Vëzhgim

Ende mijëra nxënës braktisin shkollën çdo vit në Shqipëri...

Shifrat janë tepër shqetësuese, pasi mijëra nxënës braktisin arsimin e detyrueshëm çdo vit për shkak të varfërisë, emigrimit, martesave të vajzave në moshë të vogël dhe mentalitetit patriarkal. Rezulton se rrethet me numrin më të lartë të braktisjes janë: Korça, Dibra dhe Kruja.

Fiks mëngjes, duar për duar me vëllanë drejt shkollës. Ora shënon fiks 8:00, dhe befas u gjendëm para dyerve të shkollës 9-vjeçare Çipan, në Devoll. Ç’të shoh, të gjithë aty me padurim për të filluar orën e mësimit. Por një zë i lehtë më tërheq vëmendjen, “Ah sikur”.


Kthej kokën dhe pyes: -Pse sikur? 


Uli sytë, dhe tha: -Unë nuk munda të vazhdoja arsimin e mesëm, e gjithë etapa e arsimimit tim u mbyll pikërisht tek dyert e kësaj shkolle, menjëherë mbas përfundimit të ciklit 9-vjeçar. 


Ngurova të pyes, pse nuk ka mundur të vazhdojë më tej arsimin, por nuk mund të rija pa ja bërë pyetjen: --Po nëse rrethanat do të ishin ndryshe, a do të vazhdoje studimet më tej? 


Befas, fytyra e saj shndriti. 


-Po patjetër që do vazhdoja studimet, pasi pengesë e vetme për arsimin tim, dhe të motrës u bë mentaliteti që kanë familjet shqiptare, por sidomos familjet në zonat rurale. 



Adea, që për arsye personale nuk pranoi të prononcohet ne emrin e plotë, rrëfeu për ne se kishte luftuar fort për të vazhduar studimet, ku në të kundër të kërkesës për arsim, kërkesa e saj u zëvendësua me një martesë në moshë të hershme. 


“Pavarësisht se iu luta babai, ku të paktën të kryeja arsimin e mesëm, ai preferoi mos të sakrifikonte për mua dhe zgjodhi rrugën më të lehtë, të më martojë 15 vjeçe”, shprehet ajo. Ndryshe nga bashkëmoshatarët, edhe pse ora shënonte pothuajse ora 9:30 e paradites, Adea pothuajse në këtë orar zgjohet çdo ditë nga gjumi. 


Është vetëm 16 vjeç, por ndryshe nga shokët dhe shoqet e saj që nxitojnë për në shkollë, Adean nuk e la babai që të ndjekë ëndrrën për dije. E pafuqishme për të dalë kundër vullnetit të të atit, 16-vjeçarja, tashmë është e martuar me një 29 vjeçar. 


Një prej zyshave në këtë shkollën, nuk e fshehu hidhërimin për Adean.  

“Nuk e imagjinon dot sa më dhimbset. E ka mbaruar 9-vjeçaren me notat maksimale dhe ta dish çfarë lufte kemi bërë dhe sa i jemi lutur të atit që ta çonte në gjimnaz. Kur e mora vesh që e ka ndaluar më theri në zemër”, thotë mësuesja. Trishtimi i mësueses bëhet edhe më i madh kur na tregon se Adea ka edhe një motër më të vogël: “Po me sa duket, edhe atë nuk do e la kush të shkojë në shkollë,” shtoi ajo.

Edhe pse Adea ishte vetëm 15-vjeç, familja e saj ka marrë mori kërkesa për martesë, dhe nuk nguruan ta martonin. 


Historitë e vajzave që i martojnë sapo mbushin moshën e Adeas, në Shqipëri nuk janë të rralla. Shifrat janë tepër shqetësuese, pasi mijëra nxënës braktisin arsimin e detyrueshëm çdo vit për shkak të varfërisë, emigrimit, martesave të vajzave në moshë të vogël dhe mentalitetit patriarkal, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta nga sa raportohen. 


Sipas të dhënave të fundit të bëra publike nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, MASR vetëm gjatë viti shkollor 2016-2017, 1881 nxënës ose 0.5% e numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin e detyrueshëm raportoheshin se kanë braktisur shkollën. Në vitin shkollor 2017-2018, MASR raportoi se lanë arsimin e detyrueshëm, 1540 nxënës, ndërsa përgjatë vitin shkollor 2018-2019 ky numër ishte 1602 të mitur që lanë arsimin e detyruar.


Por, për ekspertët që e njohin situatën e shkollave, mentaliteti është vetëm njëra nga arsyet që çon në braktisje të shkollave. Sipas tyre, varfëria është emëruesi i përbashkët i të gjithë atyre që braktisin shkollën, ndaj puna duhet të nisë pikërisht me kurimin e varfërisë. 


