Inteligjenca artificiale në shkolla: Mundësi e madhe apo kërcënim për mendimin kritik të nxënësve?
Inteligjenca artificiale po hyn me shpejtësi në shkollat shqiptare, por a jemi gati ta përdorim si duhet? Studimi i ekspertit të arsimit Fiqiri Çifliku zbulon përfitimet, frikërat dhe sfidat që sjell IA për mësuesit e nxënësit, nga mendimi kritik te plagjiatura dhe nevoja për rregulla të qarta.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Inteligjenca Artificiale (IA) po konsiderohet nga shumë studiues dhe profesionistë si ndryshimi më i madh teknologjik që nga interneti. Ndryshe nga teknologjitë e mëparshme, IA nuk kufizohet vetëm në aksesin ndaj informacionit, por ndërhyn drejtpërdrejt në procesin e krijimit të tij. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme analizimin e ndikimit të saj në arsim, ku formimi i mendimit kritik, arsyetimit dhe krijimtarisë përbëjnë bazën e procesit edukativ.
Në Shqipëri, përdorimi i IA nga mësuesit dhe nxënësit po rritet me ritme të shpejta, ndërkohë që mungojnë ende politika të qarta dhe standarde të unifikuara për integrimin e saj në shkolla. Për këtë arsye, ky studim synon të analizojë perceptimet e komunitetit arsimor lidhur me përdorimin e IA dhe të identifikojë problematikat kryesore që kërkojnë ndërhyrje institucionale.
Studimi u mbështet në një pyetësor online të plotësuar nga 262 të anketuar, kryesisht mësues (82.4%), drejtues shkollash dhe specialistë arsimi. Pjesëmarrësit përfaqësojnë të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar dhe kanë një eksperiencë të konsiderueshme profesionale, ku mbi 85% kanë më shumë se 11 vite përvojë pune.
Kjo karakteristikë e kampionit rrit besueshmërinë e rezultateve, pasi perceptimet e mbledhura bazohen në përvojën e profesionistëve që njohin mirë realitetin e shkollës shqiptare.
Mbi 91% e të anketuarve deklarojnë se e përdorin IA rregullisht ose herë pas here, ndërsa shumica kanë njohuri bazike ose mesatare mbi të. ChatGPT rezulton të jetë mjeti më i përdorur, pasuar nga Gemini dhe platforma të tjera për gjenerimin e tekstit.
Përdorimi i IA lidhet kryesisht mepërgatitjen e materialeve mësimore, përkthimeve dhe përmbledhje. Nga një pjesë e mirë përdorej për planifikimin e orëve mësimore apo për hartimin e testeve dhe ushtrimeve.
Shumica e mësuesve raportojnë se IA i ndihmon të kursejnë kohë dhe të rrisin efikasitetin në punë. Kjo tregon se komuniteti arsimor nuk e sheh IA si kundërshtar, por si një mjet ndihmës me potencial për përmirësimin e proceseve profesionale.
Nëse ekziston një shqetësim madhor që përshkon të gjitha rezultatet e anketës, ai lidhet me ndikimin e IA në mendimin kritik të nxënësve.
Mbi 60% e të anketuarve mendojnë se IA e dobëson mendimin kritik, ndërsa kjo çështje rezulton shqetësimi më i madh edhe në komentet e hapura.
Shumë mësues shprehin frikën se nxënësit po mësohen të marrin përgjigje të gatshme pa kaluar përmes procesit të analizës, krahasimit, argumentimit dhe reflektimit. Sipas tyre, përdorimi i pakontrolluar i IA po krijon një kulturë të zgjidhjeve të menjëhershme, ku rezultati vlerësohet më shumë sesa procesi i të menduarit.
Në këtë kontekst, sfida nuk lidhet me ekzistencën e IA, por me mënyrën e përdorimit të saj. Shumë theksojnë se IA mund të kontribuojë në zhvillimin e mendimit kritik vetëm kur përdoret si mjet kërkimi, diskutimi dhe verifikimi, dhe jo si burim i gatshëm përgjigjesh.
Një tjetër problematikë madhore që del nga anketa është plagjiatura.Pothuajse tre të katërtat e identifikojnë plagjiaturën si një nga rreziqet kryesore të IA në arsim. Në të njëjtën kohë, shumica mendojnë se IA ka ndikuar negativisht në cilësinë reale të detyrave të nxënësve.
