Evans Drishti: Gjimnazistët elitarë të Shqipërisë derdhin djersë në olimpiada kombëtare, por kjo nuk përbën lajm për median
520 gjimnazistë elitarë nga e gjithë Shqipëria morën pjesë në Olimpiadën Kombëtare të Letërsisë në Tiranë, duke derdhur djersë për dije e kreativitet. Por, ndryshe nga lajmet sensacionale, ky përkushtim i të rinjve dhe puna e mësuesve e familjeve të tyre mbeti jashtë vëmendjes së mediave.
Këtë të shtunë të datës 28 mars 2026, u organizua në Tiranë Olimpiada Kombëtare e Letërsisë, në të cilën u përfshinë 520 gjimnazistë elitarë nga e gjithë Shqipëria.
Të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, kanë udhëtuar që nga orët e para të mëngjesit, një pjesë e mirë e të cilëve me shpenzimet familjare, për të mbërritur në orarin e kërkuar. Nisur nga fluksi i madh i këtyre gjimnazistëve elitarë, olimpiada u zhvillua në dy shkolla të kryeqytetit: gjimnazi “Ismail Qemali” dhe shkolla 9-vjeçare “1 Maji”.
Elitat e të rinjve gjimnazistë pas një pritjeje të gjatë për të hyrë brenda dhe për të nisur konkurimin derdhën djersë për tri orë me radhë në realizimin me sukses të tri eseve të dhëna në tezën e këtij viti.
Por,
teksa sheh aktualitetin në gazetat e përditshme të vendit, online apo jo, edicionet qëndrore të lajmeve të ditës, programet më në zë të mediave të sotme, as nuk të zë syri as nuk dëgjojnë veshët një lajm dhe një program lidhur me këtë event kaq domethënës dhe me peshë për të ardhmen e këtyre të rinjve.
520 gjimnazistë elitarë SOT fatkeqësisht nuk përbëjnë “LAJM” në aktualitetin e këtij vendi,
duke mos lënë mënjanë edhe ata dhjetra elitarë të tjerë të fushave të tjera për të kuptuar se po shkatërrojmë me vetëdije këtë “bërthamë” të integritetit të shoqërisë sonë.
Nuk përbën asnjë LAJM djersa e derdhur për disa orë në të tilla olimpiada dhe pikëpamjet e vyera të secilit prej tyre.
Nuk merret mundimi nga asnjë media për të qenë të pranishëm në të tilla evente për të marrë mendime dhe opinione të qenësishme dhe të rëndësishme nga vetë gjimnazistët elitarë lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi, mendimet e tyre rreth temave të ofruara, pikëpamjet e tyre për fenomenet që trajtohen në këto kohë dhe alternativat zgjidhëse sipas tyre.
Por kur vjen puna të ndodhë qoftë edhe një zënkë apo një përplasje mes të rinjve, mediat vrapojnë fluturimthi në kapje të “LAJMIT” të hidhur. Për të mos folur këtu edhe për sa e sa “batuta të pështira” të të ashtëquajtur personazhe VIP pjesëmarrës në Reality Shoë të ndryshme, për të cilat mediat qëndrojnë 24 orë duke i ndërtuar aktualitetin.
Kujtojmë këtu se, që nga mbarimi i fazës së dytë të olimpiadave për Arsimin e Mesëm të Lartë, nis menjëherë për çdo javë të shtunave faza e tretë për çdo lëndë. Nisur nga fakti se Letërsia ka të bëjë me krijimin dhe kreativitetin e botës së të rinjve, pjesëmarrja në një olimpiadë të këtillë natyrshëm është shumë më e madhe krahasuar me pjesëmarrjet në olimpiadat e tjera si: olimpiada e Biologjisë, Kimisë, Matematikës, Fizikës, Historisë, Gjeografisë dhe TIK.
Ndaj, theksojmë këtu se çdo pjesëmarrës në një fazë të tillë kombëtare është padyshim një figurë elitë e këtij vendi, që duhet mbështetur dhe motivuar, e mbi të gjitha promovuar, pasi janë pikërisht “këta elita”, që pritet dhe dëshirohet të ulen në postet më kyçe dhe të rëndësishme të drejtimit të këtij vendi.
Për sa kohë që do të mungojë vëmendja, mbështetja dhe promovimi, për fat të keq këta të rinj do largohen nga ky vend duke preferuar me shumë të drejtë vendet e zhvilluara, ku jo vetëm nuk mungon mbështetja dhe motivimi, por ku ata gjejnë hapësira të volitshme të zhvillimit dhe integrimit të tyre.
E teksa priteshin të dilnin nga olimpiada e djeshme, oborri i gjimnazit “Ismail Qemali” dhe i shkollës “1 maji”, ku zhvillohej ky event qe mbushur me familjarë e mësues të olimpiadave që shoqëronin me përgjegjshmëri dhe dinjitet këta elita. Aty duhej të ishin gazetarët e mediave të merrnin nga afër mendimet dhe përshtypjet e këtyre vlerave shqiptare duke informuar masën e gjerë që ka një kategori të brezit të ri që shkëlqejnë dhe ndriçojnë në këtë “humnerë” marramendëse që po kultivohet dita – ditës duke ua përveshur edhe nofkën VIP.
Atëherë, lind pyetja:
Ku shkoi mundi dhe angazhimi njerëzor dhe profesional i të gjithë mësuesve të olimpiadave që merren me shumë përkushtim dhe devocion në orare shtesë të panumërta në zhvillimin dhe integrimin e këtyre të rinjve?
Ku shkoi mundi dhe djersa e atyre familjarëve, që nuk reshtën për vite me radhë të mbështesin fëmijët e tyre elitarë drejt një zhvillimi sa më të shëndetshëm?
A s’duhet të ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe të pushtetit lokal e qëndror për t’u dhënë mbështetje këtyre elitave?
Sot duhet të ishin të gjithë rektorët e universiteteve pranë këtyre eloitave për t’i përbashkuar dhe për të shtruar pëpara tyre ofertat më të volitshme për të siguruar një të ardhme të fortë dhe të shëndetshme në universitetet e Shqipërisë.
Çfarë po u ofrojmë këtyre elitave për t’ua ngrohur mendjet dhe zemrat e tyre, në mënyrë që ata të krijojnë lidhje sa më të ngushta me vendin e tyre duke vënë në shërbim aftësitë brilante në integrimin e një shoqërie mbarë?
A do kenë mundësi këta nxënës elitarë të njihen me punimet e tyre dhe me rezultatet e përgjithshme, në mënyrë që të kuptojnë, se në ç’nivel ndodhen në rang kombëtar, pasi për fat të keq një gjë e tillë s’ndodh asnjëherë?
A mos është kjo një strategji e vetëdijshme për t’i distancuar këta të rinj elitarë nga të tilla angazhime me peshë dhe vlerë, në mënyrë që “të ftohen” nga qëndrimet e tyre optimale dhe të marrin rrugën duke përqafuar emigracionin?
Përgëzimet më të përzemërta të shtrenjtë gjimnazistë elitarë për çdo arritje tuajën! Do vijë një moment që vlera dhe pesha juaj do shkëlqejë si një yll planetar, por varet se në cilin kontinent!...
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600