Aktualitet

Ekspertët e arsimit kritika për mësuesinë: Të rikthehet statusi për arsimtarët dhe të rriten pagat

“Mësuesit sot kanë nevojë t’u rikthehet statusi, të paguhen mirë dhe ata që punojnë larg, të marrin dieta. Kështu mund të kthehet interesi në këtë profesion që në fakt është mision”, kështu janë shprehur ekspertët e arsimit në këtë kohë kur studentëve të ardhshëm po iu ofrohen më shumë degë mësuesie.

Lista e programeve të studimit, që janë shpallur me prioritet kombëtar, është zgjeruar edhe më shumë këtë vit me degët e mësuesisë. Megjithatë, ministria e Arsimit ka vendosur që nxënësit me mesatare më të ulët se 7.5 mund të përfitojnë bursë në degët prioritare, por nuk mund të bëhen mësues. Ekspertët e arsimit e shohin me skepticizëm këtë vendim, duke u shprehur se nevojiten politika më të sigurta dhe largpamëse sidomos për këtë profesion.


“Shteti ka në dorë dy instrumente të fuqishme që janë provimi i shtetit dhe licenca. Të lejohen studentët që të hyjnë në fakultet dhe të bëhet analiza dalëse në fund, renditja sipas arritjeve. Mësuesit sot kanë nevojë t’u rikthehet statusi, të paguhen mirë dhe ata që punojnë larg, të marrin dieta. Kështu mund të kthehet interesi në këtë profesion që në fakt është mision”, ka thënë për mediet Ndriçim Mehmeti, ekspertë i arsimit. 


Nga ana tjetër, tërhiqet vëmendja për profilizimin e universiteteve në mënyrë që të rritet cilësia dhe të ndërmerren vendime që i japin vlerë diplomës.



“Nuk na duhen arnime të këtij problemi madhor që paraqet mësuesia në vendin tonë. Niveli i studentëve është i ulët dhe po kështu do të jetë edhe niveli i mësuesve. Kjo është një kambanë alarmi, sepse ata kanë në dorë të ardhmen e shoqërisë. Prandaj na duhen strategji të mirëmenduara dhe me vizion që të kemi rezultate.”, është shprehur kështu Albana Ndoja, pedagoge. 



Këtë vit të ri akademik, për herë të parë do të kenë mundësi të studiojnë mësuesi edhe të diplomuarit në degë të përafërta. Ata do të ndjekin një program psikopedagogjik me 30 kredite, do të kryejnë provimin e licencës dhe një praktikë 3 mujore, por kriteret e regjistrimit pranë fakulteteve përkatëse janë ende të paqarta.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,867 Lexime
9 muaj më parë