VIZIONI I SHKOLLËS

Etleva Kacanja: A e besojmë ne atë që duam t’i mësojmë fëmijëve?

A nuk besojmë te i Plotfuqishmi duke menduar gjithmonë që do të na shpërblehet besimi, puna, morali i drejtë, humanizmi, shërbimi ndaj atyre që kanë nevojë më shumë, edhe pse kurrë nuk e pamë “Atë”?!

     Dihet që arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e çdo individi. Edukimi shkollor është një pjesë thelbësore e procesit të zhvillimit të personalitetit për secilin. Ai duhet të promovojë arritjet e nxënësve përmes administrimit dhe praktikave efektive të menaxhimit të shkollës.


     Ne njohim standarde dhe kompetenca domethënëse në kuptimin e përgjithshëm të menaxhimit të shkollës, të cilat përfshijnë fushat e mëposhtme: vizioni shkollor, kultura shkollore, udhëheqja e shkollës, plani i zhvillimit të shkollës, kurrikula, komunikimi, etika dhe fusha të tjera. 


     Por ç’është vizioni i shkollës?

Në një interpretim të thjeshtë,vizioni i shkollës ofron "një pamje të asaj që shkolla synon të duket në një pikë të caktuar në të ardhmen". 


     Por për të ardhur deri në pikën ku fitohet kurora, duhet ndjekur një rrugë e gjatë, motivuese dhe e sigurtë.


     Deklarata e vizionit për shkollën demonstron një theksim të suksesit akademik të të gjithë nxënësve,veçanërisht kur kjo deklaratë bazohet jo vetëm në njohuritë përkatëse udhëzuese, por edhe në vlerësimin e diversitetit. 


    Në përgjithësi, vizioni për shkollën pasqyron idetë kryesore në lidhje me efektivitetin e procesit të të mësuarit dhe i jep kuptim punës që duhet të kryhet nga stafi i mësuesve, drejtuesve dhe nxënësve.


     Ne duhet të kemi për qëllim sigurimin e një mjedisi mësimor efektiv, frymëzues, në të cilin ekipi i stafit të mësuesve, të trajnuar mirë, krijues dhe entuziastë, mund të sigurojë praktika mësimore me cilësi të lartë në mjediset shkollore, me burime të mira për të përmbushur nevojat e nxënësve tanë në partneritet me aktorë të tjerë si; prindërit, institucionet vendore, komuniteti, përfaqësues të institucioneve të tjera arsimore të ngjashme, biznesi etj.


    Vizioni përqendrohet në vlerat e ndara nga të gjithë anëtarët e komunitetit shkollor, përfshirë nxënësit dhe stafin e mësuesve. 


    Me fjalë të tjera, mësuesit duhet të jenë të përgatitur për të marrë role drejtuese, për të adresuar nevojat e nxënësve, ndërsa këta të fundit, duhet të jenë të gatshëm të zhvillojnë aftësitë e duhura në mënyrë që të kenë sukses në të mësuar.


     Vizioni për shkollën mund të shërbejë si bazë për përmirësim sepse gjeneron angazhim të përbashkët dhe promovon ndryshime të synuara. Këtu i referohem parimeve në drejtim të cilat duhet të përfshijnë administrimin efektiv, frymën e vendit të punës dhe konceptin e udhëheqjes. 


    Unë besoj se lidershipi ka shumë përfitime pasi kjo lloj udhëheqje lejon të bëhen ndryshime të konsiderueshme në procesin organizativ dhe marrëdhëniet ndërpersonale.


    Drejtuesi/ja e shkollës, ka mundësi për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme në vendin e punës dhe mund  të arrijë rezultate pozitive organizative.


    Sipas studiuesve, "parimi nuk është vetëm udhëheqësi-udhëzues i shkollës, por është edhe barometri me të cilin matet natyra e shkollës".


Në bazë të këtij parimi, kuptojmë që shkolla ideale nuk është  një vend vetëm për të mësuar mbi librat, por një vend ku mësohet njohja dhe arti për të jetuar. 


     Edukimi është bazë e së përditshmes, po kështu dhe kujdesi dhe përqendrimi në detajet më të vogla. Mësimdhënia cilësore, komunikimi, veprimtaritë, janë në funksion të plotë të aspirimit të secilit nxënës.


“Asgjë nuk është më e rëndësishme se ajo që bëjmë çdo ditë, por në të njëjtën kohë asgjë nuk është më e rëndësishme se ëndrra që ka gjithsecili prej nesh”.


    Po ta përktheja vizionin në mision do të theksoja që qëllimi i shkollës është të qenit model duke ofruar programe me standarde të larta, të cilat krijojnë kushte që nxënësit të kenë vetëbesim dhe të jenë ndërtues kreativë të së ardhmes.


    Komuniteti i shkollës duhet të përqendrohet në tërë qenien e nxënësit për mbjelljen e dëshirës që të mësojë e të dijë, të marrë përsipër rreziqe e përgjegjësi, si dhe t’i kontribuojë transformimit të vetes e të shoqërisë”


    Gjithsesi, vizioni është çështje besimi, a e besojmë ne atë që duam t’i mësojmë fëmijëve?


    A nuk besojmë te i Plotfuqishmi duke menduar gjithmonë që do të na shpërblehet besimi, puna, morali i drejtë, humanizmi, shërbimi ndaj atyre që kanë nevojë më shumë, edhe pse kurrë nuk e pamë “Atë”?!


    “Ç’të japësh do të marrësh, ç’të mbjellësh do të korrësh!”


    Këtu nis inspirimi dhe forca për të dhënë atë që dimë,për të falur atë që mundemi,për të ushqyer dashuri e mirësi,edhe aty ku errësira ndoshta pengon me misterin e saj: për të përfshirë në këtë cikël të bukur  e të vlefshëm gjithkënd që kemi pranë, gjithkënd që na mbështet, gjithkënd që na frymëzon e ndihmon për të realizuar projektin e përbashkët, shkollën me të gjithë komponentët e saj.


    Gjithçka duhet të ingranohet si në një motor të fuqishëm por që punon lehtë dhe ëmbël, që të josh ta drejtosh drejt një të  ardhmeje të paqtë e të mbushur me dije.


    Si përfundim, mendoj se me vullnet të mirë, besim të plotë në vlera dhe dritë në mendje gjithçka mund të arrihet. Koha na merr përpara e ajo do të na tregojë a jemi në drejtimin e duhur.


    Frytet i mbledhim në kohë… 

   “Ngjit shkallën e parë të besimit. Nuk të duhet ta shohësh të tërë shkallën, vetëm ngjit shkallën e   parë…” Martin Luther King Jr.

                                                                   

Nga Etleva Kacanja

Zv/drejtore, shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela”, Durrës




Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,182 Lexime
3 vjet më parë