Konferenca për edukimin pas shkollor, Kumbaro: Shkollat hapësira për zhvillim social, qytetar dhe kreativ

Ministria e Arsimit dhe British Council prezantuan konferencën për edukimin pas-shkollor. Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e hapësirave të sigurta, kreative dhe gjithëpërfshirëse për nxënësit, ku zhvillohen aftësi sociale, qytetare dhe kompetenca të shekullit 21.

Ministria e Arsimit dhe British Council organizuan konferencën “Edukimi Pas Shkollor në Shqipëri - Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim 


Gjithëpërfshirës". Gjatë kësaj konference, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi vizionin e ministrisë për programin pas-shkollor, i mbështetur tashmë edhe përmes një kornize ligjore. 


"Na mbledh sot vullneti i shumë palëve i shprehur edhe më parë, përmes nismash, projektesh, përpjekjesh por mbi të gjitha përmes nevojës së nxënësve në arsimin parauniversitar, prindërve e komuniteteve në shumë bashki të vendit që programi pas-shkolle të mos mbetet një tentativë, dhe as të jetë një realitet që varet nga vullneti apo pasioni një drejtuesi shkolle dhe mësuesve, por të kthehet në një realitet që kompleton përvojën në shkollë nën vizionin dhe modelet e edukimit pas shkollor dhe zhvillimit të aftësive të shekullit 21.Kemi bërë një rrugë të gjatë deri tek rregullimi me ligj i këtij programi, i cili kaloi në Kuvend rreth dy javë më parë e që është garancia më solide që mban të forta rrënjët e këtij programi, ndërsa detyra e të gjithëve ne së bashku është ta ushqejmë e ujisim këtë sistem rrënjësh që të mos mbetet praktikë e pilotuar në 10, 20 apo 50 shkolla, por ta dëgëzojmë gradualisht në gjithë sistemin parauniversitar.

Sigurisht, këtë rrugëtim nuk e kemi bërë vetëm. Në partneritet me British Council, jemi munduar të ndërthurim përvojën tonë vendase me praktikat më të mira ndërkombëtare.  Ky bashkëpunim sjell në Shqipëri modele të suksesshme si programi “Shkollat e Shekullit të 21”, duke integruar në mënyrë të natyrshme zhvillimin e kompetencave digjitale, mendimin kritik dhe aftësitë që kërkon koha në të cilën jetojmë", tha ministrja Kumbaro. Ky program jashtëkurrikular nuk ka për qëllim vetëm të zgjasë kohën e qëndrimit në shkollë, por të krijojë një hapësirë e re mundësish për nxënësit, një mjedis të sigurt, të pasur dhe frymëzues, ku mund të zbulojnë talentet e tyre, të zhvillojnë aftësi të reja, të ndërtojnë një edukim social, qytetar dhe një marrëdhënie të re me mjedisin, me tokën", tha ministrja Kumbaro.


Monistrja e Arsimit në fjalën e saj, tha se një nga synimet kryesore të kësaj nisme është të eliminojë fragmentimin e programeve ekzistuese dhe të krijojë një qasje të unifikuar, të strukturuar dhe cilësore për aktivitetet pas shkollës. 


"Nëse nga një anë po investojmë në smartlabe dhe në integrimin e inteligjencës artificiale në kurrikula, nga ana tjetër duam që të largojmë fëmijët nga teknologjia e pashëndetshme. Dhe këtu është forca më e madhe e këtij programi. Art dhe Zeje, Toka në shkollë, shkolla qendër komunitare, apo shumë nisma të tjera do të duhe të futen në të njëjtën ombrellë që është edukimi pas shkolle. Në Ministrinë e Arsimit po punojmë edhe për skemën e pagesës për këta mësues, ndërkohë që partnerët e British Council do të na mbështesin me trajnimin duke fuqizuar kompetencat e mësuesve, por edhe aktorët lokalë që do t’i bashkohen këtij program. Një rol kyç në këtë program do të kenë mësuesit, profesionistët në arte, zeje e sporte si dhe komuniteti, të cilët do të angazhohen për të ofruar një përvojë sa të strukturuar dhe frymëzuese për nxënësit. Prania e tyre garanton standarde të larta profesionale dhe ndikon drejtpërdrejt në motivimin dhe përfshirjen e të rinjve. Në Ministrinë e Arsimit po punojmë edhe për skemën e pagesës për këta mësues, ndërkohë që partnerët e British Council do të na mbështesin me trajnimin duke fuqizuar kompetencat e mësuesve, por edhe aktorët lokalë që do t’i bashkohen këtij programi", sqaroi ministrja Kumbaro.


Në aktivitet u prezantua dhe logoja zyrtare e këtij programi, produkt i një konkursi mes shkollave për t’i bërë nxënësit pjesë të vendimarrjes.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

102 Lexime
7 orë më parë