronin fare mirë përkrah simotrës së tyre dhe, ndonëse temat ishin të ndryshme, dëshira për ndryshim në mentalitetin e shoqërisë shqiptare, ishte e njëjtë.

Asnjëherë nuk kam menduar se ajo çka trumbetohet në rrjete sociale apo në disa media se brezi i ri sot nuk ka fytyrën e tij, i mungojnë idealet frymëzuese, se ata janë të prirur ndaj drogës e prostitucionit etj, etj, se është brez që nuk di shkrim e këndim, nuk është dukuri përgjithësuese. Dhe sa herë takohem me nxënës apo gjimnazistë, më përforcohet ky mendim.

Gjatë takimit me petroninsat biseduam për letërsinë në përgjithësi e poezinë në veçanti, për dëshirat personale e intime të tyre në raport me dëshirat e prindërve dhe atë çka pret shkolla apo shoqëria prej tyre. Secili ish i bukur sipas mënyrës së tij të komunikimit dhe kjo e bëri takimin edhe më interesant, sa nuk e kuptuam si fluturuan orët...

Dhe ... ajo çka mendoj tani është ... ata janë fëmijë fatlumë që rriten nga një brez prindërish dhe mësuesish mendjehapur (si: Oriana, Kreuza, Odeta, Bardha e mësuese të tjera) që ua kanë hapur rrugën për të qenë të lirë, për të menduar në mënyrë kritike dhe për ta jetuar jetën me guximin që sjell kënaqësinë e të jetuarit.

Dhe sado të paktë në numër të jenë këta prindër e mësues bashkëkohorë, e rëndësishme është se ata janë mes nesh dhe pa e kuptuar bëhen udhërrëfyes për një brez më konservator.

Dhe së fundi...do doja të kthehesha prap aty se ata më ftuan përsëri ende pa u ndarë.

(Rita Petro)

1,648 Lexime
7 vjet më parë