Mmarrëdhënia mësues-nxënës

“Kështu bëhet, sepse kështu ka thënë mësuesja”

Ky besim i fëmijëve te mësuesja e tyre është kaq i thellë sa disa prindër, ndërsa përpiqen të ndihmojnë fëmijët në detyrat e shtëpisë, janë shpeshherë të kundërshtuar me thënien: “Kështu bëhet, sepse kështu ka thënë mësuesja”.

Cilësia e marrëdhënies mësues-nxënës paraqet një faktor sigurie që ndikon në rrugën evolutive të nxënësit

“Mirëmëngjesi mësuese!” është një përshëndetje gazmore që fëmijët e shkollës fillore ia nisin mësueses së tyre; një përshëndetje, e cila mishëron një raport shumë special që lidh mësues e nxënës. Në këtë përshëndetje fëmija rikonfirmon funksionin edukativ të mësuesit, i cili përveçse “di më shumë”, është i aftë të transmetojë-përmes sjelljes, fjalëve dhe veprimeve-kujdes dhe vëmendje përballë fëmijës dhe zhvillimit të tij.  


Të qënurit mësues implikon disa funksione që duhen vlerësuar si aftësi të veçanta për faktin se në to janë të nënkuptuar aftësi dhe ndjesi të gatshme ndaj “një më të vogli” dhe që përcjellin sigurinë e një marrëdhënie shumë specifike. Vetë fjala “mësues” për nga etimologjia e saj dhe për nga shumëllojshmëria e përdorimit të saj në fusha nga më të  ndryshmet, të çon drejt një figure që rri në plane besueshmërie kulturore dhe morale. Është një figurë kaq e rëndësishme sa ndërton një model, një pikë referimi të qëndrueshme e cila ndjek kujtimet e pashlyeshme. 


“Kështu bëhet, sepse kështu ka thënë mësuesja”


Është një raport special ky që lidh mësuesen me nxënësin, sidomos në vitet e para të shkollimit të fëmijës, pasi krijohet një marrëdhënie me ngjyra efektive, kurrë neutrale. Mësuesja është një domethënie tjetër” për fëmijën që rritet, është i pari “vend tjetër” përtej sferës familjare, ku fëmija gjen ose duhet të gjejë atë pranim i cili gjeneron siguri, besim, dhe shpresë për të ardhmen. 


Ky besim i fëmijëve te mësuesja e tyre është kaq i thellë sa disa prindër, ndërsa përpiqen të ndihmojnë fëmijët në detyrat e shtëpisë, janë shpeshherë të kundërshtuar me thënien: “Kështu bëhet, sepse kështu ka thënë mësuesja”. Është besimi dhe ripohimi i statusit të mësuesit. Nga ana tjetër, shkëmbimet që zhvillohen çdo ditë në klasë mes mësimdhënësit dhe fëmijës, me kalimin e kohës, krijojnë kujtime, perspektivat e ardhshme duke marrë rëndësi efektive. Kjo e fundit është e bazuar në vlerësimet reciproke që-potencialisht- lejojnë që secili të vihet në lëkurë të tjetrit. Është një raport aktiv dhe reciprok që, megjithatë, i kërkon mësuesit një gatishmëri emotive dhe njohëse në gradën që të dijë të njohë emocionet e vetë fëmijës, në mënyrë që t’i përputhë ato me interesat, duke respektuar ekzigjencat e tij të të mësuarit e të rritjes, duke e ndihmuar të shkojë përpara për të zgjeruar e pasuruar vështrimin e tij mbi botën. Eksperienca dhe njohja, pasioni dhe dëshira lidhin nxënësit dhe mësuesit. Kjo gjithmonë shoqërohet nga vetëdija mbi kompleksitetin e kohës sonë...Koha jonë kërkon qartësi, aftësi mendimi dhe pranim të limiteve të gjithsecilit. 


Lidhja mësues-nxënës dhe trendi i shkollës sot


Rëndësia e raportit mes nxënësve dhe mësuesit është dëshmuar nga kërkimet që ekzaminojnë aspektet e shumëfishta shkollore, nga njohja e shoqërizimi, deri në pjesëmarrjen aktive në jetën e shkollës, në suksesin e të mësuarit. Cilësia e marrëdhënies paraqet një faktor mbrojtjeje që influencon pozitivisht rrugëtimin evolutiv dhe rendimentin shkollor të fëmijës në vitet e para të shkollimit. 


Por ama pesha e mbështetjes emocionale të mësuesit drejt përfundimit të shkollës fillore tenton të zvogëlohet dhe të ngjyroset në një mënyrë tjetër, në varësi të cilësisë së marrëdhënies midis fëmijës dhe shokëve të klasës. Është e mundur që ekzigjenca e të trajtuarit në mënyrë korrekte dhe të duhur, të pranuarit e hapësirave autonome ndërhyn në raportin nxënës-mësues duke modeluar ndryshe dimensionin efektiv të marrëdhënies, që për çdo rast, mban gjithë fuqinë e duhur nëse mësuesja është përcaktuar nga nxënësi si “me vlerë”, që do të thotë: ka komunikuar një dije konkrete, ABC-në e gjërave dhe kuptimin e rregullave. 


Sfidat e vazhdueshme të mësuesit


Kompleksiteti i shkollës së sotme nis sfida të vazhdueshme për mësuesit fusha e veprimit e të cilëve nuk është vetëm klasa dhe nxënësit, por shtrihet në familje, në shtëpi, në kontekstin social. Sigurisht “të jesh mësues” kërkon gatishmëri të vazhdueshme për të reflektuar dhe për të mësuar: mësues nuk lind, bëhesh ditë pas dite, në një proces pa zgjidhje vazhdueshmërie që e bën raportin mësues-fëmijë shumë special dhe të pazëvendësueshëm. 


(Natasha Shuteriqi Poroçani; Portali Shkollor)

3,577 Lexime
5 vjet më parë