Kodi i Etikës për Mësuesit e Arsimit Parauniversitar - Dokumenti më i fundit, në fuqi nga viti 2025

Kodi i Etikës për Mësuesit përcakton standardet dhe parimet që udhëheqin sjelljen profesionale në shkollë. Nga marrëdhënia me nxënësit e prindërit, te komunikimi, integriteti dhe sjellja në hapësirat digjitale, ja çfarë duhet të dini. Lexoni dokumentin e plotë!

Etika profesionale është një nga shtyllat e rëndësishme të punës së mësuesit. Për këtë arsye, Kodi i Etikës për Mësuesit shërben si dokumenti ku përcaktohen parimet dhe standardet që duhet të udhëheqin sjelljen profesionale të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar.


Në një kohë kur marrëdhëniet brenda shkollës, komunikimi me nxënësit dhe prindërit, përdorimi i teknologjisë dhe përgjegjësitë profesionale kërkojnë gjithnjë e më shumë qartësi, Kodi i Etikës për Mësuesit është dokumenti që merret për bazë aktualisht në përcaktimin e standardeve të sjelljes profesionale në institucionet arsimore parauniversitare.


Kodi përmbledh një sërë parimesh dhe rregullash që lidhen me mënyrën se si mësuesi duhet të ushtrojë profesionin, të komunikojë me nxënësit, kolegët, prindërit dhe drejtuesit, si dhe me përgjegjësinë që ai ka për krijimin e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe edukues.


Çfarë përcakton Kodi i Etikës?


Në qendër të Kodit janë parime të tilla si integriteti personal dhe profesional, respekti për dinjitetin njerëzor, përgjegjësia, barazia dhe përfshirja, bashkëpunimi dhe profesionalizmi. Mësuesi duhet të ushtrojë detyrën me ndershmëri, drejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e çdo nxënësi dhe duke shmangur çdo formë diskriminimi apo paragjykimi. Kodi e vendos mësuesin edhe në rolin e një modeli për nxënësit, jo vetëm përmes njohurive që përcjell, por edhe përmes sjelljes, komunikimit dhe mënyrës se si ndërton marrëdhëniet në komunitetin shkollor.


Marrëdhënia me nxënësit


Një pjesë e rëndësishme e Kodit lidhet me marrëdhënien e mësuesit me nxënësit.

Mësuesi duhet të përdorë një komunikim të qartë, edukativ dhe motivues, të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e nxënësve dhe të kujdeset për mirëqenien e tyre. Në fokus është edhe parandalimi i bullizmit, dhunës dhe përjashtimit social. Mësuesi ka përgjegjësi të vëzhgojë, të parandalojë dhe të ndërhyjë në rastet e bullizmit apo formave të dhunës, në përputhje me procedurat dhe protokollet përkatëse.


Komunikimi me prindërit dhe kolegët


Kodi përcakton gjithashtu parime për marrëdhëniet e mësuesit me prindërit dhe komunitetin.

Komunikimi duhet të jetë i rregullt, i hapur dhe bashkëpunues, duke respektuar shqetësimet e prindërve dhe duke ruajtur në çdo rast privatësinë dhe informacionin që lidhet me nxënësit. Po kështu, marrëdhëniet me kolegët duhet të ndërtohen mbi respektin, bashkëpunimin dhe profesionalizmin, duke kontribuar në një klimë pozitive brenda institucionit arsimor.


Përgjegjësia profesionale dhe zhvillimi i vazhdueshëm


Kodi i Etikës e lidh profesionalizmin e mësuesit edhe me zhvillimin e vazhdueshëm të tij.

Mësuesi duhet të përditësojë njohuritë dhe aftësitë profesionale, të ndjekë zhvillimet në fushën e arsimit dhe të jetë i hapur ndaj praktikave të reja që përmirësojnë procesin e mësimdhënies dhe të nxënit.


Sjellja në hapësirat digjitale


Standardet etike nuk kufizohen vetëm brenda mureve të shkollës. Kodi trajton edhe sjelljen e mësuesit në rrjetet sociale dhe platformat online.

Mësuesi duhet të ruajë integritetin dhe imazhin profesional edhe në hapësirat digjitale, duke treguar kujdes në përmbajtjet që publikon dhe në mënyrën e komunikimit online. Në të njëjtën kohë, mësuesi ka edhe një rol të rëndësishëm në edukimin e nxënësve për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, për identifikimin e informacionit të rremë dhe për zhvillimin e të menduarit kritik.





Kodi i Etikës nuk është vetëm një dokument referues, por një udhëzues për standardet profesionale që duhet të shoqërojnë punën e përditshme të mësuesit në shkollë. Njohja e këtyre standardeve ndihmon mësuesit, drejtuesit, nxënësit dhe prindërit të kenë një kuptim më të qartë mbi përgjegjësitë dhe sjelljen që pritet në komunitetin shkollor.



Më poshtë mund të gjeni dokumentin e plotë të Kodit të Etikës për Mësuesit, i cili merret për bazë aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

245 Lexime
1 orë më parë