Gjykata do të shqyrtojë udhëzimin për mësuesit pa e pezulluar atë

Gjykata Administrative e Apelit refuzoi kërkesën e “Drejtësi Sociale” për pezullimin e udhëzimit që ndalon mësuesit e punësuar pas 2011 të japin provimin e kualifikimit pa licencim. Padia do shqyrtohet në themel, ndërsa avokati Sejrani thekson pabarazitë në paga dhe trajtim profesional.

Gjykata Administrative e Apelit refuzoi kërkesën e organizatës “Drejtësi Sociale” për pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit që ndalon mësuesit e punësuar pas vitit 2011 të japin provimin e kualifikimit pa kryer më parë provimin e licencimit.


Gjykata do të vijojë shqyrtimin e padisë në themel, pa vendosur një masë paraprake pezullimi.


Dy ditë më parë, organizata “Drejtësi Sociale” dorëzoi një padi, duke kërkuar shfuqizimin e udhëzimit nr. 12, datë 24 shkurt 2025, i cili detyron një kategori mësuesish të japin provimin e licencimit; në të kundërt, ata nuk mund të hyjnë në procesin e kualifikimit.


Gentian Sejrani, avokat dhe drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”, u shpreh se padia erdhi si pasojë e shqetësimeve të dhjetëra mësuesve, të cilët janë punësuar pas vitit 2011 dhe nuk kanë kaluar provimin e shtetit.


Sipas tij, një pjesë e mësuesve kanë kaluar fazën e parë të kualifikimit, ndërsa pengesa është shfaqur në fazën e dytë, që zhvillohet pas 10 vitesh pune në profesion.


Aktualisht, sistemi i kualifikimit të mësuesve parashikon tre nivele: pas 5 vitesh titullin “mësues i kualifikuar”, pas 10 vitesh “mësues specialist” dhe pas 20 vitesh “mësues mjeshtër”.


Këto nivele shoqërohen me rritje page përkatësisht 5%, 10% dhe 20%.


Sipas Sejranit, ky udhëzim krijon pabarazi të drejtpërdrejtë në paga dhe trajtim profesional, në krahasim me kolegët e tyre.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

539 Lexime
3 orë më parë