KOSOVË

Garat komunale dhe nacionale, fitore e paracaktuar manipulative - politike

Me termin “garë” nënkuptojmë se shtohet konkurrenca dhe në mesin e shumicës mund të përzgjidhen më të mirët/mirat. Garat nuk masin cilësinë e arsimit, por ato vetëm stimulojnë nxënësit që të mësojnë më shumë.

Të përcaktosh cilësitë dhe njohuritë e një nxënësi duhen ecuri të stërzgjatura procesesh që nga starti i fillimit të Vitit Shkollor deri në mbarim të tij, po aq sa dhe vet mësimdhënësit t’i vlerësosh në vlerësim performance brenda një ore mësimore është aq e pakët saqë degradon dhe nënvlerëson jo vetëm atë mësimdhënës i cili vlerësohet, por edhe atë shkollë ku ai/ajo punon. Njëherit nën normativat e shumta botërore arsimore ky lloj vlerësimi i performancës siç bëhet në Kosovë në shumicën e shkollave pa njoftim paraprak të mësimdhënësit është rreptësisht e ndaluar në shtetet e tjera të zhvilluara, për faktin se jo vetëm që mund të ketë ndonjë rast personal një x mësimdhënës dhe të ketë ndonjë mungesë të nxënësve në klasë po në atë ditë në të cilën atij po i bëhet vlerësimi, por dhe mund të ndodh që dhe vet ai të mungoj në atë ditë, për ndonjë çështje familjare të tij.

   

Në anën tjetër së fundmi me qëllim nxitjen e “Cilësisë” në arsim po kërkohet që të mbahen gara të shumta që nga nivelet shkollore deri në ato nacionale, gara këto që në disa shkolla janë mbajtur dhe në të kaluarën para kësaj rregulloreje, por që nuk ka pasur organizim të përbashkët nga të gjitha shkollat që të ketë gjithëpërfshirje të shkollave fillimisht në to e më pastaj të vet nxënësve poashtu. Nëse marrim për bazë rolin që kanë këto gara, themi që kanë rol pozitiv, por që nuk do të mund të afektonin çështjen e cilësisë, çka dhe kërkohet, për shumë arsye si në vijim:

1. Nga garat procesi i të nxënit kalon nga ai logjik në atë mekanik dhe afat-shkurtër;

2. Në shumicën e rasteve ka favorizime përzgjedhjesh të nxënësve nëpër gara;

3. Demoralizim të nxënësve, po që se nuk arrijnë rezultate të kënaqshme;

4. Përqarje në mes mësimdhënësve duke mbrojtur secili lëndën e vet;

5. Fitorja shpeshherë jepet në mënyra të shumta manipulative etj.

   

Në vazhdën e anëve pozitive të garave si në nivel shkollor, komunal e atij nacional nga vet termi “garë” nënkuptojmë se shtohet konkurrenca dhe në mesin e shumicës mund të përzgjidhen më të mirët/mirat, ku mund të bëjnë pjesë si grupi i nxënësve poashtu dhe i shkollave po ashtu prej të gjitha komunave të Kosovës. 

     

Mirëpo se sa do të jenë reale këto rezultate të garave duhet pasur parasysh mënyrën se si po mbahen ato që nga ato shkolloret e deri te ato komunalet që pritet të mbahen në ditët në vijim. Si fillim në fushën e arteve dhe komunikimit është krejt absurde të bësh parapërcaktimin e “Temave” për ese se çfarë do të shkruajnë nxënësit në ditën e garave, kur dihet që ekzistojnë forma të shumta kopjimesh që dijnë nxënësit t’i bëjnë, por dhe pse ata këtë temë mund dhe ta parapërgatisin paraprakisht duke e mësuar përmendsh dhe më pastaj vetëm ta shkruajnë si ese, në ditën e garave. 

    

Kjo nënkupton se në këtë fushë këto gara nuk mund të jenë fer, meqë mënyra se si po mbahet nuk mund ta japi fitoren meritore. Parregullësi të tjera ka dhe në fusha/lëndë të tjera ku shumica e mësimdhënësve iu japin pyetje nxënësve që të mësojnë, por që këta mësimdhënës munden dhe vet të jenë komision i asaj gare, prej nga rezulton që mund të ketë rezultate manipulative dhe në to të bëra dhe nga mësimdhënësit, me tendencë favorizimi të nxënësve dhe shkollës ku ata punojnë. Aspekt tjetër që vlen për ta cekur janë dhe super shpërblimet të ndara nga nivelet shkollore, komunale dhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), të cilat nuk janë dhe të vogla, por që në esencë prekin çështje manipulative për “Fitoret” e shkollave e komunave poashtu, e që shumë herë bie në ndesh me manipulimin politik, se cilën shkollë (drejtor) e përkrah komuna më shumë, gjithqysh ajo shkollë doemos duhet të marrë pikë më së shumti në garat komunale. Më pastaj me cilin lider komunal ka lidhje më të mëdha politike një x lider partiak e që ushtron detyrë brenda instancave ministrore e qeveritare, padyshim se ajo komunë duhet të dali e para dhe ta marri çmimin më të madh. Të tjerat çmime janë dytësore dhe munden të ju jepen edhe shkollave të tjera.


Në përmbyllje të kësaj çështje mund të themi se garat nuk masin cilësinë e arsimit, por ato vetëm stimulojnë nxënësit që të mësojnë më shumë.



(Shkruar nga: PhD. Can. Besjana Rexhepi)

                                                         

3,579 Lexime
5 vjet më parë