Internet i sigurt, katër ministri nënshkruajnë marrëveshje
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se fëmijët janë të ekspozuar ndaj intimidimit, abuzimeve online ndaj e rëndësishme është krijimi i planeve konkrete se si mund t’i përgjigjemi këtij fenomeni në mënyrë efikase
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të “Internetit të sigurt”, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, me mbështetjen e UNICEF kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon rritjen e efikasitetit të ndërveprimit institucional në funksion të sigurisë online për fëmijët.
Marrëveshja ka për qëllim rritjen dhe promovimin e sigurisë online të fëmijëve ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, shfrytëzimi, abuzimi, rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga përdorimi i internetit në Shqipëri.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se fëmijët janë të ekspozuar ndaj intimidimit, abuzimeve online ndaj e rëndësishme është krijimi i planeve konkrete se si mund t’i përgjigjemi këtij fenomeni në mënyrë efikase.
“Tashmë jemi përfshirë në një proces atë të digjitalizimit të sistemit arsimor ku sot, janë 120 klasa inteligjente në 60 gjimnaze në të gjithë Shqipërinë që ofrojnë mësim online. Bashkëpunimi i MAS me të gjithë operatorët e ofrimit të shërbimit të internetit në shkolla ka ruajtur të pacënuar politikën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të mundësuar internet të sigurt në shkollat shqiptare”, u shpreh Nikolla.
Ministrja shtoi se risi është edhe fakti se në përmbajtjen e kurrikulave bashkëkohore në fushën e teknologjisë informacionit dhe komunikimit (TIK), një rol i rëndësishëm i është dedikuar edhe sensibilizimit të mënyrave si fëmijët të mbrohen ndaj fenomeneve negative që mund të hasen në internet.
“Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit është pjesë aktive e programit të Komisionit Evropian eTwinning duke mundësuar që mësuesit të jenë pjesë aktive e rrjetit ndërkombëtar të mësuesve për të qenë kështu edhe një mbështetje e rëndësishëm në përdorimin e sigurt të internetit”, tha ministrja Nikolla.
Të katër institucionet marrin angazhime konkrete për krijimin e Mekanizmit Kombëtar për Sigurinë Online të Fëmijëve, forcimin e kuadrit ligjor, shkëmbimin e të dhënave të rasteve të fëmijëve dhe adoleshentëve, viktima të dhunës dhe shfrytëzimit në internet, vendosjen e një dialogu konstant me aktorët e shoqërisë civile dhe industrisë së internetit e komunikimit etj.
Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, Ministrja e Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.
Në funksion të këtij bashkëpunimi u prezantua edhe platforma isigurt.al, e cila ka si mision kryesor bashkërendimin e përpjekjeve për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës seksuale në internet, për të identifikuar dhe bllokuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet.
Kjo platformë vjen edhe në formën e një aplikacioni telefonik ndihmë të prindërve, mësuesve, profesionistëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe të gjithë komunitetit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi online.
Provim, teksti argumentues
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Shkolla qendër komunitare, plani vjetor i shkollës