Reportazh

Kolegji Preka, një shtatore edukimi në zemër të Korçës

Të varfër nga gjendja materiale, por të fortë shpirtërisht stafi maltez vazhdoi punën me të njëjtin përkushtim dhe vizion. Puna shkonte mrekullisht mirë dhe çdo vit Kolegji nxirte maturantë gjithnjë e më të suksesshëm

Në gusht të vitit 1991, dy anije me të rinj shqiptarë, mbëritën në brigjet e Maltës. Autoritetet malteze u kërkuan atyre të ktheheshin mbrapsht. Nje anije u bind, por tjetra jo. Të rinjtë e anijes së dytë filluan të hidhen menjëherë në det dhe të notojnë drejt bregut. Qeveria malteze mundësoi qëndrimin e tyre për tre ditë në godinën e një shkolle që ndodhej aty afër dhe shumë shpejt lidhi një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’i riatdhesuar këta të rinj, përkundrejt asistencës së nevojshme që do i ofronte shtetit shqiptar. Dhe mbajtja e “premtimit” filloi menjëherë nga ana e Maltës.


Në vitin 1992, Bashkia e Korçës, gjatë një takimi me dy përfaqësuese të SOS Albania, u kërkoi atyre ndihmë për të hapur një shkollë të mesme të nivelit europian. Kur u kthyen në Maltë, ato gjetën ndihmesën e duhur nga Shoqata e Doktrinës së Krishterë, e ngritur në Maltë 100 vite më parë në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve për një jetë më të mirë.


Gjatë viteve1992-1993, autoritetet përgjegjëse diskutuan kushtet për fillimin e shkollës të standarteve europiane. Në prill 1993, tre përfaqësues të Shoqatës erdhën nga Malta për të filluar zbatimin e projektit të shkollës. Për ekipin pedagogjik maltez kjo shkollë duhej të ishte një gjimnaz i përgjithshëm me program kërkues europian meqënëse Korça është njohur si qyteti i kulturës dhe traditës së fortë në mësimdhënie.


Pala malteze filloi menjëherë punën në godinë e lëshuar nga Bashkia e Korçës dhe shumë shpejt e transformuan në një ambient shumë të këndshëm. Si një shtatore edukimi dhe shkence, u ngrit në zemër të Korçës Kolegji Preka – një shkollë e mesme e përgjithshme ku mësimi zhvillohej në gjuhën angleze – gati për të pritur nxënësit e parë. Paraprakisht, në qershor të po atij viti u zhvillua një konkurs në lëndët e matematikës dhe gjuhës angleze dhe 50 nxënësit që dolën me pikët më të larta u pranuan si nxënësit e parë në dy klasa.

Gjithashtu, në qershor 1993, u bënë edhe intervistat për të përzgjedhur stafin e parë akademik. Nga intervistat rigoroze u zgjodhën tetë mësues. Ndërkohë, në një takim që u zhvillua në Tiranë me ministrin e arsimit, përfaqësuesit maltezë morën miratimin zyrtar për çeljen e shkollës dhe fillimin e procesit mësimor.


Kolegji Preka hapi dyert për herë të parë për nxënësit në 27 shtator 1993. Puna filloi mbarë dhe ecte mjaft mirë. Stafi maltez dhe shqiptar punonte me përkushtim dhe entuziazëm. Nxënësit nuk ishin të detyruar të kryenin asnje pagesë, sepse SOS Albania kishte firmosur një kontratë, me anë të cilës siguronte fonde për katër vitet e para të shkollës. Kolegji Preka gjithashtu siguronte falas edhe tekstet e nevojshme shkollore të blerë në Angli.

 

Problematikat

Natyrisht, qe Kolegji nuk kalonte vetëm ditë të qeta. Problemet që hasi menjëherë sapo u hap nuk ishin të pakta. Pas disa muajsh, një mësues me rol kyç largohet për një ofertë pune në kryeqytet. Pas vitit të parë, dy mësues të tjerë largohen për në Amerikë. Kabineti drejtues maltez i Kolegjit u mundua me ankth derisa gjeti mësuesit zëvendësues, të përshtatshëm për standardet e larta të shkollës. Ndërkohë, puna shoqërohej edhe me skepticizmin e banorëve të Korçës. Drejtuesit maltezë jo rrallëherë dëgjonin opinione pa baza të qytetarëve si: “është jashtëzakonisht e vështirë”, “shkollë pa perspektivë”, por ata vazhduan pa u dekurajuar.


Viti 1997 ishte viti i trazirave edhe për Kolegjin Preka. Godina e shkollës u sulmua, u vodh dhe u dëmtua rëndë. Drejtuesit dhe i gjithë stafi akademik maltez ishin të detyruar të largohen nga Korça pasi edhe shtëpia e tyre ishte dëmtuar rëndë. Rreziku për ta ishte madh. Por, ndërkohë, ishte afruar edhe koha për maturën e parë. Të pyetur më pas, maltezët tregonin se i brente dilema “Si të bëjmë? Të kthehemi apo jo?”. Bashkia e Korçës, me gjithë prindërit dhe me Drejtorinë Arsimore u dërgonin në Maltë letra dhe fakse që ata të mos i braktisnin nxënëit, si dhe të vazhdonin punën fisnike, të cilën e kishin nisur me aq përkushtim. Në qershor 1997, stafi maltez rikthehet në Korçë për të mundësuar provimet e maturës për maturantë e parë “Preka”, pasi në këtë Kolegj mbahen dy sezone provimesh në çdo vit shkollor për të gjitha lëndët kryesore. Me shumë vështirësi provimet u zhvilluan dhe, në korrik, maturantët u pajisen me dëftesa.

