Aktualitet

Këshilli i Ministrave miraton disa shtesa në ligjin për Arsimin Parauniversitar, Kushi: Jemi konsultuar me të gjithë aktorët

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar. Më poshtë do të gjeni fjalën e plotë të ministres së MAS, Evis Kushi, pas mbledhjes së zhvilluar nga KM, teksa ajo ka specifikuar të gjitha ndryshimet që do të ndodhin.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, pas mbledhjes së qeverisë tha në një prononcim për mediet se, “nisma për të ndërhyrë në këtë ligj erdhi, jo vetëm për shkak të objektivit tonë madhor për një sistem më cilësor dhe për të reflektuar Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, por edhe si një nevojë emergjente për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë zgjidhje disa problematikave që janë shfaqur në institucionet tona arsimore. Për këtë arsye ne vitin e kaluar kemi zhvilluar një proces shumë të gjerë konsultimi me të gjithë aktorët dhe sugjerimet e tyre ne i kemi reflektuar në këtë ligj, sigurisht sugjerimet që ishin më me vlerë”. Ndërkohë më poshtë do të njiheni me të gjitha ndryshimet që do të ndodhin në ligjin e Arsimit Parauniversitar. 


Fjala e plotë e ministres Evis Kushi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratuan disa shtesa në lidhje me Ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar


Mirëdita!

Sot kemi lajme shumë të mira edhe në fushën e arsimit, pasi sapo miratuam në Këshillin e Ministrave disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin për Sistemin e Arsimor Parauniversitar.

Nisma për të ndërhyrë në këtë ligj erdhi jo vetëm për shkak të objektivit tonë madhor, për një sistem arsimor më cilësor dhe për të reflektuar Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, por edhe si një nevojë emergjente për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë zgjidhje disa problematikave që janë shfaqur në institucionet tona arsimore dhe që na kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme si shqetësime nga mësuesit, apo drejtuesit e këtyre institucioneve. 

Për këtë arsye ne vitin e kaluar kemi zhvilluar një proces shumë të gjerë konsultimi me të gjithë aktorët, që nga institucionet tona arsimore, po ashtu Këshilli Kombëtar I Arsimit Parauniversitar, Këshilli Kombëtar I Prindërve, Parlamenti i Nxënësve, shoqëria civile, donatorët, e kështu me radhë.  


Dhe të gjitha sugjerimet e tyre ne i kemi reflektuar për aq sa mund të përfshiheshin në këtë ligj. Dhe sigurisht sugjerimet që ishin më me vlerë.

Më lejoni shumë shkurt t’ju bëj me dije disa nga ndryshimet që sjell ky ligj.


Në radhë të parë, projektligji ofron më shumë mbështetje për nxënësit me aftësi ndryshe. Pasi shkollat e arsimit special me këtë ligj do të transformohen në Qendra Burimore, sipas modeleve më të mira që kemi dhe në rajon, dhe në BE.

Për tu ofruar më shumë shërbime nxënësve e aftësi ndryshe, por edhe për të nxitur më shumë kualifikimin, trajnimin e mësuesve dhe punonjësve të këtyre qendrave.

Kemi marrë modelet më të mira dhe paralelisht me ligjin ne kemi punuar edhe me aktet nënligjore që do ta realizojnë shumë shpejt transformimin e këtyre shkollave.

Do të fillojmë me Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, dhe më pas edhe me shtatë shkollat e tjera të arsimit special në qytete të ndryshme të vendit. 


Së dyti, ligji ofron më shumë siguri për nxënësit, duke mos lejuar që në institucionet tona arsimore të punësohen persona që kanë precedentë penalë. Pra persona që janë dënuar për vepra penale ndaj të miturve, apo edhe nga institucioneve arsimore. Edhe kjo çështje ka patur një ndjeshmëri të lartë publike për shkak të rasteve të ndryshme që kanë ndodhur gjithë këto vite. Dhe na u desh patjetër të ndërhyjmë në ligj. Edhe personat që janë rehabilituar madje, pas dënimeve për vepra të tilla, nuk do të kenë asnjëherë të drejtë të punësohen në institucionet tona arsimore. 


