Fiqiri Çifliku:Provimi i Shtetit dhe Portali i Mësuesit, bashkimi i testimeve dhe sqarimi i procedurave për 2026

Bashkimi i testimit të Provimit të Shtetit dhe Portali “Mësues për Shqipërinë” në një ditë të vetme vijon edhe këtë vit, si praktikë e konsoliduar për transparencë dhe lehtësim të procesit. Ky informacion jepet për të shmangur konfuzionin që u krijohet mësuesve dhe për të sqaruar procedurat.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi


Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar kalendarin zyrtar dhe ka nisur shpalljen e listave emërore për Provimin e Shtetit dhe Portalin e Mësuesit, Sezoni XXI, për periudhën maj–qershor 2026. Provimet nisin më 4 maj dhe do të vijojnë deri më 26 qershor 2026.


Testimet zhvillohen në ambientet e QSHA-së në Tiranë, te Bulevardi "Zhan D'Ark". Publikimi i listave bëhet në mënyrë graduale sipas profileve. Ju mund të kontrolloni listat specifike në faqen zyrtare të QSHA - Provimet e Shtetit.



Një nga ndryshimet më të rëndësishme që do të aplikohet edhe këtë vit është bashkimi i testimit të njohurive për Provimin e Shtetit dhe Portalin "Mësues për Shqipërinë" në një ditë të vetme. Kjo ka disa qëllime kryesore:


Kandidatët që nuk e kanë dhënë ende Provimin e Shtetit (licencën), e përdorin këtë test si për marrjen e licencës, ashtu edhe si pikëzimin bazë për renditjen në portal.


Kandidatët nuk kanë më nevojë të përgatiten për dy testime të ndryshme në periudha të ndryshme të vitit duke kursyer kohe dhe evituar stresin e testeve.


Testimi i informatizuar siguron që procesi të jetë i njëjtë për të gjithë, duke rritur transparencën për pikët që do të shërbejnë për punësimin në shkolla.


Mënyra e regjistrimit  për punësim parashikohet në pikën 8, 9 dhe 10 të udhëzimit nr. 8, datë 3.5.2024, “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar. Po citoj më poshtë:


“8. AKAP-ja/DRAP-ja publikojnë në faqet e tyre zyrtare, shpalljen për konkurrim në portalin “Mësues për Shqipërinë”, e cila përmban të dhëna për profilet lëndore, dokumentet që do të dorëzohen dhe vlerësohen në konkurrim; mënyrën e dorëzimit, fazat e konkurrimit, vlerësimi i dosjes dhe testimi i informatizuar, si dhe datën e daljes së rezultateve dhe mënyrën e njoftimit të kandidatëve.


9. Regjistrimi i kandidatëve bëhet në e-albania, në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Afati për kryerjen e aplikimit dhe ngarkimit të dokumentacionit është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e shpalljes.


10. Kandidati që zhvillon provimin e licencimit në QSHA dhe e kalon atë me sukses, ka të drejtë që në të njëjtën ditë të marrë pjesë edhe në testimin e informatizuar për të konkurruar për pjesëmarrje në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Kandidati që nuk zgjedh të marrë pjesë në testimin e informatizuar në të njëjtën ditë në të cilën jep provimin e licencimit, për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, i nënshtrohet procedurave të konkurrimit sipas rregullave të parashikuara në këtë udhëzim në rast të konkurrimit në portal në thirrjen e radhës. dhe bëhet tërësisht online përmes platformës e-Albania.


Ndërkohë kandidatët që kanë licencë (ose nuk kanë detyrim licence) ndjekin hapat e mëposhtme:


Regjistrohen drejtpërdrejt në e-albania te shërbimi "Aplikim për konkurrim për punësim si mësues", kur procesi të ketë filluar.



Mund të zgjedhin të japin testimin e informatizuar vetëm për të përmirësuar pikët e tyre në portal, ose të mbajnë pikët e një viti më parë nëse portali e lejon këtë opsion. (Sa parashikon udhëzimi në pikën 4, të kreut VI, kandidati që nuk paraqitet në thirrjen e organizuar dhe njoftuar përmes postës elektronike nga DRAP-ja ose e refuzon vendin e lirë të punës, mbetet në listën e pritjes me të njëjtat pikë, për një periudhë deri në 2 (dy) vite.


Sipas rregullave të 2026-ës, ka një kufizimi të ri. Kandidatët mund të aplikojnë vetëm në Drejtorinë Rajonale (DRAP) ku kanë vendbanimin e përhershëm, duke zgjedhur deri në 3 Zyra Vendore (ZVAP). Personalisht mendoj se ky përveç cenimit të së drejtës së zgjedhjes së lirë të vendit të punës nuk do të prodhojë asgjë të re përkundrazi do të fillojë të vendosë në vështirësi edhe ato zyra arsimore të cilat kanë patur kërkesa për mësues




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

572 Lexime
20 orë më parë