Braktisja e shkollës nuk është një fenomen as i ri dhe as i panjohur për Shqipërinë. Ministria e Arsimit ka ndjekur gjatë dy dekadave të fundit politika të ndryshme për të minimizuar braktisjen, por ende mijëra fëmijë vazhdojnë të mbeten çdo vit jashtë arsimit të detyrueshëm. Pas viteve ‘90, kur u shënuan edhe rekordet e braktisjes së shkollave, ky fenomen u konsiderua kundravajtje administrative dhe u përfshi në ligjin e arsimit parauniversitar, i cili sanksiononte ndëshkime me gjobë. “Kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë ose e braktisin atë, prindërit e tyre dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1000 deri në 10000 lekë”, shkruhet në nenin 59 të këtij ligji. Me ligjin e ri të arsimit, ky penalizim është zgjeruar dhe synon të ndëshkojë jo vetëm personat fizikë, por edhe ata juridikë, nëse bëhen pengesë për ushtrimin e së drejtës së arsimimit te fëmijët e arsimit të detyrueshëm, penalizim që shkon deri në 80 mijë lekë.


Ndonëse zyrtarisht raportohet se vendi ynë ka ndër shifrat më të ulëta të braktisjes shkollore në rajon, shifrat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNESCO – që mbledhin statistika për arsimin dhe kulturën në mbarë botën janë dy herë më të larta se statistikat në vendin tonë.


Rezulton se rrethet me numrin më të lartë të braktisjes janë: Korça 2.33%, Dibra 1.33% dhe Kruja 1.21%, ndërkohë që qytete si Vlora, Përmeti, Hasi, Kolonja, Peqini, etj.,  e kanë nivelin e braktisjes zero.



Shkaqet e braktisjes së shkollës: pamundësia ekonomike, mentaliteti partiriakal dhe martesa e vajzave në moshë të re


Bazuar në intervistat e zhvilluara edhe me nxënës të tjerë, arsyet që vetë ata vendosin më së shumti në  dukje kanë qenë pamundësia ekonomike, por një arsye akoma dhe më habitshme ose e vështirë për ta pranuar në kohën në të cilën jemi, shqetësues ngelet mentaliteti patriarkal dhe martesa e vajzave në moshë të re.

“E lashë shkollën në vitin e parë të gjimnazit, pasi babai kuptoja ngacmimet që kisha prej çunave, dhe për shkak të mentalitetit ai sakrifikoi arsimimin tim”, shprehet XH.M.


Pra ky fenomen do të thellojë problemet sociale e më pas dhe problem të tjera. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës të një analize gjithëpërfshirëse nga institucionet përkatëse,e cila do të nxjerr në pah këto negativitete që përmenda e më pas do të parandalonte ato, duke kërkuar punë konkrete dhe paraqitje reale të gjendjes duke menduar rrugë të reja për të arritur synimet e caktuara në lidhje me fenomenin në fjalë. 


Nëse nuk arrihet sjellja e nxënësve braktisës në shkollë (edhe pse përpjekjet e shkollave janë të mëdha,  duke bashkëpunuar me bashkitë përkatëse dhe Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale), atëherë drejtori duhet të japë informacione reale në DRAP, duke kërkuar ndihmë të mëtejshme me mbështetje të saj. Përvojat e sipërpërmendura përbëjnë probleme jo të vogla e si rrjedhojë ato shoqërohen me pasoja negative. Këto bëjnë thirrje, që fenomeni i braktisjes së shkollës, nuk duhet mbuluar, por luftuar për t’u minimizuar. Që të mos ndodhin këto, DRAP, ZVA, MASR, duhet të bëjnë inspektime për punën që bëhen për të minimizuar braktisjen. Po ashtu politikat arsimore duhet të jenë qartësisht të realizueshme, që të kemi një progres pozitiv. Në të kundërt, fenomeni i braktisjes së shkollës rrezikon të shënojë rritje shifrash në të ardhmen.


Në rastin konkret zona e Devollit, është një zonë që mbart problematika sociale dhe ekonomike. Problematikat  kryesisht janë për çështje ekonomike që si pasojë  sjellin dhe numrin e lartë të nxënësve që kanë braktisur shkollën e janë larguar jashtë, por gjithashtu nuk mund të lemë pa përmendur dhe problematikat si pasojë e paragjykimeve apo nivelit kulturor.

Ndaj si rrjedhojë, “Fëmijët nuk duhet të privohen nga potenciali i tyre pavarësisht se mund jetojnë në rrethana të vështira. Në rastet kur familjet nuk janë të gjendje t’u përgjigjen nevojave të fëmijëve, shteti duhet t’u vijë në ndihmë”, UNICEF.


Lidhur me këtë shprehje nga UNICEF, na bën ne të kuptojmë se asgjë, dhe kundrejt asgjëje nuk duhet të bëhen kompromise për braktisjen e shkollës. Sepse është arsimimi ai i cili vlerësohet si e drejtë e njeriut në vetvete dhe si mjet i domosdoshëm për realizimin e të drejtave të tjera.  Pasi vetëm një sistem arsimor që bazohet në të drejta plotëson më së miri  misionin e që ka lidhur me arsimim cilësor për të gjithë.


Përgatiti: Marina Kërçeli


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,562 Lexime
3 vjet më parë