Një tjetër ndryshim, gjithashtu që është kërkuar shumë sidomos nga prindërit, ka qenë regjistrimi i nxënësve, edhe përpara se të mbushin moshën 6 vjeç në klasë të parë, me kushtin që deri më datën 31 dhjetor të atij viti të mbushin 6 vjeç.

Dua ta theksoj, kjo nuk është e detyrueshme, por është vetëm për ato raste kur prindërit e kërkojnë, sepse fëmijët e tyre vijnë nga arsimi parashkollor, tashmë dinë të shkruajnë, të lexojnë, dhe janë plotësisht gati për tu regjistruar në klasën e parë,  për të filluar shkollën.


Një ndryshim tjetër lidhet me shkollat e orientuara. Shkollat e arsimit të orientuar. Ne sot nuk kemi shkolla artistike në të gjitha qytetet e vendit, por ne duam t’i japim të drejtën të gjithë fëmijëve që kanë talent në një fushë të caktuar të arsimohen në atë disiplinë për të cilën kanë talent.

Dhe në këtë mënyrë, ne do të hapim klasa të arsimit të orientuar, edhe në shkollat klasike, sipas nevojave, sipas kapaciteteve që kanë, sipas burimeve njerëzore kë kanë.

Dhe ndërkohë, nga ana tjetër, shkollat e orientuara ne do t’i kthejmë në shkolla që do të marrin statusin shkolla kombëtare. Për t’i rikthyer Liceut Artistik “Jordan Misja”, por edhe shumë shkollave të tjera, kryesisht shkollave artistike, atë shkëlqimin e dikurshëm. Duke i dhënë më shumë autonomi edhe në përzgjedhjen e nxënësve, dhe të mësuesve, dhe të shumë projekteve që kanë. 

Do ta fillojmë sigurisht me Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe me shkollën e baletit, por më pas edhe me shkollat e tjera artistike që kemi në qytete të ndryshme të vendit.

Por ndryshimi për të hapur klasa artistike në shkolla klasike, ka qenë gjithmonë një nevojë që na vinte sidomos nga qytetet e vogla ku nuk ka patur shkolla të tilla. 


Së fundmi, ne në çdo zyrë vendore arsimore, në çdo bashki të vendit, do të kemi një strukturë të mësuesve në dispozicion. Kjo ka qenë një përvojë e para shumë viteve që duhet të rikthehet. E kemi parë shumë të nevojshme sepse në shumë raste, kur një mësues mungon, procedurat që zhvillohen nëpërmjet portalit Mësues për Shqipërinë, marrin kohë. Dhe nxënësit dhe shkollat janë të detyruar të bëjnë orë pushim deri sa të vijë mësuesi zëvendësues. 

Ndërkohë ne do të kemi këtë strukturë të mësuesve në dispozicion që janë me kontratë të përhershme, jo të përkohshme, janë gjithmonë aty në bazë të nevojave ku ka mungesa të mësuesve për arsye të ndryshme, dhe e rëndësishme është që të theksoj se do të punësohen nëpërmjet portalit. 

Por ama janë një strukturë, gjithmonë atje, dhe nxënësit nuk do të bëjnë më asnjë orë pushim por gjithmonë për çdo nevojë që kanë shkolla do të jenë mësuesit nga kjo strukturë. 


Siç e thashë pak më parë, të gjitha këto ndryshime ne i kemi konsultuar në një proces shumë të gjerë për shumë muaj. Kemi patur dakordësinë e të gjithë aktorëve. Së shpejti ligji do të shkojë në Kuvendin e Shqipërisë ku dhe do të shqyrtohet. Dhe shpresoj që edhe atje do të kemi dakordësisë për t’i bërë sa më shpejt realitet këto ndryshime. 


Faleminderit



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,664 Lexime
1 vit më parë