Gjimnazet do të survejohen nga 1100 kamera

Në total do të jenë 1100 kamera të shpërndara në shkolla, në varësi të hapësirës dhe nevojave që kanë. Kështu, çdo gjimnaz ka minimalisht 10 deri në 25 të tilla, si brenda korridoreve dhe në territorin e jashtëm.

Pas dixhitalizimit, 60 shkollat e mesme që aktualisht kryejnë mësim me tablet, do të survejohen nga kamera sigurie. Qeveria shpall tenderin për rritjen e sigurisë fizike e dixhitale në shkollat e arsimit të mesëm, projekt që kap vlerën e rreth 5 milionë dollarëve.

Në total do të jenë 1100 kamera të shpërndara në shkolla, në varësi të hapësirës dhe nevojave që kanë. Kështu, çdo gjimnaz ka minimalisht 10 deri në 25 të tilla, si brenda korridoreve dhe në territorin e jashtëm.

Të gjitha kamerat administrohen nga një sistem qendror në kryeqytet, i cili mund të vëzhgojë në kohë reale çdo kamerë individuale të instaluar. Po ashtu, ai do të arkivojë regjistrimin e kamerës kryesore në hyrje të çdo shkolle ose në shkollat ku ka alarm apo është nën monitorim të veçantë.

Privatësia

Funksioni i kamerave që do të vendosen në shkolla është i mirëpërcaktuar, siguria fizike e dixhitale. Kurrsesi, ato nuk mund të shërbejnë për monitorimin e ecurisë mësimore të nxënësve apo të ndërhyjnë në punën e mësuesve.

“Vëmendje duhet t’u kushtohet të drejtave të individit për privatësi të arsyeshme dhe shmangie të monitorimit ndërhyrës në punën e mësuesve dhe nxënësve për çfarëdo arsye. Në mënyrë të veçantë, teknologjitë ÇTV nuk duhet të vendosen në klasa për të mbledhur të dhënat për qëllime të menaxhimit të performancës ose në procedurat mësimore”, thuhet në dokumentin me specifikimet teknike të projektit.

Salla mbledhjesh apo dhoma zhveshjesh nuk do të jenë objekt i vëzhgimeve. Po kush mund t’i shohë pamjet? Akses në pamjet e regjistruara do të kenë vetëm mësuesit dhe personat e autorizuar nga drejtoria e shkollës, të cilët mund të hapin nëpërmjet kartave elektronike sistemin e kontrollit, i cili instalohet në dyert e secilit prej laboratorëve dixhitalë në shkolla.

“Sistemet AC do të kenë funksionin e mbrojtjes së laboratorit nga hyrjet e paautorizuara, si dhe funksionin e ruajtjes së regjistrit të hyrjes në laborator. Ditari i hyrjeve do të jetë i lexueshëm edhe në sistemin qendror të monitorimit”, thuhet në dokument.

Siguria në shkolla

Kamerat e sigurisë në gjimnaze do të jenë shumëfunksionale. Veç survejimit 24/24, projekti do të mundësojë edhe një sërë shërbimesh shumë të nevojshme si: alarmi nga vjedhjet apo zjarri, kontrolli i hyrjes në shkolla me anë të sistemit, administrimi dhe monitorimi i laboratorëve e deri te ngritja e platformës së komunikimit multidimensional.

Përveçse një aset në shkolla, instalimi i kamerave në shkolla bën të mundur që asetet e teknologjisë së informacionit të operojnë dhe të ruhen nga një qendër, ato mbledhin sistematikisht të dhëna mbi gjendjen teknike të infrastrukturës informatike, mat nivelin e përdorueshmërisë së pajisjeve të laboratorëve në funksion të mësimdhënies dhe mundëson qëllimin final, që janë ambientet të sigurta e të mbrojtura për nxënësit e mësuesit.

(Besarta Basha, Panorama)

2,092 Lexime
8 vjet më parë