Gjosha mbështet nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemaili”

Ministria e Integrimit Europian, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, organizoi sot në ambientet e Akademisë së Arteve, ekspozitën me pikturat e nxënësve të gjimnazit “Ismail Qemali”

Ministria e Integrimit Europian, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës,  organizoi sot në ambientet e Akademisë së Arteve, ekspozitën me pikturat e nxënësve të gjimnazit “Ismail Qemali”. Të ftuar në këtë aktivitet,  ishin trupa diplomatike, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile, nxënës dhe mësues.

Me tematikë “Dhuna në Familje”, nxënësit nxorën në shitje pikturat e tyre, duke i vënë në dispozicion shkollës të gjitha fondet e grumbulluara, për krijimin e një kabineti të mirëfilltë arti.

Ministrja Gjosha, promotorja e kësaj iniciative përgëzoi nxënësit dhe nënvizoi se të  gjithë ne duhet të jemi mbështetja e tyre, t’u japim motivim sepse në fund të fundit kështu i shërbejmë Shqipërisë, zhvillimit  dhe integrimit të saj.

“Këta nxënës, jam e bindur që janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë, si shumë bashkëmoshatarë të tjerë të tyre, të cilët përmes artit përcjellin mesazhe pozitive dhe sensibilizuese, për një fenomen si ai i “Dhunës në familje”,  që ekziston në fakt jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën”, tha Ministrja Gjosha. 

Sipas Ministres Gjosha,  nuk ka integrim më të mirë se ai që realizohet  përmes kulturës dhe dijes.  “Janë këta të rinj dhe shumë të tjerë e ardhmja e kombit tonë, janë këta të rinj që do ta shohin dhe do ta çojnë vendin,  pjesë e familjes së madhe europiane, ndaj sot na takon t’ju qëndrojmë në krah”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi u shpreh se iniciativa të tilla që mbështesin të rinjtë duhet të promovohen pasi janë  nxitja  më e mirë për ta, prirjet dhe dëshirat e tyre.

2,378 Lexime
8 vjet më parë