Shqetësimi nuk lidhet me cilësinë formale të tekstit të prodhuar, por me mungesën e përpunimit personal. Një detyrë e realizuar nga IA mund të jetë korrekte nga ana gjuhësoregjuhësisht e prezantuar bukur, por nuk garanton që nxënësi e ka kuptuar apo përvetësuar njohurinë.
Kjo situatë ngre pikëpyetje të rëndësishme mbi mënyrat tradicionale të vlerësimit dhe nevojën për forma të reja që matin mendimin, argumentimin dhe zgjidhjen e problemeve, dhe jo vetëm produktin final.
Një nga rezultatet më alarmante të anketës është perceptimi i ulët për gatishmërinë e sistemit arsimor shqiptar. Mbi 76% e të anketuarve mendojnë se sistemi është pak ose aspak i përgatitur për IA.Kjo mungesë gatishmërie lidhet me tre faktorë kryesorë:
1. Mungesa e infrastrukturës pasi shumë shkolla vazhdojnë të përballen me mungesë interneti, pajisjesh digjitale dhe laboratorësh funksionalë (e vërtetë kjo për zonat rurale).
2. Mungesa e politikave solide shtetërore.Nuk ekzistojnë ende udhëzime kombëtare të qarta që të përcaktojnë mënyrën, kufijtë dhe përgjegjësitë për përdorimin e IA në shkollë.Nevoja për politika kombëtare vlerësohet me rëndësi strategjike nëse shohim se pothuajse të gjithë të anketuarit mbështesin hartimin e politikave zyrtare për përdorimin e IA në shkolla. Në këtë kontekst komuniteti arsimor kërkojnë rregulla për nxënësit, udhëzime për mësuesit, mekanizma kundër plagjiaturës, standarde për përdorimin etik të IA, duke e vendosur theksin edhe tek mbrojtjae të dhënave personale.
Kjo tregon se shkollat shqiptare nuk kërkojnë ndalimin e IA, por institucionalizimin dhe menaxhimin sa më të mirë të saj.Ata, problemin nuk e shohin tek ekzistenca e IA-së, por tek mungesa e një kornize të strukturuar për përdorimin e saj.
Prandaj, fokusi i politikave arsimore në vitet e ardhshme duhet të përqendrohet në:
a) hartimin e një strategjie kombëtare për IA në arsim;
b) trajnimin sistematik të mësuesve dhe drejtuesve;
c) forcimin e mendimit kritik si kompetencë themelore e kurrikulës;
d) zhvillimin e mekanizmave kundër plagjiaturës;
e) investimin në infrastrukturën digjitale të shkollave.
3. Mungesa e kompetencave profesionale referohet nga dy të tretat e anketuesve të cilët deklarojnë se nuk kanë marrë asnjë trajnim formal për IA, ndërsa pothuajse 88% deklarojnë se kanë nevojë për trajnim.
Analiza e komenteve të hapura konfirmon se kërkesa më e shpeshtë nga komuniteti arsimor është organizimi i trajnimeve praktike duke e konsideruar trajnimin si prioritet strategjik dhe jo si formaliteti i radhës.Mësuesit kërkojnë ndër të tjera:
• trajnim mbi përdorimin pedagogjik të IA;
• trajnim për etikën dhe sigurinë digjitale;
• aftësi për verifikimin e informacionit;
• metoda për integrimin e IA pa cenuar mendimin kritik.
Vetëm në këtë mënyrë IA mund të shndërrohet nga një burim shqetësimi në një faktor që rrit cilësinë, inovacionin dhe efektivitetin e arsimit parauniversitar në Shqipëri.
Kjo ishte një anketë e thjeshtë por analiza e rezultateve tregon se Inteligjenca Artificiale është pranuar gjerësisht nga komuniteti arsimor shqiptar dhe perceptohet si një teknologji me potencial të madh transformues. Megjithatë, pranimi i saj shoqërohet me shqetësime serioze që lidhen me dobësimin e mendimit kritik, plagjiaturën, cilësinë e të nxënit dhe mungesën e përgatitjes institucionale.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600