Sukseset e Kolegjit “Preka”

Surpriza më e madhe për stafin drejtues maltez ndodhi kur mësuan se gjysma e nxënësve të parë të diplomuar në bankat e Kolegjit Preka ikën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe u pranuan që të gjithë në universitete të ndryshme amerikane ku edhe shumë shpejt u klasifikuan ndër studentët më të mirë. Të gjithë ish-maturantët e Preka-s që kishin shkuar në Amerikë u diplomuan aty dhe u punësuan në bazë të zotësive deri në nivelet më të lartë administrative. Dikush u punësua në NASA, disa të tjerë mbetën si pedagogë në universitetet ku u diplomuan, një ish-student Preka madje u shpall edhe shkencëtar. Ishte një sukses dhe emocion për të gjithë.


Në tetor, maltezët u kthyen përsëri dhe rifilluan shkollën. Prindërit dhe mësuesit ishin përpjekur maksimalisht për t’u rregulluar atyre godinën dhe për të pajisur me banka, të cilat ishin shkatëruar gjatë trazirave ’97. Të varfër nga gjendja materiale, por të fortë shpirtërisht stafi maltez vazhdoi punën me të njëjtin përkushtim dhe vizion. Puna shkonte mrekullisht mirë dhe çdo vit Kolegji nxirrte maturantë gjithnjë e më të suksesshëm. Deri më sot, edhe pse problemet nuk kanë munguar asnjëherë, Kolegji “Preka” ka regjistruar suksese të vazhdueshme në rang kombëtar dhe mbetet gjithnjë i gatshëm për të përballuar sfida edhe më të mëdha që do të ofrojë e ardhmja.

Çështjet financiare të Kolegjit

Hapja e Kolegjit “Preka” u mundësua nga një marrëveshje financiare, sipas së cilës siguroheshin fonde vetëm për katër vitet e para të jetës së Kolegjit. Pas vitit të katërt, shkolla duhej t’i siguronte vetë fondet e nevojshme për të. Fillimisht, u kërkua një kontribut modest nga nxënësit. E njëjta praktikë vazhdon edhe sot. Kolegji “Preka” vazhdon të mbahet nga kontributet e nxënësve. Çdo shkollë jopublike në Shqipëri duhet të sigurojë fonde për rrogat e mësuesve dhe për të paguar taksat përkatëse. Me shpresën se ngarkesa e taksave do të lehtësohet një ditë dhe që shkolla të merret më shumë me përballimin e sfidave dhe zhvillimeve të shpejta të kohës Kolegji “Preka” e përballon konkurrencën, madje shpesh herë edhe duke kaluar në avantazh ndaj shkollave të kryeqytetit për nga cilësia.


Mirëbërësit

Fatmirësisht, shkolla ka gjetur disa miq të huaj të gatshëm për të ndihmuar financiarisht. RENOVABIS, një organizatë gjermane, që ka për qëllim të ndihmojë vendet ish-komuniste, i ka alokuar fonde për disa projekte. Fillisht, RENOVABIS kishte financuar laboratorin e shkencave në vitin 1997, që për fat të keq u shkatërrua dhe u vodh përpara se të vihej në punë. Në shtator të vitit 1996, Kolegji “Preka” u pranua si shkollë anëtare nga Organizata Ndërkombëtare Baccalaureate, por si pasojë e dëmtimeve që pësoi shkolla vecanërisht të këtij laboratori në Mars 1997, kolegji kaloi si anëtar pasiv i kësaj organizate. Megjithatë, RENOVABISi ka ofruar shkollës laboratore të tjera në vitin 2007 dhe sot Kolegji “Preka” ka tre laboratorë të shkencave natyrore nga më modernët në Shqipëri me pajisje të fjalës së fundit. RENOVABIS gjithashtu i ka dhënë Kolegjit edhe fonde për të ndërtuar një shtesë pranë godinës egzistuese dhe, ja shkollës edhe pse të vogël, sot nuk i mungon asgjë.


Matura Shtetërore

Me të filluar Matura Shtetërore, nxënësit e tij e nxorrën në pah cilësinë e vërtetë të Kolegjit “Preka”. Më shumë se një herë, nxënësit Preka kanë zënë vendin e parë në Republikë. Në vitin 2014, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe Ministre e Arsimit znj. Lindita Nikolla i akorduan Kolegjit “Preka” Korçë çerfikatën ku deklarohet se Kolegji “Preka” zë vendin e parë ndër shkollat e Republikës së Shqipërisë.

A do vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen? Stafi drejtues maltez dhe ai pedagogjik korçar shprehen të vendosur për të punuar me të gjithë forcën dhe energjitë e tyre në këtë drejtim, si edhe me mbështetjen e duhur nga mirëbërësit e tyre.

 (Portali Shkollor)

11,411 Lexime
7 vjet më parë