LAJMI

Kosovë, arsimtarët e sistemit paralel të viteve ’90-’99 do të paguhen para Vitit të Ri

Mbi 9 mijë arsimtar të viteve ’90, të cilën e kanë bërë përgjatë një dekade në sistemin paralel arsimor në Kosovë, pritet që përpara Vitit të Ri do të marrin pensiononin për punën e kryer. Vlera për kontributin nis nga 19 deri në 95 euro.

Nga viti 1992, shqiptarët e Kosovës u detyruan të gjejnë forma alternative të mbajtjes gjallë të sistemit arsimor pasi administrata serbe nuk lejonte zhvillimin e mësimit shqip nëpër institucionet shkollore. Një pjesë e madhe e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj okupimit serb përbën mësimin ‘ilegal’ që u bë në një sistem paralel që nuk iu dorëzua presionit për mbylljen e shkollave shqipe në vitet ‘90-të.



Kompensimi ligjor për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë viteve 1990-‘99, në kuadër të sistemit paralel të arsimit, pritet të fillojë së shpejti


Referuar medieve kosovare, qarkullon lajmi se nga Ministria e Punës janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë gjë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dërguar kërkesën për pagesë për 9 mijë e 500 punëtorë të arsimit të viteve’90-të, në Ministrinë e Financave, ku pritet që gjatë dhjetorit të bëhet edhe ekzekutimi i tyre. 


Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bahri Xhaferi, ka thënë se këta punëtorë do të marrin pagesën në mënyrë retroaktive që nga muaji prill, kur edhe ka hyrë ligji në fuqi.


“Është kompletuar dosja. Rreth 9 mijë e 500 raste janë trajtuar, janë vendimet e gatshme dhe çdo gjë është në rregull. Besoj që Ministria e Financave është angazhuar për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë të mundshme dhe të bëhet pagesa e tyre në një periudhë sa më të shkurtër, sigurisht para Vitit të Ri do të ndodhë kjo”, ka thënë Bahri Xhaferi, Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në MPMS. 


Nga Ministria e Financave, është bërë e ditur se mjetet do të ekzekutohen së shpejti, pasi për këtë është ndarë edhe buxheti për vitin 2019. Ndërkohë, Ymer Ymeri, nga Sindikata e Arsimit, ka dhënë sqarime mbi ndarjen e kategorive të mësimdhënësve që përfitojnë nga ky ligj


“Janë të ndara sipas kategorisë së përfitimit, duke filluar me rreth 3, 70 për vitin e parë të pagës bazë në arsimin fillorë deri te ata që i kanë 9 vjet, diku rreth 18 për qind të pagës bazë të arsimit fillorë. Të drejtën e realizimit të pensionit e fitojnë pasi të dalin në pension”, ka thënë për mediat kosovare Ymeri.


Vlera për kontributin e mësimdhënësve të viteve ‘90, nis nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga koha se sa kanë punuar. 



(Portali Shkollor) 

1,749 Lexime
4 vjet më parë