“Hartë kombëtare për nevojat e zhvillimit profesional të mësuesve”

Rreth 16.500 mësues që janë në marrëdhënie pune dhe drejtuesit e shkollave i janë nënshtruar sot vlerësimit nga ana e MAS, për identifikimin e nevojave për zhvillimin e tyre profesional

Rreth 16.500 mësues që janë në marrëdhënie pune dhe drejtuesit e shkollave i janë nënshtruar sot vlerësimit nga ana e MAS, për identifikimin e nevojave për zhvillimin e tyre profesional. Pas implementimit të këtij instrumenti për mësuesit e Tiranës, ditën e sotme vlerësimi u zhvillua në 13-të Drejtoritë Arsimore Rajonale.

E pranishme për të monitoruar këtë proces në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”, Durrës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi sot se, ky vlerësim i zhvilluar për herë të parë, në gjithë vendin, nuk ka lidhje me lëvizjen e mësuesve apo situata të tjera punësimi, por ka të bëjë me hartën që Ministria e Arsimit dhe Sportit po ndërton për nevojat e formimit profesional të çdo mësuesi në vend.

“Sot në të gjithë Shqipërinë në rregulla të forta monitorimi dhe standarde sekretimi, po realizohet vlerësimi i nevojave reale të rreth 16 mijë mësuesve që sot janë në sistem, një proces që u pilotua në Tiranë dhe nga i cili ne kemi përcaktuar disa hapa të rëndësishëm mbi bazën e së cilës ne na duhet të ndërtojmë një sistem të ri, real, të vërtetë, mbështetës të çdo mësuesi. Kjo është përgjigja e atij premtimi të madh për të mbështetur e për t’a kthyer sistemin arsimor në shinat e cilësisë. Është një përgjigje që i jepet sot edhe 500 mijë nxënësve, prindërve të tyre, me të vërteta që kërkojnë të sjellin realisht se kush janë nevojat e çdo mësuesi të Shqipërisë për t’u kualifikuar në qytete të mëdha apo në fshatra.” – deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit

Skemën e vjetër të trajnimeve dhe kualifikimeve, ministrja e quajti një skemë shitblerjes kreditesh duke u shprehur se nuk i plotësonte nevojat reale për zhvillimin profesional të mësuesve e për këtë MAS do të prezantoi në ditët në vijim një skemë të re me standarde evropiane kualifikimi dhe trajnimi;

“Sigurisht në ditët që vijojnë ne do të komunikojmë me mësuesit, me publikun, me prindërit, e me nxënësit për t’i dhënë fund asaj që u shit si skema kualifikuese e mësuesve por që në fakt nuk ishte as më shumë e as më pak një piramid e blerjes së krediteve por jo ajo që duhet të jetë realisht skema kualifikuese e mësuesve është ajo që sjell cilësi në formimin e mësuesve. Është shumë e rëndësishme të theksohet fakti që ne jemi të vendosur për të mbështetur mësuesin. Jemi të vendosur për të kthyer shkollën në shinat e cilësisë. Impakti do të jetë i menjëhershëm për shkak se një skemë e re konform standardeve evropiane do të jetë edhe në Shqipëri. Për këtë ne na vijnë në ndihmë universitetet, pedagogët e universiteteve, ekspertët më të mirë vendas apo të huaj të cilët po mbështesin këtë nisëm që ndodh për herë të parë në Shqipëri. -  u shpreh Nikolla

Gjithashtu Ministrja e Arsimit sqaroi edhe njëherë se, nuk bëhet fjalë që vlerësimi bëhet për penalizime mësuesish apo largime nga puna duke i quajtur këto spekulime si një gënjeshtër e radhës e atyre që shkatërruan arsimin.

“Me ata mësues që do të kenë më tepër nevojë, qeveria do të investoi që ata të kenë mundësi të performojnë ashtu siç duhet. Nuk bëhet fjalë për largime nga puna dhe kjo është një gënjeshtër e radhës për këdo që e thotë këtë. E ca më shumë ata që e lanë në rënie të lirë arsimin dhe e shkatërruan deri në këtë fazë. Nuk do të ketë penalizime, nuk do të ketë largime. E kundërta është e vërtetë, mbështetje emër për emër të çdo mësuesi duke krijuar një skemë të re kualifikimi konform standardeve evropiane e sigurisht një ditë e re për çdo mësues, prind, shoqërinë në tërrësi që bëhet me anë të investimit të kapitalit njerëzor.”- theksoi ministrja e Arsimit.

Pyetjet e këtij vlerësimi janë hartuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Mësuesit do të vlerësohen në 4 fusha siç janë planifikimi, aspektet metodike-pedagogjike, stili i komunikimit dhe etika e përdorur nga punonjësit arsimor si edhe përgatitja shkencore e mësuesve dhe zhvillimi i tyre profesional.

Në këtë vlerësim nuk u përfshinë mësuesit që kanë arritur shkallën e I-rë të kualifikimit dhe ata me një eksperiencë pune mbi 20 vite në sistemin arsimor.

Ky proces është thelbësor për cilësinë e shkollës shqiptare dhe lidhet me formimin profesional të mësuesve, duke e bërë më cilësore punën e tyre.

2,258 Lexime
8 vjet më parë