Përhapja e COVID-19

Ekspertja e ISHP tregon skenarët: Kur mund të mbyllen shkollat

Dr. Eugena Tomini, Shefe e Inteligjencës Epidemiologjike në ISHP ka thënë në media se janë disa skenarë në rastet e shpërthimeve epidemike, kur ka qoftë dhe një fëmijë të infektuar, një klasë e tërë apo e gjithë shkolla. Informacioni në vijim.

Me hapjen e shkollave, ekspertët e shëndetit publik deklaruan se do të kishte rritje të numrit të infektimeve. Ka kaluar vetëm java e parë e nisjes të tyre dhe rastet e infektimeve në institucionet arsimore po raportohen çdo ditë pothuajse në qytete të ndryshme të vendit.


Shifrat e para u raportuan për Tiranën, e cila ka qenë vatra më e nxehtë e përhapjes së COVID-19. Që në ditët e para të procesit mësimor, 12 mësues dhe 3 nxënës në Tiranë kanë rezultuar pozitivë dhe po mbahen në izolim. Raste infektimesh janë evidentuar edhe në 4 shkolla të Fierit, ku 3 nga këto shkolla janë publike dhe një private.


Në 48 orët e fundit raportohet se është infektuar një nxënës gjimnazi në Pogradec, por edhe një rast në një nga shkollat e mesme në Gjirokastër. Ndërkaq një ditë më parë u raportua edhe për 4 mësues në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Mbrakull në Poliçan të cilët kanë rezultuar të infektuar me COVID-19 pas kryerjes së tamponit. Raportohet se mësuesit janë karantinuar po ashtu edhe disa kolegë të tyre ndërkohë që janë mbyllur disa klasa.


Natyrisht që përballë kësaj situate që nuk duket aspak e mirë që në javën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, përveç frikës që kanë prindërit për fëmijët e tyre dhe natyrisht që është shumë e rëndësishme të merret informacion se çfarë protokolli do të ndiqet kur dihet që COVID-19 është shumë i ngjashëm me virozat e stinës së dimrit dhe gripit vetë.


Dr. Eugena Tomini, Shefe e Inteligjencës Epidemiologjike në ISHP tha në “Wake Up” në Top Channel se janë disa skenarë në rastet e shpërthimeve epidemike; kur ka qoftë dhe një fëmijë të infektuar, një klasë e tërë apo e gjithë shkolla. 

“Edhe në rastet kur është infektuar e gjithë klasa skenari është izolimi i klasës, evidentimi i rasteve pozitive, hetimi epidemiologjik i secilit rast dhe karantinimi i personave të kontaktit, duke përfshirë edhe mësuesit që kanë bërë mësim në atë klasë. Dhe rasti ekstrem është mbyllja e një shkolle. Por pa kryer një hetim të detajuar nuk shkohet në këto masa ekstreme”, shpjegoi Tomini


Përgatiti për publikim Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,789 Lexime
3 vjet më parë